Një kukull mbi timonin e biçikletës dhe prindërit me dy vajzat anash". Familja ime e dashur, gruaja Elsa dhe dy vajzat tona, Ledia dhe Marjana".
Lidhja me familjen për të është e ngjashme me lidhjet me pikturën. Piktori Gazmend Leka, në një koment që bën për veprat e Kostandinit, thotë se ndihet i mahnitur nga mënyra se si ky njeri di të harmonizojë dy jetët, atë si piktor dhe atë si njeri. Në jetën e këtyre tri femrave, ai është burri më i rëndësishëm, njeriu që e ka mbushur jetën e tyre me aq përfytyrime...
Dhe pikërisht këto femra i rezervuan atij këto ditë gushti një dhuratë jo të zakontë. "Si një surprizë për dashurinë time ndaj gravurës", do të quante Kostandini një libër ku janë botuar të gjitha grafikat e tij. I njohur si një piktor i ndjeshëm, që di të sjellë në telajo detajet më të imëta të jetës njerëzore, këtë herë Kostandini shfaqet në një tjetër dimension, atë të grafistit. "Paralel me pikturën kam lëvruar edhe këtë gjini koncize, e cila çlirohet prej mprehtësisë së daltave mbi dru dhe linoleumit. Në fletët grafike, gjatë viteve rrëfehet poezia e jetës së përditshme dhe intimiteti i skenave të jetës periferike. Grafika dhe vizatimi janë për mua porta ku e vërteta e jetës dhe e artit hyjnë së pari dhe më pas mbushin dhomat e shumta të shtëpisë së pikturës", thotë ai.
Por ku ndryshon rrëfimi i Kostandinit në grafikë nga ai në pikturë? Shenjat e tij janë gjithnjë të lexueshme. Jeta që fshihet përtej një qyteti që zgjohet dhe fle shumë pranë liqenit. Gjithçka janë aty. Si në piktura dhe në këto grafika nuk mungojnë legjendat që janë strukur në mendjet e çdo shtëpie të vjetër të kësaj province, mëngjeset ku kafja gjerbet në ato xhezvet e vjetra dhe plakat e veshura me fustanet nën gju, të gatshme të rrëmbejnë me vështrime çdo të huaj që shkel qytetin e tyre... "Kostandini preferon bukurinë strukturore të sendeve; në "analizën" e tyre ai nuk parapëlqen, nuk seleksionon, nuk refuzon, por do dhe mahnitet para sendeve të rëndomta, që janë shenja të një bote të largët, të stërlashtë", shkruan kritiku Luan Topçiu për të. Burri që fsheh ca sy thellësisht blu në një portret, ku dallohet lehtë piktori, ka dhuntinë të dojë sendet. Dashuria për sendet që e rrethojnë është manifestim i dashurisë për vendin e njerëzit e tij. "Këto gravura bëhen të shenjta për receptorin, sepse përcjellin diçka nga përrallat dhe legjendat, nga historitë e jetës së përditshme të bashkëqytetarëve të tij, që janë qytetarët e vendit të tij e më gjerë, si qytetarë të një hapësire më të gjerë ballkanike", shpjegon Topçiu.
Kostandini nuk stepet para asgjëje që i dikton imagjinata. Ai vizaton deri në detaje ëndrrat e një fëmije teksa fle në shtratin ku në këllëfin e jastëkut janë qëndisur dy personazhe përrallash. Si një udhëtar i pandreqshëm, ai nuk ka sjellë në këtë libër vetëm Pogradecin, provincën e tij të përjetshme, të cilën nuk e braktisi kurrë, por dhe qytete ku ka mbërritur si një vizitor i përkohshëm. E tillë është ndalesa e tij në qytetin e Beratit në vitin 1989, nga ku shtëpitë karakteristike të këtij qyteti historik janë përshkruar nga ai në gravurën në dru. Berati na shfaqet në këtë libër grafikësh në pozicione të ndryshme të tij, ku dallohet qartë ideja e "Tasos" (ashtu siç i thërrasin miqtë Anastas Kostandinit) për të përcjellë të gjitha ndjesitë që i kishte ngjallur ajo vizitë. Nuk ka nevojë ndonjëherë të dëgjosh shpjegimet e tij për udhëtimet, shpjegime të cilat nëse je në një kafe me Tason, për një moment të duket se je duke folur me një shkrimtar (aq mirë i analizon punët e tij). Teksa shfleton këtë katalog, nëse mund të quhet kështu libri, të duket sikur je duke udhëtuar me vështrime në pikat më të thella të njeriut dhe natyrës. Ai është një dashnor i natyrës. "Trungjet e plepave", një gravurë e vitit 1985, rrëfen mënyrën sesi një piktor mund ta transformojë natyrën, duke shpjeguar ndjenjat e saj si të një njeriu. Nëse sheh këto plepa t‘i ke dëshirën të pyesësh Tason se në cilën pjesë të Pogradecit apo të ndonjë qyteti tjetër ai i ka parë ato, për të parë nga afër se ç‘mund të ndodhë me ty, nëse je aq pranë tyre.
Por, ajo çfarë piktori di të zbërthejë më mirë, edhe në grafika mbetet qyteti i Pogradecit. Ai qytet ku ai është konsoliduar si artist (pasi Taso menjëherë pas studimeve në Akademinë e Arteve për pikturë u kthye në vendlindje) mbetet pika më e dobët e tij. Përshkrimet e asaj çfarë mbart ky qytet e bëjnë pikturën e tij më të fortë dhe ndoshta më ndryshe në morinë e pikturave që bëhen sot. Po si do ta quante Luan Topçiu, një studiues që e njeh mirë Tason dhe këto grafika kaq të ndjeshme?
"Grafika e Anastas Kostandinit është dëshmi e artistit me kureshtje të gjalla analitike, me këmbëngulje që refuzon shikimin rastësor. Çelësi i suksesit të tij duhet kërkuar te vëzhguesi, i ndihmuar nga mprehtësia e jashtëzakonshme e të parit. Gjithmonë artisti është nën tensionin e kureshtjes për gjithçka që është e gjallë, për objekte të jetës së përditshme, për peizazhe, trungje, kala të vjetra, gurë mure, të hapura, kalldrëme të çrregullta, dyer, oxhaqe shtëpish, relieve malesh, valëzimin e dallgëve të liqenit, brendi ndërtesash për njeriun të gjendur në aq intimitet me peizazhin e tij, që të gjitha i superpozon, i pleks në një sipërfaqe organike, sipërfaqe ku pasqyrohet bota e magjishme e artistit dhe e vendlindjes".
Për Tason mund të flasësh gjatë. Ndërsa ai ndryshe nga ne ka fuqinë e të rrëfyerit jo vetëm nëpërmjet fjalës, por edhe nëpërmjet ngjyrave e vizatimeve, ashtu si një rrëfim aq i ndjeshëm siç është "Kuzhina e vjetër". Kjo punë, e cila daton në vitin 1974, rrëfen në mënyrë të detajuar atë çfarë mund të ndodhë në një kuzhinë të zakonshme, në një nga ato mijëra shtëpi të qytetit që ndodhet aq afër liqenit.
Duket se Taso zotëron çelësin e zbërthimit të çdo sekreti që mbart qyteti i tij dhe sigurisht ai hap vetëm ato sekrete të cilat nuk mund ta na lëndojnë...
Fenomeni Taso
Pogradecin fillimisht e kam dashur nga Taso. Taso ma ka bërë atë vend të afërt që në Liceun Artistik, me ato vizatimet e tij të vogla që ai sillte në shkollë, të cilat ne i shihnim me shumë kuriozitet, vizatime që tani i kam të stampuara në kokë dhe sa herë shkoj në Pogradec te Taso i them të m‘i tregojë, për të bërë lidhjen me atë kohë kur jemi njohur. E përmend këtë, se Taso nuk pikturon sot dhe me hope. Taso tërë jetën ka pikturuar dhe unë nuk njoh të dytë që ta ketë lidhur jetën me pikturën sa ai. Taso më duket si një person që bën dy jetë njëkohësisht, jetën si njeri dhe jetën si piktor. Dhe këto i bën paralelisht, me një ekuilibër të habitshëm. Krijimtaria e tij përbëhet nga mijëra vizatime dhe piktura. Ajo është si një oqean që ka shtresën e hollë sipër, shtresën blu me peshq, delfinë, peshkatarë me ngjarje, me intriga, por ka edhe pjesën e thellë, të zezë dhe misterioze me kafshë të panjohura.
Taso është një fenomen për mua. Ai ka një sy të jashtëzakonshëm, është vëzhgues i jashtëzakonshëm.
Pogradeci ka shkrimtarët e famshëm, Lasgushin dhe Mitrushin, por për mua ka edhe Tason, sepse sensibiliteti dhe zgjuarsia e tyre janë të fokusuara te Taso me po të njëjtën forcë e dashuri dhe po me të njëjtën inteligjencë. Taso te Pogradeci sheh gjithçka. Tamam si një fallxhor që i mjafton një filxhan kafeje për të kuptuar të ardhmen, edhe atij një gur i këtij vendi i jep vizione, d.m.th ai gati-gati është profetik. Për mua Taso është ndër piktorët e mëdhenj shqiptarë, një emër që do të rezistojë dhe e vërteta e pikturës së tij, dëshmia e tij nëpër telajo, dalëngadalë do të njihet nga njerëzit.
Marre nga : Gazeta Shqip











