kur shumë të tjerë e kanë humbur atë. Trilogjisë së tij, "Brigjet e kujtesës", i vijnë pas romane të tjerë, që marrin përsipër të bëjnë autopsinë e plotë të shoqërisë së mbyllur, ku ka jetuar edhe autori, për të mbërritur te "Lëkura e qenit", që është përcaktuar nga kritika si tentativa e parë e tij për të trajtuar me po të njëjtin sukses temën e ditës. Ky roman, që ka gjetur mijëra lexues në vend, së bashku me romanet "Te koka e Shën Pjetrit" dhe "Jetë në kuti shkrepëse", e bënë shumë të pritur autorin Kongoli në Sarandë, në një panel me krijues e lexues sarandjotë, por edhe me pushues të interesuar për kontakte të drejtpërdrejta me romancierin më të vlerësuar. Instituti i librit dhe promocionit "Toena", në partneritet me shoqatën e shkrimtarëve të Sarandës dhe shtëpinë botuese "Milosao" të qytetit bregdetar, duke pasur edhe mbështetjen e bashkiakëve, është kujdesur për ta formatuar takimin e Kongolit si një bashkëbisedim me lexues dhe krijues "të racës së vet". Interesimi për të ditur diçka më shumë për labirintet e "laboratorit" ku krijohet një letërsi e kërkuar në vend dhe në metropolet evropiane, për raportet e saj me të vërtetën dhe me personalen, tregimi i sinqertë për krijimtarinë e shkruar para ‘90-ës nga i njëjti autor, kur "burmat" shtrënguese të soc-realizmit ishin pengesë për të shprehur vetveten, shfaqja e opinioneve për letërsinë e shqiptarëve të Maqedonisë dhe vizioni për letërsinë shqiptare në tërësi, ishin kolonat e bashkëbisedimit mes shkrimtarit dhe të pranishmëve.
Fatmir Toçi, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë botuese "Toena", e cila ka ekskluzivitetin e botimit të veprave të Kongolit, ka prezantuar suksesin e prekur prej Kongolit, të shprehur edhe në shifra rekord të shitjeve të romanit "Jetë në kuti shkrepëse". Ka qenë ky roman dhe romani "Te koka e Shën Pjetrit" që, sipas tij, e kanë renditur Kongolin në elitën e letërsisë evropiane, duke mbetur i preferuar për të trajtimi i gjendjes social-psikologjike të personazheve të tij. Fatos Kongoli është vlerësuar nga pjesëmarrësit në panel si nga të paktët që guxojnë dhe rrezikojnë të merren me temën e ditës aty për aty, pa u distancuar në kohë prej saj e pa pritur të precipitojnë realitetet dhe ngjarjet. Nga disa emigrantë të pranishëm në takim është shprehur mirënjohja që Fatos Kongoli ka trajtuar edhe jetën e emigrantit, jetën e vërtetë dhe fatin e tij, duke e shtrirë deri në refleksione me vlerë për marrëdhëniet me fqinjët. Ka qenë kjo arsyeja që ata janë gjendur aty pa ndonjë ftesë speciale, ndoshta spontanisht, pasi kanë mësuar rastësisht se Fatos Kongoli organizonte një bashkëbisedim me lexues.
Mjaft prej tyre e kanë quajtur me fat të gjendeshin në takimin me një shkrimtar, letërsia e të cilit ka qenë e afërt edhe për emigrantët, duke qenë se Kongoli del në pararojë me veprën e tij letrare. Ka krijuar një sadisfaksion më shumë njohja me faktin që Kongoli është njëherësh nga shkrimtarët më të përkthyer në botë. Përkthimi i tij në Francë, në Angli, në gjuhët sllave, në Gjermani e Itali, është vlerësuar si një pasaportë e rëndësishme ndërkombëtare që ai i ka dhënë vetes. Poeti dhe gazetari Andrea Zarballa, pjesë e komunitetit të krijuesve sarandjotë, ka marrë falënderime të veçanta nga autori për nismën e përkthimit të disa prej romaneve të Kongolit, kohët e fundit edhe në gjuhën greke. Ai tha se kanë përfunduar kontratat për botimin e dy romaneve të tij të fundit në greqisht.
"Pas këtyre trofeve kam nisur të kem frikë nga vetja", është shprehur Kongoli, duke quajtur të rrezikshëm momentin kur fillon të të pëlqejë vetja. Duke u ruajtur nga kjo ndjenjë, ai tha se gjendet në fazën kur për gjithçka që shkruan matet shumë, sepse ajo që vjen pas duhet të jetë më e pëlqyeshme se ajo që është pëlqyer. Fatos Kongoli, fituesi i vetëm i çmimit "Ballkanus", i barasvlershëm me një "Nobel" ballkanik, në mënyrë modeste ka përcjellë mesazhe të vlefshme për krijuesit dhe lexuesit e tij të shumtë që ka gjetur dhe kontaktuar drejtpërdrejt në Sarandën që e ka ekzaltuar. Mjaft nga romanet e tij të pranishme në takim kanë marrë edhe autografin e tij për të shkuar te lexuesi dhe te njerëzit që bëjnë letërsi në një qytet që intrigon dhe frymëzon si Saranda.
Marre nga : Gazeta Shqip











