Flet azilkerkuesi Ne kamp ziheshim per buke

Flet azilkerkuesi: 'Ne kamp ziheshim per buke'

Eglis Rakipi, një nga shumë personat e kthyer nga Gjermania pak ditë më parë, rrëfen të gjithë peripecitë e qëndrimit të tij në kampin e azilit të Dresdenit. I zhgënjyer, 25-vjeçari nuk e dinte se çfarë e priste në vendin më të fuqishëm të Europës. I nisur nga qyteti i Cërrikut, në fillim të janarit, i riu ndjehet i mashtruar nga sekserët që i premtuan se do të fitonte azil në Gjermani, ngaqë zotëronte një profesion. “Ti e fiton azilin se je xhenerik, mjafton të kesh një profesion dhe është e sigurt që e merr azilin”, i kishte thënë Rakipit njëri nga sekserët. Me këto fjalë, 25-vjeçari mori iniciativën për të kërkuar azil në Gjermani. Rruga deri në Dresden ishte shumë e gjatë për Eglisin, të cilit iu deshën plot 5 ditë. Ndryshe nga itineraret e tjera, i riu zgjodhi rrugën më të gjatë për të mbërritur në destinacion.

“Kisha frika të shkoja me avion në Gjermani se do më kërkonin në aeroport vendqëndrimin dhe para xhepi dhe unë nuk ki- sha asnjërën nga këto të dyja. Kështu që zgjodha rrugën më të gjatë dhe më pak të kushtueshme, siç ishte ajo me autobus”, thekson Eglisi. Më tej ai shton se, kushtet brenda kampit ishin shumë të këqija dhe personeli i trajtonte azilantët sikur të ishim robër lufte. “Shanset janë zero për të fituar azilin në Gjermani dhe shpresa e vetme është lindja e një fëmijë në territorin e shtetit gjerman”, thotë ai, duke shtuar se shumë gra azilante kanë mbetur shtatzëna gjatë kohës që ishin në pritje të një përgjigje nga autoritet gjermane, sepse mendojnë se fëmija mund të fitojë nënshtetësi gjermane dhe në këtë mënyrë mund të fitojnë edhe prindërit e tyre qëndrimin atje.

Kur u nisët për në Gjermani për të kërkuar azil?

Unë jam nisur më 7 janar të këtij viti dhe rruga ka qenë shumë e gjatë, afërsisht 5 ditë, ndërsa kam paguar 550 euro. Udhëtimin e bëra me autobusin e linjës Tiranë-Athinë. Më pas hipa në traget për të shkuar në Itali dhe destinacioni final ishte Gjermania. Kisha parë në televizor se të gjithë po shkonin në Gjermani për të kërkuar azil. Ndërkohë, disa nga miqtë e mi kishin shkuar disa muaj para meje atje dhe nuk po ktheheshin. Kështu edhe unë nuk kisha pse të qëndroja në një qytet ku nuk ka mundësi punësimi.

Si ishin kushtet brenda kampit të azilit në Dresden?

Katastrofë! Me një dyshek flinin dy veta. Numri i njerëzit që ndodheshin brenda kampit ishte trefishi i kapacitetit të kampit. Çdo natë kishte incidente për ushqim, ndërmjet shqiptarëve dhe sirianëve. Unë shkoja jashtë kampit për të blerë bukë dhe gjëra të tjera të domosdoshme.

Çfarë dokumentesh kërkohen për t’u pranuar në kampet e azilantëve?

Unë për vete dorëzova vetëm pasaportën dhe i thashë që dua azil ekonomik, sepse nuk ka punë në Shqipëri. Më regjistruan dhe më morën të gjitha të dhënat e mia personale, teksa më thanë: “Do ta shikojmë kërkesën tënde”, duke më lënë në listë pritje. Kisha shpresë se do ta fitoja azilin nga që isha xhenerik dhe në Shqipëri më patën thënë se, po të kesh një profesion, gjermani nuk të kthen, por t’i bën letrat.

Si komunikonit me autoritetet gjermane?

Shumica e azilantëve nuk dinin gjuhë të huaja, ose dinin shumë pak. Autoritetet gjermane, kur vinin për të na takuar, kishin edhe një përkthyes me vete. Kishte përkthyes për çdo kombësi që kërkonte azil. Pavarësisht sa flisnim ne, përkthyesi thoshte vetëm dy fjalë dhe na merrte pasaportat. Kaq!

Pse u ktheve në atdhe kur mund të bëjë letrat për azil?

Kuptova se, shanset për të fituar azil në Gjermani janë zero! Këtë e them me bindje të plotë. Të vetmit që mund të shpresojnë janë ata prindër që kanë lindur fëmijë gjatë kohës që ishin në kampe. Kështu ka vepruar edhe një miku im, Elsid Idrizi, i cili ndodhet së bashku me bashkëshorten e tij në kamp dhe ajo është në muajin e 8-të të shtatzënisë .

Elsidi nuk do kthehet në Shqipëri?

Jo, sepse gruaja e tij do të lindë në shtator dhe autoritet e kampit e kanë larguar nga aty dhe e kanë vendosur në një shtëpi private afër qendrës së Dresdenit. Këtë shembull po e ndjekin shumë njerëz brenda kampit, por mua më duket e kotë. Ne, gjermani nuk na bën letra, sepse jemi popull mysliman. Kjo është e gjitha!

Azilkërkues

Të mbetesh shtatzënë për të fituar azilin në Gjermani

Shumë shqiptarë të cilët kanë shkuar në Gjermani për të kërkuar azil, po ndjekin një metodë të padëgjuar më parë. Elsid Idrizi, shpreson të fitojë azil në shtetin gjerman në një mënyrë tjetër, duke lindur një fëmijë atje. Sipas Elsidit, nëse lind një fëmijë në territorin gjerman, atëherë mund të kesh mundësi për të marrë dokumente, sepse fëmija mund të fitojë nënshtetësinë gjermane. Kjo është një nga shumë mënyrat që po ndjekin shqiptarët për të fituar statusit e azilatit. Kujdesi i autoriteteve gjermane është më i madh, për familjet që kanë një grua shtatzënë. Ato familje largohen nga kampi dhe u krijohen kushte më të mira qëndrimi dhe ushqimi. Gratë shtatzëna marrin falas edhe asistencën shëndetsore, duke bërë kontrolle periodike te mjeku dhe duke marrë po falas vitaminat e nevojshme gjatë kohës së shtatzënisë.

Gjermania, stimulim për kthimin vullnetar, 600 euro për person

Azilkërkuesit shqiptarë janë kthyer në një shqetësim shumë të madh për autoritetet gjermane dhe përballë këtij fluksi qarku i Loerrach, pjesë e landit jugor të Baden Vutemberg, kërkon që të largojë refugjatët, duke i stimuluar ata financiarisht. Autoritetet e zonës kanë vendosur që një familjeje prej 3 personash t’i jepet shifra deri në 1.858 euro, me qëllim që këta të fundit të përballojnë koston e biletës për t’u kthyer në vendin e origjinës. Oferta vlen veçanërisht për azilkërkuesit nga Ballkani, ku përfshihen edhe shqiptarët. Kjo, pasi autoritetet thonë se gjasat më të mëdha janë që këta të kthehen në vendet e tyre, sepse nuk kanë asnjë perspektivë për të marrë një leje të përhershme qëndrimi në Gjermani.

Ende nuk është e qartë sesi funksionon skema, e cila parandalon abuzimet që mund të ndodhin me këtë shpërblim, pasi mund të ketë nga ata persona, që marrin paratë, por nuk largohen nga Gjermania, duke gjetur hapësira për të punuar në mënyrë të jashtëligjshme. Ndihmë financiare do t’u jepet pikërisht atyre refugjatëve, që e tërheqin vullnetarisht kërkesën e tyre për azil. Nga ana tjetër, edhe pse azilantët kanë marrë paratë nga autoritet gjermane për të ikur nga kampet, shumica e tyre nuk kanë përdorur fluturimet ajrore, por linjat e autobusëve, pasi biletat kushtojnë shumë herë më lirë. Qarku i Loerrach-ut deri më tani mendohet se ka shpenzuar rreth 65 mijë euro për të realizuar këtë program kthimi dhe autoritetet e kanë cilësuar si një sukses të tyre në kuadër të masave, që janë duke marrë për të zgjidhur kaosin me kërkesat e shumta të azilkërkuesve.

Madje ata kërkojnë që ta kthejnë në një model, edhe për qarqe të tjera, që kanë problem shumë shqetësues fluksin e emigrantëve. Por ka edhe skeptikë për këtë nismë, pasi ata e cilësojnë dhënien e parave si një mundësi, që do të shfrytëzohet nga shumë refugjatë të tjerë. Një pjesë e mirë e atyre, që janë nisur drejt Gjermanisë nga Shqipëria apo Kosova, kanë shitur gjithçka kanë pasur dhe kanë paguar shuma të mëdha, me shpresën se do të fitojnë azilin. Gjermania po ndjek të njëjtën rrugë si Holanda, e cila për të frenuar numrin gjithnjë e në rritje të azilkërkuesve ka miratuar në Parlamentin e saj një ligj që iu jep para, çdo azilante që largim nga territori vullnetarisht. Vetëm gjatë vitit 2015, afërsisht 30 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimi Europian. Gjermania është shteti, i cili është prekur më shumë nga fluksi i azilantëve ballkanikë dhe për këtë arsye, një nga mënyrat për të ulur numrin është dhënia e parave për t’u larguar nga kampet e azilit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama