Uji me i rendesishem se nafta - Mungesa e ujit te pijshem problem jetik per njerezimin

Uji më i rëndësishëm se nafta - Mungesa e ujit të pijshëm problem jetik për njerëzimin

Para rreth shtatë vjetësh, në shtator të vitit 2000, 189 vendet anëtare të OKB-së miratuan një katalog me qëllimet e tyre për mijëvjeçarin e ri. Njëri prej tyre ishte që brenda 15 viteve të ardhshme të reduktohet me 50 përqind numri i njerëzve që nuk kanë akses në rrjetin e furnizimit me ujë të pishëm.

Tani kur ka kaluar thuajse gjysma e kësaj kohe duket se bashkësia ndërkombëtare nuk i ka arritur këto qëllime, sidomos në Afrikë.

'Në rast se u hedhim një vështrim shifrave konstatojmë se shumë vende të Azisë po i plotësojnë qëllimet e vëna të deklaratën e OKB-së për mijëvjeçarin. Por në rast se hedhim një vështrim në të dhënat për Afrikën, atëhere shohim se punët nuk janë mirë, dhe këtu bëhet fjalë për 80% të shteteve afrikane.' - thotë Manfred Mac (Manfred Matz), inxhinier i hidrologjisë pranë Institutit  ndërkombëtar të hidrologjisë në Stokholm.

Shumë investime në rrjetin e furnizimit me ujë kanë shkuar kot, sqaron Mac. Kjo sipas tij ka shkaqe të ndyrshme. Njëri prej tyre është mungesa e remontit dhe përkujdesjes për rrjetin hidraulik. Nga ana tjetër ka shumë raste kur donatorët kanë vënë në dispozicion paratë për shtrimin e rrjetit për furnizimin me ujë, por pas kësaj qeveritë e këtij apo atij shteti nuk kanë vënë në dispozicion para për t'i vënë në shfrytëzim rrjetet e ujësjellësve.

Në konferencën e Stokholmit marrin pjesë rreth 2.000 pjesëmarrës nga mbi 100 vende të botës që prezantojnë projektet dhe idetë e tyre.

Uji është më i rëndësishëm se nafta dhe në Lindjen e Mesme mund të shpërthejë edhe ndonjë luftë për këtë lëndë të rrallë, prognostikon
Manfred Mac, i cili ka drejtuar mjaft projekte për ujin e pishëm në shumë vende të botës. Ai tregon se disa vende, si p.sh. Jordania, janë duke shfrytëzuar rëndë natyrën për të siguruar ujë të pishëm:

'Në Jordani janë instaluar në shkretëtirë tubacione dhe pompa që thithin ujin e një liqeni nëntokësor duke e shterruar atë. E qartë është se në kushtet e sotme klimatike, ky liqen nuk mund të mbushet më kurrë."

Një nga detyrat e së ardhmes është gjetja e alternativave për zgjidhjen e problemeve të tilla:

'Ne duhet të mendojnë për mundësinë e transferimit të ujit, sipas modelit të sotëm në Spanjë. Aty po planifikohet ngritja e një sistemi të madh furnizimi me ujë nga veriu i Spanjës në jug të vendin, sepse jugu ka mungesë uji."

Në forumin e ujit në Stokholm do të dorëzohet të enjten (16.08) edhe çmimi botëror për ujin, i cili shoqërohet me 120.000 euro. Këtë vit me këtë çmim nderohet amerikani Perri Mek Karti (Perry Mc Carthy), i cili ka zhvilluar një metodë për pastrimin dhe riciklimin e ujërave të ndotura me kimikate. Çmimin do ta dorëzojë vetë mbreti i Suedisë Karl Gustaf. Prania e oborrit mbretëror, thotë Shtefani Venkert (Stephanie Wenkert) është një vlerësim edhe për këtë forum, qëllimi kryesor i të cilit është që t'i bëjë të qartë opionit të gjërë se sa i vlefshëm është uji:

'Unë do të dëshiroja që ne ta fshinim nga kujtesa fjalinë: "S'dua gjë, vetëm ujë" dhe të themi me krenari: "Unë pi ujë!":


 Marre nga : DW-Word


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama