Peshperitje ne Teatrin Kombetar... ne shtepi kemi Karafil Shenen!

Peshperitje ne Teatrin Kombetar... ne shtepi kemi Karafil Shenen!

E kishte marrë malli për vendin, për teatrin, por edhe për kolegët e plejadës së vjetër, me të cilët ka bashkëpunuar asokohe. Këto ishin arsyet kryesore, prej të cilave vendosi që të rikthehet në skenën e teatrit, ku ka interpretuar para 20 vjetësh. Kësaj here do të jetë përkrah artistëve të rinj shqiptarë.Bëhet fjalë për aktorin e njohur Karafil Shena, i cili prej vitesh jeton edhe punon në Greqi. Ftesa e regjisores Rovena Lule, e rikthen sonte, ora 19.00, në Teatrin Kombëtar, si aktor, në premierën e dramës “Gruaja në dritare”, me autore Arta Arifin. Interpreton rolin e Gjinit, një personazh tepër kompleks, i cili është sa trim, aq dhe frikacak.

Në rol Gjini është i dashuruar pas gruas, por është dhe kryeneç, i ashpër dhe i vrazhdë. Sipas Shenës, është një përfaqësues i mirëfilltë i pushtetit, fenomen ky që ka lindur qysh me njerëzimin, edhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë aktual. Kështu e shpjegon rolin e Gjinit, gjatë një bisede me të, Karafil Shena, i cili kujton me nostalgji, edhe herën e fundit, që ka interpretuar në skenën e TK-së, viti 1989, te "Përshpirtje në shtëpinë e Matildës", me regji të Arben Imamit dhe me skenografi të Edi Ramës.

Zoti Shena, riktheheni pas 20 vjetësh në Teatrin Kombëtar. A ju kujtohet hera e fundit që jeni ngjitur në këtë skenë?

Rikthehem pas 20 vjetësh. Për herë të fundit në TK kam interpretuar në vitin 1989, me veprën e mrekullueshme braziliane "Përshpirtje në shtëpinë e Matildës", me regji të Arben Imamit dhe me skenografi të Edi Ramës. Asokohe unë luaja në Teatrin Aleksandër Moisiu në Durrës. Kjo ka qenë hera e fundit, sepse më pas jam larguar në emigrim...

Bashkëpunimi me Rovenën si lindi?

Me Rovenën nuk njihesha, e kam parë vetëm te filmi, “Maya” me regji të Pluton Vasit. Ajo kishte pyetur një mikun tim, nëse kisha kohë në dispozicion, që të merrja pjesë në këtë vepër. Pas konfirmimit tim, se isha i lirë kam biseduar edhe për detajet e tjera.

Nëse më herët juve ju duhej që të shkonit në bibliotekë për të lexuar, që të futeshit brenda një roli. Personazhin e Gjinit, si e keni bërë tuajin?

Shiko, kohët kanë ndryshuar shumë. Sot jetojmë në kohën e internetit. Teknologjia ka vlerat e saj të padiskutueshme, dhe pse ka një problem të madh themelor, pasi aty asnjë nuk ke asnjë firmë për gjërat që kanë të bëjnë me edukimin dhe formimin e njeriut. Me rolin?! Me rolin, të them të drejtën nuk është se e kam trajtuar nga pikëpamja shqiptare, por nga marrëdhënia, sepse gjithmonë marrëdhënia është ajo, që të udhëheq.

Bëhet fjalë për një marrëdhënie vëllezërish, dhe intime (burrë-grua). Këto të udhëheqin dhe të bëjnë që ti ta çosh aty ku e do gjënë, pra te bota shqiptare. Më ka ndihmuar shumë fati tragjik, që lexojmë çdo ditë nëpër faqet e gazetave, për vrasje që ndodhin për një copë tokë, për një gardh. Kjo është tragjike. Këtu e kam marrë mesazhin më të madh, dhe përvojën për të luajtur. Pra çështja e pronës dhe e pushtetit ka si parim themelor, largimin nga ky pushtet, që duhet të ketë në thelb lirinë. Njerëzit duhet të fillojnë nga liria.

Si të fillojnë nga liria?

Duke hapur mendjen, duke qenë tolerant në çdo gjë, duke mos urryer, duke dashur atë që kanë në krahë. Këtu fillon liria. Nëse sigurojmë çështjet e lirisë, do të zgjidhim shumë gjëra. Sot në vendin tonë liria është bërë slogan i keq, një slogan pa vlerë. Liri, liri, por kur liria jote shqetëson lirinë time, ajo nuk është më e tillë. Këtu e kam parë personazhin e Gjinit, pastaj e mora këtë personazh dhe e hodha në trevat shqiptare, aty gjërat më janë dukur më të kollajta, sepse jam i mbushur nga fshati i babait dhe i nënës sime, duke dëgjuar vetëm për këto fenomene. Barazia e dikurshme lindte nga varfëria.

Duhet të jemi të varfër, që të shkojmë mirë me njëri-tjetrin?!

Jo! Problemi është te qytetaria, sepse që të gjitha këto fenomene e kanë zanafillën te liria. Nëse duhet të jemi të lirë, duhet që të jemi edhe qytetar.

Çfarë sillni në Shqipëri kur ktheheni, edhe çfarë merrni me vete kur largoheni?

Nëse bëj një montazh gjatë viteve, mund të them se kur jam larguar për herë ta parë nga Kapshtica mora një taksi së bashku me një tjetër, që të ndaja lekët përgjysmë me të. Por gjithë monologu im gjatë rrugës ishte: Ku po shkoj, ku po vete? Hipa në një tren, dhe kam udhëtuar në borë. Niste në Pogradec, por nuk mbaronte... Për një muaj nuk doja që të shikoja më as ngjyrën e bardhë, edhe pse në ato vende që shkel, nuk i harroj kollaj. Fatkeqësisht, unë e dua shumë vendin tim, për këtë jam edhe këtu, por kur kaloj kufirin për të ardhur në Shqipëri them përsëri: Ku po shkoj? Mbase kështu është ndërtuar njeriu... Është ndërtuar me dy atdhe, dhe është shumë mirë që kemi dhe atdhe, edhe mëmëdhe. Kështu zgjedhim kë të duam...

Biografi

Aktori Karafil Shena është angazhuar në kinematografinë shqiptare qysh në vitet ’80. Fillimisht ka marrë pjesë në filmin “Në çdo stinë” të Viktor Gjikës, apo “Dy herë mat” të Bujar Kapexhiut etj. Në vitin 1993 largohet në emigrim, në Greqi. Fillimisht ka punuar si punëtor i thjeshtë, e më pas fati deshi që të krijonte përvojën e tij artistike në Athinë, ku dhe sot vazhdon që të mbajë lidhje të pashkëputura me kinemanë dhe teatrin grek. Disa nga filmat ku ka marrë pjesë janë: “Mirupafshim” në vitin 1997 me regjisorët Kristos Voukuras dhe Jorgos Korcas. Më pas te “Braziliero” me regjisorin Sotiris Goricas, “Mbreti” me Nikos Gramatikos dhe “Pengu” me regjisorin Janaris, “Mali përpara”, i cili në vitin 2008 mori pjesë në Festivalin e Selanikut. Ka marrë pjesë në shfaqje të ndryshme teatrore.

Në teatër nuk gënjen dot

Kur e pyesim aktorin Shena se, sipas tij, ku ndryshon teatri nga kinemaja, ai na tregon se, është një teh i mbrehtë, që i ndan. Nëse në film komunikimi kryesor i aktorit është me kamerën, në teatër është shumë i rëndësishëm komunikimi direkt me publikun, sidomos në rastet kur largësia aktor-spektator është vetëm 60 cm.

Ku ndryshon për ju interpretimi në teatër nga ai në kinema?

Baza e këtij profesioni është teatri. Ajo është lënda e parë, aty perfeksionohesh, ke kontakt direkt më publikun. Nga përvoja mund të them se kontakti direkt me publikun është në teatrot që kanë rreth 120 vende, ato janë teatro-teatro, sepse teatri ynë quhet komercial, sepse ka shumë njerëz. Atje unë kam një përvojë të jashtëzakonshme, sepse spektatorit i ndieja frymëmarrjen dhe gëlltitjen që bënte, ajo më emociononte. Adrenalina është shumë e lartë, sepse të duket sikur luan me ta, por edhe ata luajnë me ty, aq sa ka dhe momente që nuk i quan më spektatorë.

Ka momente në teatrot e vegjël, ku të rinjve u vendosen shilte te radha e parë. Ata ulen këmbëkryq, mirëpo këmbët e tyre gati hyjnë në skenë, aty ku do të kalojë aktori. Shumë herë mua më ka rastisur, që ata e kuptojnë lëvizjen time kur nisem dhe i mbledhin këmbët, pasi unë kaloj ata i shtrijnë përsëri këmbët, që t’i shpijnë. Kjo më emocionon shumë, sepse luajnë bashkë me ne. Ai është një teatër, ku nuk gënjen dot se radhën e parë të publikut e ke 60 cm larg vetes, syri dhe shprehia jote nuk gënjejnë dot. Në këtë teatër unë po të dua mundem që të gënjej dhe spektatorin më të mirë, nëse dua që ta bëj, sepse ai nuk më shikon dot se si më lëngëzon syri, dhe si më frymon shpirti. Ky është teatri...

Ndërsa filmi ka problemet e veta. Por një ndër arsyet që më pëlqen është sepse, më ngre adrenalinën kur më thotë: “Të dua më të mirë tani”. Edhe nëse unë i them:“Po jo, jam i sëmurë”. Nuk ka asnjë tolerim. Kjo është ajo që të provokon në kuptimin e mirë të fjalës, ke një marrëdhënie tjetër në film, sepse je vetëm me kamerën, me një gjë të ftohtë, që nuk ka as sy, as vesh, dhe që nuk të ndien. Edhe pse në imagjinatën tënde si aktor, kur ke plane portret, kamerën duhet që ta konsiderosh si “parter”. Teatri ka një kufi në teh të briskut, nëse e krahasojmë me interpretimin në kinema. Në film nuk theksohen me të madha gjërat. Kjo nuk do të thotë se nuk luhen, por aty janë më të mbledhura ndjesitë.

Roli që ka peng, Don Kishoti dhe Sanço Pança

Fotaqi, është roli që Karafil Shena nuk është i bindur nëse do ta interpretonte më, nëse do t’i jepej mundësia.  Ky rol ka qenë një bashkëpunim me regjisorin Viktor Gjika te filmi “Në çdo stinë”, gjatë kinematografisë shqiptare të socializmit.

Cili është ai rol, të cilin e kujtoni herë pas here...

Këtë po diskutoja sot (dje) me një mikun tim. Interpreton një rol në moshën 58-vjeçare, dhe të duket sikur luan për herë të parë. Të gjithë rolet janë të bukur, si fëmijët që kanë veçoritë e tyre, megjithatë unë nga kinemaja e socializmit, nga interpretimet gjatë atyre viteve do të veçoja Fotaqin në filmin “Në çdo stinë” (1980) me regji të Viktor Gjikës.

Çfarë ka mbetur nga rol i personazhit të Fotaqit te filmi “Në çdo stinë” ?

Nga ai rol më ka mbetur virgjëria, nuk e di nëse do të mund që ta bëja më, por ashtu jo. (qesh) Mund të bëhej më mirë. Ndërsa gjatë viteve të demokracisë, roli më i plotë është tek filmi “Amnistia”, me regji të Buar Alimamit. Aty jam me një përvojë tjetër, perëndimore, por dhe përzgjedhja nga ana e regjisorit ishte bërë një vit më para se të niste puna, prandaj dhe  kisha punuar rolin në mendje, sepse të paktën unë kështu i punoj rolet në mendje. Teksti të ndihmon diçka, por që të bëhet i yti, në gjak, do kohën e tij.

Përvoja në skenë, nuk është gjithçka

Pa u djersitur, dhe pa punuar shumë në teatër nuk mundet që të arrish shumë, ky është mendimi i Karafil Shenës, për eksperiencën që ka një aktor në teatër. Ndërsa ëndrra e tij, është që të realizojë edhe një herë në skenë rolin e Don Kishotit.

Po përvoja çfarë rëndësie ka gjatë interpretimit të një roli?

Ajo është, por është brenda teje, nuk mundet që t’i besosh vetëm përvojës edhe të thuash se, sot do ja dalësh, edhe do luash me të, pa u djersitur, pa punuar shumë, sepse do jashtëzakonisht shumë punë teatri.

Cili është roli që ju ka mbetur në kujtesë, edhe që një ditë do donit t’i riktheheshit sërish?

Kur isha student kam luajtur me Barjam Dostin, “Don Kishotin dhe Sançon”. Edhe pse asokohe na kanë lavdëruar shumë, ato ishin punë shkolle që kanë mbetur ende brenda meje. Atëherë ne ishim të vegjël, por unë jam i pangopur më të, aq sa do të doja që ta luaja sërish.

Me çfarë jeni marrë përgjatë kësaj kohe në Greqi?

Në Greqi vitet e fundit siç dihet situata ka qenë keq. Unë kam bërë disa reklama, kam bërë disa filma me metrazh të shkurtër, pak teatër edhe asgjë më tepër. Greqia sot është në një moment mbijetese, për të gjithë, për grekët edhe për të huajt.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama