Ishte pak më shumë se tridhjetëvjeçar kur kishte kaluar ato rrezatime radioaktive për të dokumentuar tmerrin më të madh luftënxitës të historisë. Ky ishte takimi i parë me vdekjen që do ta merrte në moshën 85-vjeçare. Joe O'Donnell, njeriu që fotografoi pasojat e bormbardimit atomik në Hiroshima dhe Nagasaki në gusht 1945, nuk jeton më.
Sipas disa gazetave japoneze, të vetmet që shprehën ngushëllime për humbjen, O'Donnell, shëndeti i të cilit u trondit për shkak të ekspozimit ndaj rrezatimeve radioaktive në dy qytetet japoneze, vdiq të premten e kaluar në një spital të Nashvilit.
I martuar me një fotografe japoneze, Kimiko Sakai, u vendos në Tenesi në moshën e pensionit, në 1968. Çifti kishte tre djem dhe një vajzë.
Kemi humbur kështu një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë, përveçse që nga viti 1949 e në vazhdim O'Donnell qe fotograf zyrtar i Shtëpisë së Bardhës për tre presidenca dhe për gjatë gjithë Luftës së Ftohtë.
Hiroshima u bombardua më 6 gusht 1945, pati 140 mijë të vdekur. Nagasaki do të shkatërrohej 3 ditë më pas dhe mbetën të vdekur 70 mijë. Ky ishte çmimi që Japonia duhej të paguante para se të jepej dhe të dorëzonte armët.
Joe O'Donnell kishte fotografuar ngjarjen një muaj pas shpërthimeve, në kohën që ishte me shërbim në Japoni si fotograf i marinave, në shtator 1945.
Ata që e njihnin mirë Xhonë (Joe) thonë që pasi kishte dëshmuar me fotot e tij gjithë sa kishte parë nga afër, nuk ishte më ai i pari. "Xho ishte njeri i këndshëm – kujton Anne Brown, kuratore e një ekspozite që i kushtohej fotografive të tij – por në të njëjtën kohë në vështrimin e tij kishte një trishtim të madh. Ka vuajtur shumë, dhe nuk fliste për këtë, i bindur që vuajtja e japonezëve do të ishte shumë më e thellë se e tija."
Një nga fotot që do të bëhej manifest i tmerrit është ajo e një fëmije nga Nagasaki, me vështrim të ngulët, që mban mbi shpinë kufomën e vëllait më të vogël që po e çon në varreza.
Foto të tjera me vlera historike, O'Donnell ka bërë shumë, meqë kishte funksionin e fotografit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë. Franklin Roosevelt bashkë me Stalinin dheWinston Churchill në Jaltë; shtrëngimi i famshëm i duarve në vitin 1950 ndërmjet presidentit Harry Truman dhe gjeneralit Douglas MacArthur; i vogli John John Kennedy që përshëndet ushtarakisht arkivolin e të atit, president i vrarë më 22 nëntor të vitit 1963, në Dallas, të Teksasit.
Dhe tani që O'Donnell nuk është më, janë japonezët më shumë se amerikanët që e nderojnë dëshmitarin e shekullit të njëzetë. Lajmi për vdekjen e tij do të jepej vetëm nga një gazetë lokale.
Marre nga : Gazeta Shekulli











