Gerdeci Delijorgji demshperblehet me 15 600 euro nga shteti shqiptar

'Gerdeci', Delijorgji demshperblehet me 15 600 euro nga shteti shqiptar

Përveç faktit që doli i larë nga drejtësia shqiptare pasi mori 26 jetë njerëzish, Mihal Delijorgji do t’i marrë shtetit shqiptar 15.600 euro, si dëmshpërblim për mbajtje në burg tej afateve të parashikuara me ligj.

Biznesmeni Delijorgji doli sot para Gjykatës së të Drejtave të Njeriut me qendër në Strasburg për seancën gjyqësore kundër Shqipërisë, e cila mori një vendim në favor të tij.

Kompania e tij e grumbullimit të skrapit “Albademil”, me bashkëfajësinë e shtetit shqiptar, shkaktoi më 15 mars të vitit 2008 katastrofën e Gërdecit, ku humbën jetën 26 banorë të fshatit, qindra të tjerë u plagosën, mijëra familje humbën shtëpitë, pronat dhe toka bujqësore e tyre u bë e papërdorshme për vite me radhë.

Por pavarësisht tragjedisë shqiptare, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar se gjatë procesit gjyqësor ndaj tij është vërejtur një shkelje e këtyre të drejtave, për respektimin e të cilave Shqipëria është angazhuar me nënshkrimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut.

Delijorgji paditi shtetin shqiptar lidhur me periudhën që qëndroi në paraburgim për çështjen “Gërdeci”, nga e cila u dënua me gjashtë vjet e gjysmë, por përfitoi nga ulja e dënimit. Ky i fundit i shpëton kështu burgut falë uljes së dënimit . Sipas tij, në bazë të konventës europiane të së drejtave të njeriut, kërkesat e tij për t’u liruar pasi ishin tejkaluar afatet e paraburgimit, nuk janë marrë në shqyrtim brenda një kohe të arsyeshme, sikurse parashikohet nga ligjet.

Në këtë mënyrë, Delijorgji pretendon se është mbajtur në paraburgim në mënyrë të padrejtë nga shteti shqiptar dhe kjo i ka shkaktuar atij dëme ekonomike me bizneset që drejton.

Arsyetimi i tij është marrë në konsideratë nga Strasburgu, sipas të cilit mbajtja në burg e Delijorgjit nga data 24 nëntor 2010 deri më 12 mars 2012 është në shkelje të ligjit dhe se kërkesa e bërë prej tij në Gjykatë për lirim nuk është shqyrtuar me shpejtësinë e duhur.

Si pasojë e shkeljes së Nenit 5 paragrafit 1 të Konventës së të Drejtave të Njeriut (e drejta për liri dhe siguri) dhe Nenit 5 paragrafi 4 (e drejta për të pasur nga gjykatat me shpejtësi ligjërimin e mbajtjes në burgim), Gjykata e Strasburgut ka vendosur që Delijorgjit t’i paguhen nga buxheti i shtetit shqiptar 15.600 euro, si dëm jo material.

Mihal Delijorgji është një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit, i cili ishte kontraktuar atë kohë nga qeveria “Berisha”, për demontimin e armëve në repartin ushtarak të Gërdecit. Tragjedia e 15 marsit të vitit 2008 i mori jetën 26 njerëzve dhe plagosi 265 të tjerë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama