Video dhe fotografia si element skenografik

Video dhe fotografia si element skenografik

Aplikimi i videos dhe i fotografisë për skenografinë skenike ka bërë të mundur një rikonceptim në ndërtimin e një skene duke e bërë atë më impresive për publikun, pasi krijon mundësi të pafund shprehëse nëpërmjet pamjes si dhe krijon dimensione të reja të skenave. Por si arrihet kjo?

Ajo çfarë i duhet një skenografi për realizimin e një skenografie me pamje të ndërthurur në të, është një Laptop me Adobe Photoshop/Digital Media Server, një videoprojektor i cilësisë së lartë (6500 Ansilumen minimumi) dhe një ekran videoprojeksioni. Me anë të këtyre pajisjeve është e mundur ndërtimi i pamjeve video në ekran ose në objekte të ndryshme (projeksion arkitektural). Cilësia e lartë e pamjeve (fotografi digitale/Video) dhe cilësia e lartë e projeksionit janë shumë të domosdoshëm.

Piksëpari është e nevojshme të dihet se videoprojeksioni është një burim drite që në ndryshim nga pajisje të tjera të jep mundësinë të pikturosh duke shfrytëzuar dritën. Me projeksionin ne mund të krijojmë forma pamjesh me të cilat publiku nuk është dhe aq familjar si psh fotografi 14 m ose më shumë gjerësi ose ekrane panoramik që të lënë një përshtypje të madhe.

Një element tjetër që duhet marrë në konsideratë është faktori kohë dhe kosto. Puna me videoprojeksionet i jep mundësinë skenografit të bëjë një sasi të madhe të punës së tij në kompjuter dhe përshtatja e figurave që do të projektohen në skenë bëhet më e thjeshtë dhe më e shpejtë duke kursyer kështu kohë në shfrytëzimin e skenës. Shumë kosto aktivitetesh shtohen nga zënia e skenës për një kohë të gjatë pikërisht për arsye të ndërtimit të skenografisë.

Kostoja e përdorimit të videoprojeksioneve në shumë raste është më e lirë se printimi i banerave të dimensioneve të njëjta (psh 10x12m) pa folur këtu për efektin në publik që ka videoprojeksioni.

Kjo formë e re skenografike është relativisht e re dhe në Shqipëri ka hyrë në 2 vitet fundit ku sidomos në 2007 ka pasur një impakt të madh. Një ndër institucionet artistike ku kjo formë është aplikuar me sukses është Teatri i Operës dhe Baletit ku disa vepra si Carmen, Aida, apo baleti "Lumi i vdekur" kanë shfrytëzuar videoprojeksionin si elemente skenografike. Gjithashtu në shumë koncerte si Top Fest, Mikrofoni i Artë, Festivali RTSH-së, etj, videoja prej kohësh po luan një rol të madh.

Ajo që është me rëndësi është se kjo formë arti i jep akses hyrjes së figurës në lëvizje në Teater, Koncerte dhe Opera. Çdo artist, skenograf apo regjisor duhet të ketë parasysh se publiku sot nga ana vizive është më i kultivuar, mjafton të përmendim që edhe celularët kanë kamera dhe mund të shikohet televizor kështu që në një vepër teatrale apo muzikore kërkohet i njëjti standard viziv. Është shumë e rëndësishme që skenografët profesionistë si dhe skenografët e rinj të familjarizohen me këtë formë të re që ka pushtuar skenat në të gjithë botën.

Autori është realizues teknik për videoprojeksionet

Florian Çanga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama