Engjej dhe djaj kupola qe fsheh sekretet e botes

Engjëj dhe djaj  kupola që fsheh sekretet e botës

Libri në fjalë ka një subjekt brilant, me karaktere që kanë thellësi. Tregon për intriga shpërthyese dhe që janë të befasueshme. Ndërkohë që përfundimi i librit është i papërfytyrueshëm. Ngjarjet në libër kanë një zhvillim kronologjik që hapa pas hapi të drejtojnë drejt misterit dhe të paimagjinueshmes. Përpara se të shpërthente te “Kodi i Da Vinçit”, simbologjisti me famë botërore i Harvardit, Robert Landgdoni, thirret nga një institut zviceran kërkimesh shkencore për të transkriptuar një simbol të lashtë, damkosur në gjoksin e një fizikanit të vrarë. Por ajo që zbulon Robert Langdoni i kalon kufijtë e imagjinatës. Ai zbulon një hakmarrje vrastare kundër Kishës Katolike, e i kryer nga një sekt qindravjeçar me emrin Të Përndriturit. I prirur nga dëshpërimi për të shpëtuar Vatikanin nga një armë e fuqishme shkatërrimi në masë, Langdoni bashkëpunon në Romë me një shkencëtare të bukur e misterioze e cila quhet Vitoria Vetrën.

Të dy së bashku, ata përfshihen nga një ngut i ankthshëm në një gjueti kriptash të damkosura, varresh misterioze, katedralesh të braktisura dhe kupolash, që fshehin sekretet e botës..... dhe të Rrugën e harruar prej kohësh tashmë atë Të Përndriturve. Autori e fillon tregimin në librin e tij me një parantezë. Në të thuhet se ky libër është një vepër fantazie. Personazhet dhe vendet e përmendura në libër janë të sajuara nga autori dhe kanë për qëllim ta bëjnë sa më të besueshëm këtë tregim. Çdo lloj ngjashmërie me fakte, vende dhe njerëz të gjallë apo të vdekur, është krejt e rastit. Ky libër që i përket letërsisë bashkëkohore amerikane duket se po sjell suksesin e librit të botuar edhe më parë i cili solli edhe shumë debate midis shumë studiuesve por ai edhe gjatë realizimit të filmit tregoi se ishte i suksesshëm. Por sipas autorit të librit tashmë kemi të bëjmë edhe me një fakt i cili servilet dhe mbart në vetvete shumë kuptime. Më e madhja qendër kërkimesh në botë, që quhet Conceil Europeen por la Recbercbe Nuucleaire ( CERN) në Gjenevë – kohët e fundit ia ka dalë të prodhojë ekzemplarët e parë të antimateries. Nga pikëpamja fizike, antimateria është krejt e njëllojtë me materien, me të vetmet ndryshim që pjesëzat që e përbëjnë kanë tipare të kundërta : p.sh. Një proton ka ngarkesë pozitive, një antiproton ka ngarkesë negative dhe pikërisht kur këto të dyja ndeshen midis tyre tërë masa e tyre shndërrohet në energji. Kjo do të thotë se është e mundur të çlirohet një sasi e stërmadhe energjie pa prodhuar ndotës kimikë apo radioaktivë. Mjafton një sasi e vogël antimaterieje për ta furnizuar me energji Nju Jorkun. Por antimateria ka edhe një të metë është tejet e paqëndrueshme. Nga kontakti i një grami të antimaterias me një gram të materia, çlirohet po aq energji sa ajo e bombës atomike në Hiroshima.

Deri pak kohësh ishte pamundur të prodhoheshin vetëm sasi jashtëzakonisht të vogla antimaterie, por tashti CERN - i ka ndërtuar një ngadalësues antiprotonesh, që do të lejojë të prodhohen sasi më të mëdha. Po këtu lind një pyetje nëse kjo substancë, jashtë mase flurore, ka për ta shpëtuar botën apo do të përdoret për të krijuar armën më vdekjeprurëse që është parë ndonjëherë. Që në faqet e para ky libër kaq interesant hapet nga një shënim i autorit që pohon se : Të gjitha veprat e artit, varret, kalimet nëntokësore, ndërtesat dhe monumentet e Romës që përmenden në ngjarjet e përshkruara, janë të njëmendta ( duke përfshirë edhe vend ndodhjen e tyre), ato ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Edhe sekti i të Përndriturve është një gjë e njëmendtë. Pa dyshim se Dan Brown është ndër shkrimtarët më të lexuar dhe më të talentuar të letërsisë së sotme botërore. Ndërkohë edhe me romanin e tij “Kodi Da Vinçi” ai ka thyer rekorde sa i përket tirazhit të botimit të këtij libri, si dhe leximit të kësaj vepre nga lexues të shumë vendeve të botës, vepër kjo e cila ka nxitur dhe vazhdon të nxisë opinione të ndryshme, aprovime dhe kundërshtime, kritika të pamëshirshme dhe lëvdata. Romani ka një kompozicion shumë të lidhur, të strukturuar me mjeshtëri fascinuese, me të gjitha komponentët, që e bëjnë gati të përsosur një vepër, në radhë të parë temën që e ka trajtuar, pastaj zhanrin dhe mbarështimin e materies, të cilën romansieri e ka sintetizuar edhe me shumë guxim.

Marre nga : Gazeta Sot


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama