80-vjetori i lindjes se akademikut Qosja dhe nje telefonate e trishtuar me Prishtinen

80-vjetori i lindjes se akademikut Qosja dhe nje telefonate e trishtuar me Prishtinen

Akademiku i madh shqiptar Rexhep Qosja, shënon 80 -vjetorin e lindjes, por ndërsa jemi në javën e këtij jubileu, për një kolos të letrave shqipe, nuk është parë asnjë veprimtari, në nderim të kësaj figure të madhe. Një aktivitet i shtëpisë botuese “Toena” dhe një urim i Kryetarit të Akademisë së Shkencave, ishin të vetmet mesazhe që qarkulluan dje për nder të akademikut mbarëkombëtar, Rexhep Qose.

Duke e vlerësuar në nivelin e duhur, këtë figurë, por edhe si një mik i Ambasadores së Kombit mbesës së Ismail Qemalit, fondacioni “Nermin Vlora Falaschi, kërkoi të bashkëpunonte me institucionet e shkencore të Prishtinës, për të organizuar veprimtari në kryeqytetin e Kosovës. Ndërsa Akademia e Shkencave na u përgjigj në mënyrën më të çuditshme. Instituti Albanologjisë, heshti. Pas një pauze të shkurtër, bëra telefonatë me Akademikun, që, sidoqë ishte e zakonshme. La pas dhimbjen që nuk shlyhet: “Le ta kalojmë në heshtje ditëlindjen, takohemi në shtator në Prishtinë ose Vlorë”,- tha ai.

Kërkesa dhe përgjigja e Akademisë së Kosovës

Fondacioni i dërgoi një letër kërkesë zyrtare Akademisë së Kosovës dhe kreut të saj Hivzi Islami. Ndër të tjera shprehnim dëshirën që në bashkëpunim me këtë institucion dhe fondacionin “Nermin Vlora Falaschi” të organizonin një ceremoni të veçantë për ndër të akademikut Qosje. “Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, me rastin e 80- vjetorit të lindjes së Akademikut Prof. Rexhep Qose, dëshiron të organizojmë një veprimtari të përbashkët në Selinë e Akademisë në Prishtinë. Kjo veprimtari përkon edhe me 95- vjetorin e lindjes së Ambasadores së Kombit, mbesës së Ismail Qemalit, Nermin Vlora.  Gjykojmë, që të mbahet një ligjëratë, për lidhjet e Akademikut Rexhep Qosje, Anëtar Nderi i Akademisë “Iliria” në Romë me Nermin Vlorën, si dhe lidhjet dhe meraku që kishte Nermin Vlora për Kulturën dhe shkencën në Kosovë. Me këtë rast, fondacioni ynë, dëshiron t’i dhurojë akademisë bustin e Akademikut Rexhep Qose, punuar nga skulptori vlonjat Skënder Tena, për ta vendosur në një nga ambientet e këtij institucioni apo diku tjetër, ku Ju gjykoni se është vendi i duhur”,- thuhej në kërkesën tonë.

Dhe përgjigja nuk vonoi, por nuk ishte ajo që ne dëshironim. “Ju njoftojmë se Akademiku Rexhep Qosja ka 15 vjet që nuk vjen në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ju lutemi që t’i drejtoheni Institutit Albanologjik për të marrë informata lidhur me nismën tuaj. Me respekt/Shërbimi Administrativ i Akademisë”,- thuhet në përgjigjen e Akademisë së Kosovës.

Telefonata, që la pas brengën e Prof. Rexhep Qosjes.

Nuk ishte një telefonatë e zakonshme për ta uruar Akademikun e shquar për shëndetin e gjithçka tjetër, por për t’i komunikuar aktivitetin e planifikuar nga fondacioni, bustin që kemi bërë dhe do të dëshironim të vendosej në një nga institucionet e shkencës në Prishtinë.  I komunikova se kishim kërkuar bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave në Kosovë dhe përgjigjen që morëm, si dhe heshtja e Institutit Albanologjik. Por ne do ta bëjmë si fondacion me gruan intelektuale mbarëkombëtare, madje pikërisht në ditën e lindjes Tuaj, më 25 qershor.  “Dëgjo,  Zejnepe! Të falënderoj shumë, ashtu edhe fondacionin, që ka emrin e shqiptares së shquar, mikeshës sime të ndjerë, Nermin Vlorës, por të lutem, më mirëkupto: Dua ta kaloj në heshtje 80- vjetorin e lindjes sime”.  Përse Profesor,- i thashë- është jubilare, duhet të bëhen shumë veprimtari shkencore, letrare. . . .

“Këto janë marrëdhëniet e mia me politikën.  Takohemi në shtator në Prishtinë ose në Vlorë, ku të doni”,- mu përgjigj ai.  Zëri i tij heshti, por pas la brengën.

 E pafalshme për Ministritë e Kulturës dhe Shkencës në Prishtinë dhe Tiranë, për Akademitë e Shkencave në kryeqytetet respektive. Interesuar nëse Ministritë e Kulturës e Shkencës në Prishtinë e Tiranë, kanë planifikuar ndonjë veprimtari me rastin e 80- vjetorit të lindjes, përgjigja ka qenë heshtja. Çdo njeri i ndershëm shtron pyetjen: Cili është motivi dhe përse kjo papërgjegjshmëri e këtyre institucioneve, që të mos nderojnë Akademikun e mbarë shqiptarisë, kolosin e letrave shqipe, Nderin e Kombit, Akademikun Rexhep Qosja?

 Përse Qeveria e Prishtinës dhe e Tiranës kanë “harruar” datën jubilare të Akademikut dhe cila është përgjegjësia e tyre përpara shqiptarëve dhe a është ky një ndëshkim për njerëzit e shkencës dhe të artit. Jeta dhe veprimtaria shkencore dhe artistike e Akademikut Rexhep Qosje dhe akademikëve e personaliteteve të tjerë, qenkërka në dorë të politikës, që fatkeqësisht nuk ndesh me ndonjë person me gradë shkencore, jo pastaj të jetë Akademik. E dhimbshme, e tmerrshme të politizohen institucionet shkencore, e pafalshme për Ministritë e Kulturës apo të Shkencës, të veprojnë, ndoshta në mënyrën më ekstreme, që një personalitet e vlerësojnë dhe tjetrin, po të atij niveli, e “harrojnë”. Kjo ndodh vetëm në politikën shqiptare këtej dhe andej kufirit.

 Polemikat e Akademikut Qosje me Qeverinë e Prishtinës dhe me politikën në tërësi, kanë në thelb mendimet e tij universale, por, që nuk kanë të bëjnë me interesat, tij, por të shoqërisë. E kundërta ndodh me Qeverinë në Prishtinë, që zbraz mllefin e saj, por kurrsesi, nuk mund të zbehë personalitetin dhe kontributin e Akademikut, Prof. Rexhep Qosje, që jetën e tij, e vuri në shërbim të shqiptarisë, duke qëndruar përjetësisht në themelin e shkencës dhe kulturës shqiptare.

JETËSHKRIMI

Akademiku Rexhep Qosje

Rexhep Qosja është lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit të Zi, është akademik shqiptarë.

 Shkollën fillore e kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

 Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 Qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë.

 Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës.

Çështja shqiptare: historia dhe politika Autori: Rexhep Qosja. Botuesi: Toena. Viti i botimit: 1998.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama