Realizohet amaneti i Aleks Budës. Rreth 15 mijë libra të arkivit të themeluesit të Akademisë së Shkencave, iu dhuruan dje nga familja e tij Bibliotekës Kombëtare. “Të gjitha pasionet me moshën shuhen, libri është pasioni i vetëm që mbetet”, ka thënë historiani i shquar në pragun e vdekjes, ndërsa i kërkonte së bijës, Tatjanës t’i dërgonte librat e tij në bibliotekë.
Që në ato kohë, në Akademinë e Shkencave u dërguan 4 furgona me librat e profesorit të shquar, të cilët i kishte sjellë me vapor nga Austria e largët ku kishte kryer studimet për filozofi. S’është e rastit që profesor Aleks Buda kishte qenë edhe drejtori i parë i Bibliotekës Kombëtare pas çlirimit, megjithëse për një kohë të shkurtër 1-vjeçare. Ndërkohë kjo dhuratë i bëhet Bibliotekës Kombëtare në prag të 85-vjetorit të saj.
Librat
“Janë kryeveprat e letërsisë perëndimore dhe lindore, kryesisht në gjuhën gjermane, por edhe libra të natyrave të ndryshme, madje edhe libra për muzikën”, tregon vajza e profesor Aleks Budës, Tatjana për përmbajtjen e bibliotekës personale të të atit. Librat janë në gjermanisht, italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, serbisht, polonisht, rumanisht, çekisht, bullgarisht etj. Profesori i shquar ishte një poliglot i rrallë dhe librat e tij përbëjnë një pasuri të madhe për fondin e Bibliotekës Kombëtare. “Ne donim të realizonim amanetin e babait, në mënyrë që t’i shërbejmë një rrethi më të gjerë njerëzish, dhe njëkohësisht kemi besim se atje do të ruhen më mirë, pasi me kushte shtëpie është pak e vështirë”, thotë Haxhimihali. Ajo tregon se ka dhe një ide, që një pjesë e librave të profesorit, tituj të cilët ndodhen në Bibliotekën Kombëtare, mund t’i dhurohen Bibliotekës së Prishtinës për pasurimin e saj. “Kjo na duket një ide shumë e mirë, nëse është e nevojshme, pasi babai e ka dashur shumë Kosovën”, shton ajo.
“Mosha” e librave
Në bibliotekën e prof. Aleks Budës datojnë libra nga më të vjetrit. Me atë çfarë kanë mundur të zbulojnë familjarët e tij, libri më i vjetër është ai i gjyshit të profesorit gjatë studimeve të tij, që mban në kopertinë vitin 1840. Ndërkohë libri shqip më i vjetër duket se është “Dhiata”, botim i vitit 1872 i shkruar me germa latine. “Në radio u bë një emision në vitin 1991 për librin më të vjetër. Djali im gjeti librin e stërgjyshit të vitit 1840 dhe mori çmimin e dytë. Por t’ju them të drejtën, unë nuk kam arritur ta ezauroj gjithë bibliotekën. Besoj se Biblioteka Kombëtare do të bëjë një listë, dhe aty do të shikojmë se çfarë titujsh dhe vitesh janë botimet”, thotë e bija e profesorit.
Aleks Buda
Themeluesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesor Aleks Buda, lindi në vitin 1911, në Elbasan. I shkolluar në Itali dhe Austri, profesor Buda është një nga personalitetet më në zë të kohës. Ai kthehet nga studimet në vitin 1938 dhe pas luftës, ishte drejtori i parë i Bibliotekës Kombëtare (1945-1946). Që nga ky vit ai ka punuar për vite me radhë në fushën e shkencës e të arsimit të lartë. Në saje të këmbënguljes së tij dhe të shumë profesorëve të tjerë, në vitin 1972 ai krijon Akademinë e Shkencave dhe njëkohësisht zgjidhet kryetari i saj i parë. Ai është një nga personalitetet më të shquar të shkencës, sidomos në atë të historisë dhe albanologjisë, të kulturës, por edhe në fushën e arsimit kombëtar, për të cilin meritoi edhe titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Të shumta janë fushat ku spikat kontributi i tij, si studimet mbi ilirët e prejardhjen e tyre, për historinë e popullit shqiptar në Mesjetë etj. Është bashkautor dhe redaktor përgjegjës në tekstin e “Historisë së Shqipërisë”, vëllimi i I-rë, në vitin 1959 i cili është vlerësuar me Çmimin e Republikës së Klasit të I-rë dhe i vëllimit të II-të në vitin 1965. Është autor i një vargu studimesh për periudha të tjera të historisë së Shqipërisë, veçanërisht rreth figurës legjendare të Skënderbeut, për etnogjenezën e popullit shqiptar etj., si dhe i shkrimeve publicistike-historike e filologjike-letrare. Prof. Aleks Buda ka qenë deputet në Kuvendin Popullor në disa legjislatura dhe anëtar i kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Mbylli sytë në verën e vitit 1993.
Qamil Xhani : Gazeta TiranaObserver











