Në Rusi, këto ditë, po zbulohet një tragjedi e cila ka zgjatur për vite me radhë, e që ka shkaktuar dhjetëra të vdekur. Bëhet fjalë për gjyqin e zhvilluar dy ditë më parë të njeriut që tashmë njihet si maniaku i shahut. Aleksandër Piçushkin ishte arrestuar 18 qershorin e vitit të shkuar në Moskë, nën akuzën se kishte vrarë një koleg, duke e goditur me çekiç. Vetëm pas seancash të stërzgjatura marrjesh në pyetje nga inspektori i policisë Iskandar Galimov, të filmuara e të transmetuara në kanalin rus "Ntv", dy javë më parë Piçushkin pranoi të rrëfehej.
Nuk kishte vrarë vetëm kolegun, por është pikërisht ai maniaku i Bitsevskit, një park me pemë në Moskë, ku gjatë 15 viteve të fundit janë vrarë me të njëjtën mënyrë, falë goditjeve me çekiç, edhe 62 viktima të tjera. Vrasësi ka pranuar gjithashtu se donte të arrinte kuotën 64, aq sa janë edhe kuadratet e shahut.
Dhe duket se Piçushkin, përveç vodkës, është i fiksuar edhe pas lojës së shahut. Në vendin e shahistëve më të mëdhenj të botës, duket më se normale që dikush me mendje të sëmurë mund të rritej me idenë për ta kthyer këtë lojë intelektuale e të qetë, siç është shahu, në një sfidë vdekjeprurëse dhe njëherësh në lojë me forcat e rendit. Gjatë marrjes në pyetje, inspektori Iskandar Galimov ia doli ta thyente rezistencën e Piçushkinit, duke e provokuar vazhdimisht, deri në çastin që krimineli u dorëzua, duke rrëfyer gjithçka.
"Përse e vrave zonjën Moskaleva, kolegen tënde? Mos ndoshta të refuzoi"? Në filmim vërehej Piçushki i palëvizshëm në karrige: "Jo, unë..."
"Pranoje, të pëlqejnë gratë me moshë të madhe. Ky nuk është krim. E çove në pyll, ajo të refuzoi dhe ti ia dërrmove kokën me çekiç. Je veç një i degjeneruar i ndyrë, pranoje"!
"Jo!", bërtet Piçushkin, duke u ngritur befas në këmbë, e duke rrëzuar njëherësh karrigen në dysheme. Dy agjentët pas krahëve të maniakut nxitojnë ta mbërthejnë, por Galimov u bën shenjë të mos e kapin. Nuk do që t‘i ndërpritet dialogu.
"Nuk është kështu! Gjërat nuk janë fare kështu", çirret edhe më Piçushkin. "Ashtu? Atëherë na i shpjego si janë gjërat", i thotë polici.
"Ju nuk keni kuptuar asgjë nga e gjitha kjo. Doni të vërtetën? Atëherë do t‘jua them të vërtetën. Po kërkoni maniakun e Bitsevskit? Epo mirë, ja tek e keni... përpara syve".
Piçushkinit i shkëlqejnë sytë teksa flet. "Unë", përsërit duke drejtuar gishtin nga vetja. "Marina ishte veç një ndër të shumtët. Nuk kishte asnjë lloj rëndësie për mua. Ishte veç figura e një loje më të madhe", dhe buzëqesh teksa e thotë këtë.
"Përse qesh?", e pyet Galimov. Piçushkin tund kokën. Ngre karrigen e rrëzuar nga dyshemeja dhe ulet përsëri. "Qesh sepse e prisja prej shumë kohësh këtë çast dhe tani që mbërriti ndihem shumë i lehtësuar". Galimov ruan qetësinë. I nevojiten më shumë fakte e të dhëna mbi këtë rrëfim tronditës. "Ku e ke fjalën kur thua lojë më e madhe"?
Piçushkin përgjigjet me një tjetër pyetje: "E dini prej sa kohësh e bëjë këtë lloj jete? Që nga viti 1992. E bëj këtë që prej 15 vjetësh. Atë vit vrava një shok shkolle. Nuk ndjeva asgjë. E pas kësaj vazhdova. Zgjidhja sidomos njerëz të moshuar, burra e gra. Këta janë më të dobëtit. Rreth njëzet prej tyre i njihja që më parë. Të tjerët i takoja rastësisht në park. U ofroja një gllënjkë vodkë. Nisnim të bisedonim dhe kur as që e prisnin... Bam! I goditja me çekiç pas koke. Pas duzinës së parë më erdhi ndër mend edhe plani madhor që duhej ta përmbushja patjetër: të vrisja një njeri për çdonjërën nga kuadratet e shahut, 64. Kasparovi është askush, do të isha kthyer në shahistin më të madh në botë".
"Ëndërronte t‘ia kalonte Çikatilos, duke hyrë kështu në histori", tha prokurori i Moskës Juri Sjomin, duke iu referuar Andrei Çikatilos, vrasësit më të njohur në Rusi, i cili u dënua në vitin 1992 për vrasjen dhe ngrënien e 52 njerëzve. Gjatë pyetjeve që iu bënë, Piçushkin tha se kishte vrarë 63 njerëz dhe se hiqte një kryq në kuadratet e kutisë së tij të shahut pas çdo vrasjeje. Plani për të mbushur me kryqe të 64 kuadratet dështoi përpara një viti, kur shkoi për një shëtitje në park me 36-vjeçaren Marina Moskaljova, një kolege të tijën. Detektivët e zbuluan trupin e saj më 14 qershor të vitit të shkuar. Në të gjetën dy të dhëna të rëndësishme: një biletë metroje dhe një copë letër ku qe shkruar numri i celularit të Puçishkinit. Kamerat e metrosë e kishin regjistruar viktimën në shoqërinë e Puçishkinit, gjë që solli edhe arrestimin e tij dy ditë më pas.
Por, me gjithë rrëfimin e vrasësit, ngrihen pikëpyetje të mëdha mbi numrin e vërtetë të vrasjeve dhe të gjendjes së tij mendore. Policia ka arritur të zbulojë vetëm 14 trupa. "Është hera e parë që në Moskë kemi të bëjmë me një rast të tillë. E kemi ngarkuar me 52 akuza për vrasje. Ai këmbëngul që janë 63, por nuk ka as trupa, as armë, as dëshmitarë, madje as raportime për njerëz të zhdukur", tha prokurori Sjomin.
Të afërmit e viktimave të dyshuara të Puçishkinit gjendeshin në gjykatë dy ditë më parë, kur njeriu, i cili nga shtypi rus tashmë identifikohet se maniaku i Bitsevskit, u shfaq për herë të parë në publik në seancën e para dëgjimit. Gjykimi i tij do nisë më 13 shtator.
"U duhet dorëzuar njerëzve që ta dënojnë vetë, në vend që të jetojë në burg me shpenzimet tona", tha për televizionin "Rusia Sot", Tamara Klimova, bashkëshorti i së cilës është zhdukur pesë vite më parë.
E ëma e Puçishkinit, në një intervistë, ka thënë se devijimi i të birit filloi pas një goditjeje të fortë që kishte marrë në kokë në moshën katërvjeçare.
Marre nga : Gazeta Shqip











