Ardit Gjoklaj punonte bashke me vellane ne landfillin e Sharres

Ardit Gjoklaj punonte bashke me vellane ne landfillin e Sharres

Refuzohet lirimi i dy të arrestuarve për ngjarjen e ndodhur në zonën e landfillit në Sharrë, ku u gjet i vdekur 17-vjeçari Ardit Gjoklaj. Seanca u zhvillua ditën e djeshme në gjykatën e Apelit Tiranë, ku relatorja e çështjes, Zeqine Sollaku vendosi të mos i ndryshojë masën e sigurisë “Arrest me burg” dy të dyshuarve, Edmond Kollari dhe Dëfrim Hakrama. I pari që doli para gjykatës ishte shoferi i ekskavatorit, Edmond Kollari, i dyshuari kryesor për vrasjen nga pakujdesia të 17-vjeçarit Gjoklaj.

Ai kërkoi para gjyqtarëve të lirohet nga burgu, pasi ende nuk ka një provë konkrete që provon se nga fadroma ku ai ishte shofer ka gjetur vdekjen 17-vjeçari. Edhe avokatët kërkuan caktimin e një mase më të butë sigurie për Kollarin, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes. Kërkesë kjo që u kundërshtua nga prokuroria. Më pas seanca gjyqësore vazhdoi me të akuzuarin Dëfrim Hakrama, që mbante detyrën e përgjegjësit të turnit natën kur ndodhi ngjarja. Ai i kërkoi gjyqtarëve që të lirohet, për shkak të problemeve shëndetësore, duke thënë se do të jetë i gatshëm të ndihmoj prokurorinë deri në përfundim të hetimeve.

Dëfrim Hakrama e ka dëshmuar para hetuesve gjithçka që dinte dhe ka ndodhur brenda landfillit të Sharrës natën e ngjarjes. Po me të njëjtin arsyetim, kërkuan lirimin e tij nga burgu edhe avokatët. Por që u kundërshtua nga prokurori që kërkoi që të dyshuarit të vazhdojnë qëndrimin në burg, deri në përfundim të hetimeve. Kërkesë kjo që u pranua nga gjykata e Apelit në Tiranë. Dëshmia e përgjegjësit Për të zbardhur sa më shpejt ngjarjen, prokuroria ka marrë dëshminë e plotë të të pandehurit Dëfrim Hakrama, i cili ka treguar se Ardit Gjoklaj, 17-vjeçari, që gjeti vdekjen në landifill ka qenë i punësuar në të zezë nga kompania “3R”, që administrohej nga personi i shpallur në kërkim, Edurim Teqja.

Në prani të avokatit të tij, përgjegjësi i turnit të mbrëmjes kur ndodhi ngjarja, Dëfrim Hakrama, ka deklaruar para prokurorit Julian Zonja se si ishte i punësuar 17-vjeçari dhe në cilin sektor punonte. Ai ka treguar me detaje se kishte mbi 40 ditë që i riu shkonte në landfill dhe punonte në selektimin e mbeturinave. Në disa raste ka thënë Hakrama, në landfill punonte edhe vëllai i viktimës, i cili ishte rreth 15 vjeç. Natën kur ndodhi ngjarja e rëndë, përgjegjësi i turnit është shprehur se Ardit Gjoklaj ka qenë në punë së bashku me 20 punëtorë të tjerë. “Ai ka qenë prezent kur është bërë apeli dhe caktimi i vendeve të punë, kohë kur është marrë edhe turni nga punonjësit”, është shprehur Hakrama. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, sipas përgjegjësit të turnit është bërë pushim, pasi po binte shi.

Pas pushimit, rreth orës 03:30 minuta janë caktuar vendet e tjera të punës dhe që nga ai moment, asnjë nga punëtorët nuk e mban mend vendin ku e kanë parë për herë të fundit të riun që u gjet i vdekur disa orë më pas i mbuluar nga mbeturinat. Ndërkohë, burime nga prokuroria bëjnë me dije se këtë version kanë dhënë edhe katër dëshmitarë të tjerë, me të cilët 17-vjeçari Gjoklaj ka qenë në grupin e punës për selektimin e mbeturinave. Gjithashtu, për punësimin e tij brenda landfillit e ka pranuar edhe një nga rojet e rrethimit të jashtëm të vend grumbullimit të mbeturinave.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama