Shenjtoret e bakrit

Shenjtorët e bakrit

Por kisha e bardhë është më shumë se një godinë njëshekullore. Në krahun lindor ruhen gjurmët e ndërtesës origjinale. Kishës që mendohet se është ndërtuar në shek. XII, por edhe më herët në Rubik. Për dekada ajo fqinjëroi me Fabrikën e Përpunimit të Bakrit, e cila i solli një dëmtim të pakthyeshëm. Një mjet jetese për banorët e Rubikut, bakri po i merrte jetën shenjtorëve të pikturave.Specialistët e Sektorit të Artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës (Andi Spahia, Gentian Vokopola, Adrian Çene dhe Edlira Çaushi), po i japin fund fazës së parë të ndërhyrjeve në këtë kishë. Të shpëtohen ato pak gjurmë që kanë mbetur prej shekujsh dhe që u shkatërruan pa mëshirë, jo thjesht prej kohës, por prej avujve që vinin nga Fabrika aty pranë. Sipas restauratores Edlira Çaushi, projekti ka për qëllim konservimin e afreskut. Thotë se piktura murale është e dëmtuar rëndë dhe shumica e imazheve tashmë janë të palexueshme. “Avujt acid që vinin prej fabrikës së bakrit vepronin me intonakun e afreskut dhe kjo ka çuar në shkatërrimin e pikturave”.

Çaushipranon se nuk e mendonin se do të përballeshin me një punë aq voluminoze. Të paktat ngjyra të mbetura pluhurzoheshin dhe restauratorët nuk e patën të lehtë. Duke qeshur, ish-drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, tregon se jo rrallë herë e pyesin se çfarë i bëjnë atij afresku, por ajo thotë se ky afresk mbart një moment të rëndësishëm në historinë e këtij arti në Shqipëri, ndaj edhe ruajtja e imazheve të mbetura është shumë e rëndësishme. Fatkeqësisht nga dora e piktorit të paidentifikuar ka mbetur shumë pak dhe restauratorja mendon që se është e pamundur që të rindërtohen imazhet e dikurshme. Në shumicën e rasteve çka u ka shpëtuar avujve gërryes të fabrikës janë vetëm konturet, që qarkojnë ca silueta të bardha, që të japin idenë e ca shpirtrave që rrinë pezull. Por specialistët garantojnë se nuk do të ketë dëmtime të mëtejshme (edhe fabrika është mbyllur në vitin 1998).

Studiues të ndryshëm e kanë datuar në shekuj të ndryshëm afreskun e Të Shëlbuemit, ndërsa vetë kisha përmendet për herë të parë si abaci në vitin 1166. Në ekspeditën e vitit 1958 të Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë u përcaktua si vepër e shek. XII, ndërsa studjuesja Dhorka Dhamo e daton të shek. XIII, mes viteve 1260-1280. Për studiuesin Theofan Popa piktura i takon gjysmës së parë të shek. XII. Afresku përbëhet nga disa skena. Pak sipër mbi apsidë, në skenën e Ungjillizimit, në madhësi natyrale, lajmëtari Gabriel lajmëron Marinë për lindjen e Krishtit. Në brezin e sipërm shfaqet një skenë DEISIS, e cila mendohet të jetë ripikturuar në rikonstruksionin e vitit 1267, që i është bërë kishës. (Nga një mbishkrim i kishës, i kopjuar në fillim të shek. XVII, mësojmë se kisha e Rubikut u rrënua në vitin 1267 dhe u rindërtua “me ndihmën e të mëdhenjve dhe të vegjëlve”.) Në brezin e mesëm paraqitet skena e kungimit të apostujve, ndërsa vetëm pak ditë më parë një grup arkeologësh zbuluan një tjetër brez të afreskut.

Dalin në dritë 7 etërit e kishës, të cilët mendohet që gjithashtu të jenë ripikturuar. Sipas specialistëve, ndërsa në dy brezat e sipërm mënyra e pikturimit është më pranë skemave të pikturës bizantine, brezi i poshtëm përngjason më shumë me një stil pikturimi perëndimor. Edhe në skenën e Ungjillizimit, mendohet që figura e Peshkop Inocentit t’i përkasë të njëjtës periudhë dhe është rasti i parë në Shqipëri, ku vërehen figura me veshje të ritualit katolik. Restauratorja Çaushi thotë se fatmirësisht, kjo pjesë, duke qenë e mbuluar, ruhet më mirë se pjesa tjetër e afreskut. Dalja në dritë e këtij brezi piktorik, që plotëson gjithë pjesën e apsidës, nuk ishte e parashikuar në projektin 700 mijë lekësh të Institutit të Monumenteve, kështu që restauratorëve do t’iu duhen edhe disa ditë të tjera mbi parashikimin, për t’i dhënë fund punës. Por bëhet fjalë vetëm për përfundimin e fazës së parë, pasi mendohet që puna të vazhdojë më tej. Gërmimet arkeologjike nën altarin e kishës nxorën në pah të tjera fakte, ndërkohë që Çaushi mendon se në faqet anësore të kishës, nën suva mund të fshihen të tjera piktura. “Do të kthehemi sërish në Rubik, ku kemi gjetur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me pushtetin lokal, drejtuesit e kishës dhe komunitetin. Të gjithë janë të interesuar që kjo kishë të ruajë, qoftë edhe sado pak gjurmët shekullore”.

Alma Mile : Gazeta SHekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama