Joshja dhe vëmendja për të tërhequr njerëzit që na rrethojnë është ndoshta edhe arsyeja kryesore se përse ata, e sidomos femrat i përdorin kaq shumë parfumet sot. Që nga Egjipti i lashtë, ku mendohet se lindi parfumi (për të nderuar Perënditë) e deri në shekullin e 17-18-të, kur Parisi u bë kryeqendra e modës në Evropë, industria e zhvillimit të këtij produkti mori një hov të paimagjinueshëm. Aktualisht, Franca është vendi më i njohur në botë ku prodhohen markat më të njohura të parfumeve si "Christian Dior", "Charles Jourdan", "Givenchy", "Chanel", "Yves St. Laurent" etj., duke e bërë këtë industri një hallkë shumë të rëndësishme në biznesin ndërkombëtar. Por megjithëse femrat dhe meshkujt e përdorin parfumin në çdo kohë dhe vend e pavend, dermatologët këshillojnë zonat e duhura se ku duhet vendosur ai, në këtë stinë të nxehtë dhe shumë delikate për lëkurën. Kështu me dëshirën për diell, det dhe ajër të pastër, lind edhe dëshira për t‘i kushtuar trupit më shumë përkujdesje. Netët e nxehta, trupat e nxirë dhe veshjet ekstravagante të zgjojnë pasionin për ta përkëdhelur trupin me aroma të këndshme dhe joshëse. Por pavarësisht dëshirave, është e rëndësishme të frenohemi, duke menduar për rrezikun që mund të shkaktojnë, duke e hedhur atë në vendet më pak të përshtatshme. Dihet që vera është edhe stina më delikate për lëkurën, ndaj hedhja e parfumit në këto zona delikate dhe ekspozimi ndaj rrezeve të diellit mund të shkaktojnë reaksione nga më të ndryshmet. Për shumë njerëz, vendi i preferuar për ta vendosur atë janë kyçet e dorës, edhe pse pas larjes së duarve, apo futjes në det, aroma mund të zhduket lehtë. Atëherë lind pyetja se ç‘duhet të bëjmë për të pasur një aromë që zgjat për shumë kohë në trup, ku duhet ta vendosim? Është fare e thjeshtë. Mjafton ta hedhim parfumin në zona të tjera për të shmangur që aroma të largohet dhe të bëhet e pandjeshme. Megjithatë, edhe në këtë rast, nuk është kaq e thjeshtë, sepse pasi kemi zgjedhur vendin na duhet të zgjedhim edhe parfumin, ku zakonisht preferohen aroma shumë të lehta që parfumojnë lëkurën dhe veshjet të cilat garantojnë një efekt hidratues dhe zbutës. Nja arsye tjetër për të shmangur mbidozat e parfumit është homogjeniteti dhe ruajtja e ngjyrës së plazhit. Alkooli që përmbajnë parfumet në fakt e bën lëkurën më të ndjeshme ndaj diellit ndaj për këtë arsye është shumë mirë që të përdorim parfume që nuk përmbajnë alkool. Zakonisht, ata nuk përmbajnë substanca fotosensibilizuese, të cilat të ekspozuara në dritë të fortë mund të shkaktojnë acarime dhe djegie, por edhe mund të njollosin lëkurën, pikërisht në vendet ku është hedhur. Ja disa nga vendet më të rëndësishme që mjekët këshillojnë për të vendosur parfumet.
Lëkura
Zakonisht pas dushit, kur lëkura është shpëlarë me ujë të ngrohtë dhe poret janë hapur, është mirë që të hidhet parfum. Një lëkurë në këtë gjendje garanton një qëndrueshmëri më të lartë të aromës së tij. Dermatologët theksojnë edhe se përdorimi i parfumeve apo produkteve të tjerë aromatike gjatë ciklit menstrual dhe femrave që vuajnë nga migrena duhet shmangur patjetër, pasi ky çon drejt dhimbjeve të forta të kokës. Sipas tyre, nëse hidhet mbi lëkurë parfumi mund të provokojë mbi lëkurë disa irritime të lehta. Kjo ndodh nëse ke një epidermë shumë të ndjeshme. Më të shpeshta në fakt janë njollat që shkaktohen nëse pasi ke hedhur parfum bën banjo dielli ose një seancë solari". "Kur ndiejmë një parfum, miliona receptorë të qelizave të aparatit të nuhatjes transmetojnë impulset e tyre në tru, i cili i interpreton dhe vendos se cilat aroma na pëlqejnë",- shpjegojnë dermatologët. "Por hapësira ndërmjet një stimuli të thjeshtë dhe dhembjes është shumë e ngushtë dhe mjafton pak për ta kapërcyer. Kjo ndodh për shembull, kur një aromë është shumë e fortë, ose nëse nuhaten shumë parfume njëri pas tjetrit. Atëherë ndodh të provokohen dhimbje koke, deri në të vjella. Në të kundërt, nëse përdoren në sasinë e duhur, disa esenca kanë aftësinë të largojnë migrenën. Ndër këto, livanda, mentja dhe trëndafili". Si përfundim mos harroni, se edhe pse parfumi është një element më shumë për të theksuar elegancën, asnjëherë nuk duhet vendosur në faqe, ballë apo mbi veshje pavarësisht mbrëmjeve speciale për ku jeni nisur.
Pas veshit
Lëkura është shumë e hollë në këtë pjesë të trupit dhe përshkohet nga shumë kapilarë sipërfaqësorë, kështu që edhe temperatura duke qenë më e lartë se në pika të tjera të trupit, garanton qëndrueshmërinë aromës. Parfumi duhet të hidhet në lartësinë e lobit, aty ku mbaron kocka dhe fillon bulëza.
Pas gjunjëve
Për femrat që dëshirojnë ta mbulojnë të gjithë trupin me parfum është e rëndësishme të dinë se pas gjunjëve, lëkura është më e butë. Edhe këtu prania e një numri të madh kapilarësh gjaku, i jep lëkurës temperaturën e duhur për të përthithur esencën e parfumit. Por pikërisht se është e ndjeshme, lëkura e kësaj zone preferon parfumet delikate. Ideale, sepse janë të lehta dhe më pak agresive,deodorandet apo kolonjat pa alkool dhe vajrat esencialë aromatikë që janë delikatë dhe përshtaten me natyrën e kësaj pjesë të lëkurës.
Në qafë
Vendi i preferuar për vendosjen e parfumit është edhe pjesa poshtë qafës. Hedhja e disa pikave në qafë bën pjesë tek zgjedhjet shumë të mira. Aty ajrimi i lëkurës është shumë i madh, ndërsa qarkullimi i gjakut sipërfaqësor, cilësi këto që garantojnë qëndrueshmëri më të madhe të parfumit. Dermatologët këshillojnë që ai të vendoset atu ku mbarojnë flokët, pasi esencat e parfumuara i thajnë flokët dhe i dobësojnë shumë fibrat
Në shpinë
Është një pjesë e rëndësishme dhe strategjike për të hedhur parfumin, sidomos gjatë verës, kur vishen fustane ekstravagante dhe dekolte, që zbulojnë shumë pjesë të trupit. Femrat që zakonisht përdorin parfume të cilat përmbajnë shumë alkool duhet të sprucojnë në shpinë mes shpatullave, ku aroma reziston më tepër. Ndërsa parfumet me aromë më të lehtë mund të aplikohen në fund të kurrizit poshtë pa shkaktuar acarimin e lëkurës
Në gjoks
Në këtë zonë nuk janë shumë të këshillueshme parfumet me përqendrime të mëdha vajrash esencialë dhe alkoolesh, pasi ajo është shumë delikate për të shkaktuar alergji. Do të ishte mirë që të hidhnit disa pika parfumi në mes të gjoksit, por pa e ekzagjeruar. Mirë do të ishte të përdornit flagranca të thata, apo aroma shumë të lehta.
Marre nga : Gazeta Shqip











