Greta Kocit i deshtojne xhirimet ne Maqedoni

Greta Koçit i dështojnë xhirimet në Maqedoni

Mbase e mbani mend numrin e kaluar kur ne folëm tek “Panorama plus” për xhirimet e klipit më të fundit të Greta Koçit në Ohër, material të cilin iu a servirëm edhe me fotot eksluzive gjatë xhirimeve. Para dy ditësh informohemi se Greta ka ndërprerë xhirimet pasi cilësia me të cilin po bëhej klipi linte shumë për të dëshiruar si nga fabula ashtu edhe për nga elementët e tjera. Regjizori i klipit quhet Aleksandër dhe ai është ideatori i të gjithë klipeve që këngëtarët tanë të të gjitha trevave shqiptare, bëjnë në Maqedoni, ndërkohë që prindërve të Gretës dhe vetë asaj, gjithçka i është dukur pa nivel dhe pa profesionalizëm. Të zhgënjyer, ata kanë ndërprerë menjëherë xhirimet për të kërkuar specialistë në Shqipëri. Aleksandri, i vetëquajtur “Princi i Maqedonisë” ka mbetur i habitur nga reagimi i tyre duke thënë se askush nuk kishte guxuar t’i vinte në diskutim profesionalizmin. “Aty gjithçka bëhej shumë avash dhe pa asnjë detaj artistik që të na pëlqente” - tregon Greta e cila nga zhgënjimi ka shpërthyer në lot.

“Kënga duhej të ishte e gëzueshme pasi ishte një këngë vere dhe ritmike, ndërkohë që fabula nuk kishte lidhje fare me atë ç’ka unë duhej të shprehja” - tregon ajo. I ati i Gretës shumë i revoltuar spjegon se dëmi nuk ishte vetëm moral dhe një humbje e madhe kohe, por edhe material pasi paratë e xhirimeve nuk iu kthyen nga Aleksandri. Më pas ata janë kthyer në Shqipëri në kërkim të një stafi tjetër që të realizonte një klip ashtu siç e mendonin ata. Kanë lënë gjithçka në duart e regjizorit të njohur Leonard Bombaj i cili ka punuar me një staf të improvizuar dhe deri tani Koçi tregon se është shumë i kënaqur nga puna e tyre. Kanë xhiruar në Tiranë, pranë Galerisë së Arteve, në Velipojë dhe në Vlorë dhe tregojnë se janë shumë në ankth, sepse kënga duhet të dalë shpejt pasi është një këngë verore dhe i përshtatet këti sezoni. I ati i Gretës dëshiron t’i bëjë thirjes të gjithë këngëtarëve që klipet e tyre t’i realizojnë në Shqipëri dhe jo jashtë, pasi këtu ka specialistë shumë më të përgatitur sesa në Maqedoni. Mendohet që xhirimet të zgjasin vetëm tre ditë dhe gjithçka të jetë gati për transmetim në një kohë rekord sapo klipi të dalë nga studiot e montazhit. Sa për materialet e xhiruara në Maqedoni, mendohet që të mos përdoret asgjë duke u cilësuar të një niveli jo profesional.

Marre nga : Gazeta Panorama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama