Skulptori qe ekspozon per Renato Zeron

Skulptori që ekspozon për Renato Zeron

Çdo gjë vërtetohet më së miri, është president i shoqatës “Fonopoli”, e cila së shpejti do të organizojë një ekspozitë kolektive me temën “ULISE”, në të cilën do të marrë pjesë edhe skulptori shqiptar nga Shkodra, i cili prej vitesh jeton në Itali, Genti Tavanxhiu. Është një ekspozitë e rëndësisë së veçantë që organizohet në Romë dhe për këtë artisti shqiptar ka përzgjedhur punën e tij të realizuar në gurë dhe me lartësi 20 centimetra “Pesha e kthimit”. “Është një punë e realizuar me mjaft kujdes dhe pjesëmarrja në këtë ekspozitë është me interes, pasi marrin pjesë artistë të njohur italianë”, shprehet skulptori, i cili sapo është kthyer nga një simpozium skulpture i realizuar në qytetin e Chiesa di Valmalencos në veri të Italisë. “Ishim pesë artistë, katër prej tyre italianë dhe unë, ku për një javë krijuam punime në gur serpentin, gur i cili ishte hera e parë që përdorej për të krijuar një vepër arti, pasi në këtë zonë ky gur përdoret për të bërë çatitë e shtëpive. Në këtë simpozium realizova skulpturën me titull “Sigillo” në një gur me bazë 3 X 2.5 m”, shprehet Tavanxhiu.

Këto pesë punime, sipas tij, të krijuara në këtë simpozium, do të vendosen në sheshet e qytetit të Valmalencos, për të treguar vlerat e gurit si dhe të artistëve që në një javë kohë krijuan punime të bukura. Por pas suksesit të një viti më parë, me punimin e tij në mermer “Etrusket”, artisti Genti Tavanxhiu është ftuar sërish të marrë pjesë në ekspozitën e XXXIV të artit në qytetin e Sulmones. Ai do të marrë pjesë në muajin shtator me punimin e tij në dru me titull “Pasion”, me bazë 50 cm. Në këtë rasenjë arti, artistët janë të ftuar nga një grup kritikësh të njohur në Itali si: Renato Civello, Ivo Bonitatibus, Giorgio di Genova, Giorgio Segato, e ku presidenti i jurisë është Vittorio Sgarbi. Kjo ekspozitë do të rrijë e hapur për publikun nga data 8 deri më 29 shtator 2007.

Punimet e artistit shqiptar Genti Tavanxhiu, sot mund të shihen në vende të ndryshme të botës, si në Rumani, Itali, Kinë, Japoni,  Gjermani, Zvicër, Spanjë, Francë, USA etj. Ndërsa ky vit dhe viti i ardhshëm për Tavanxhiun janë më të suksesshmet. Para pak kohësh ka marrë pjesë në një ekspozitë kolektive në Kinë, me rastin e Lojërave Olimpike 2008, ku pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm do të jetë dhe një vepër e tij dhe është pikërisht skulptura e tij me titull “Shpirti olimpik” (skulpturë e realizuar nga artisti në gur travertino dhe e riprodhuar nga kinezët në 3 kopje në alumin të kromuar), e cila deri tani ka bërë xhiron e shumë qyteteve kineze si në Beijing, Xiamen, Langzhou, Hong Kong, Macao, Guangzhou, Tianjin. Kjo ekspozitë kolektive e skulpturës do të vazhdojë rrugën e saj, duke shëtitur nëpër qytete të tjera të Kinës deri në vitin 2008, ku do të ketë mbylljen e saj në qytetin e Pekinit dhe skulpturat do të jenë të vendosura rreth e rrotull parkut, ku do të zhvillohen lojërat olimpike.

Anila Mema : Gazeta Panorama

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama