JK Rowling Te jetosh me famen parate por tashme pa Harrin

JK Rowling: Të jetosh me famën, paratë, por tashmë pa Harrin

Shumë shkrimtarë të shquar, në përfundim të veprave që u kanë dhënë kënaqësi të jashtëzakonshme krijuese dhe veç të tjerash famë dhe para, kanë kaluar periudha të gjata e të vështira vetmie. Larg botës së personazheve me të cilat ishin mësuar për njëfarë kohe, ata shpesh janë ndjerë vetëm dhe melankolikë. Kur JK Rowling përfundoi faqen e fundit të librit të fundit "Harry Poter" në fillim të këtij viti, ajo e ndjeu që ai çast meritonte një nderim të veçantë. Atëherë ajo gdhendi këto fjalë në bustin e Hermesit, perëndisë lajmëtare greke: "Mbarova së shkruari sagën e gjatë të Harrit më 11 janar 2007, në dhomën 652, në Hotelin ‘Balmoral‘ në Edinburg". Jo më kot ajo zgjodhi Hermesin për të gdhendur mesazhin e mbylljes, pasi ai është njëherazi veçse lajmëtar i perëndive, edhe mbrojtës i arteve, elokuencës e alkimisë, si dhe autor i të gjitha doktrinave mistike. Edhe vetë shkrimtarja e famshme lëvroi në librin e saj disa volumesh, si një magjistare e vërtetë e të shkruarit dhe e fantazisë, thellësitë e botës së mistershme, të alkimisë, mistikes dhe magjisë. Edhe vetë historia e saj personale e famës dhe e suksesit planetar duket si vepra e ndonjë magjie. Duket sikur ndonjë magjistare i dhuroi njëherazi talentin dhe mundësinë për t‘u bërë e famshme dhe e pasur njëherazi. Librat e saj janë shitur në 325 milionë kopje në të gjithë botën.

Pasuria e saj vlerësohet të jetë 1 miliardë e gjysmë dollarë. Në vitin 2004, ajo u shpall miliardere dollari. Është më e pasur se Mbretëresha e Anglisë dhe renditet e dyta në femrat më të pasura të botës së artit, pas prezantueses amerikane, Oprah Uinfrey. Por veç shitjeve të librit, suksesi e ndoqi Harrin dhe "nënën" e tij edhe në kinematografi. Katër librat e parë u bënë filma shumë të suksesshëm dhe njëherazi të ndjekur. Veç kësaj, ajo u cilësua nga një revistë shumë prestigjioze britanike si "shkrimtarja më e famshme britanike", madje e konsideruar më e famshme se Salman Rushdie dhe Harold Pinter. E megjithatë, shkrimtarja mbetet një mister për të gjithë, me një jetë personale të cilën e mban vetëm për vete dhe me një fiksim të madh për sigurinë e saj, por njëherazi edhe një person me një ego të jashtëzakonshme dhe me dëshirë për të bërë sa më shumë përpara. Jo rrallë, të ftuarit e tryezave të saj janë njerëz shumë të famshëm. Për shembull, asaj i pëlqen që të pijë çaj me Princin Çarls të Anglisë dhe bashkëshorten e tij, Kamila, çka për origjinën e saj modeste është një hap vërtetë i magjishëm përpara. JK Roëling lindi në Glouçestershire, në korrik të vitit 1965, nga një çift që i përkiste shtresës së mesme, Ana dhe Peteri. Që në fëmijëri shkrimtarja e ardhshme, zbavitej duke trilluar gjithfarë historish të këndshme me motrën e saj, e madje i vinin ato në skenë. Më pas nuk iu nda librave. Lexoi gjithë shkrimtarët klasikë francezë, studioi në Universitetin e Exterit dhe më pas punoi si kërkuese dhe sekretare dygjuhëshe për "Amnesti International". Se si erdhi në jetë Harri, kjo është një histori e treguar dhe e ritreguar shumë shpesh. Autorja po udhëtonte me tren për në Londër, kur iu faneps personazhi i Harrit dhe bëmave të tij. Më pas, shkrimtarja rrëfen se që nga mosha 6-vjeçare ajo nuk i ishte ndarë të shkruarit, por asnjëherë më parë nuk kishte qenë aq e emocionuar nga ndonjë ide, sa në rastin e Harrit. Gjatë udhëtimit me tren, ajo u mendua gjatë për Harrin dhe ai iu shfaq thuajse i plotë, madje deri në detaje të imta.

Ajo thotë se gjithçka e kishte shumë të qartë në mendje, që para se të ulej e të shkruante. Për një person shumë të ndrojtur me mediat, JK Rowling mund të konsiderohet si mjaft e zgjuar. Gjithmonë u ka dhënë gazetarëve atë që ka dashur në momentin që ka dashur, pra sa për t‘iu hapur oreksin lexuesve për aventurat e reja të Harri Poterit. Po le t‘i rikthehemi jetës. Në moshën 25-vjeçare, ajo mori goditjen më të rëndë të jetës, kur e ëma, një e sëmurë kronike me sklerozë i vdes në moshën 45-vjeçare. Ajo nuk do ta harronte kurrë atë moment kur merr njoftimin, edhe pse kishte parandier gjithçka që më parë. Që nga ai moment, vdekja dhe frika ndaj saj dhe e misterit të saj ka qëndruar nderur mbi Jonë edhe në krijimtari. Kështu edhe te Harri, një gjë e tillë ndihet, çka është pak a shumë një risi në librat për fëmijë. Kur seria nis, ne mësojmë se prindërit e Harrit kanë vdekur, janë vrarë nga një Lord Voldemort. Edhe vetë ai, është në një përpjekje të vazhdueshme për të mashtruar vdekjen dhe për t‘u bërë më në fund i pavdekshëm.

Më pas vdekja është sërish pjesë e sagës, madje është aq e pranishme, sa kritikët janë përpjekur që të gjejnë arsyen e pranisë së saj aq të shpeshtë. Disa e shpjegojnë atë me vdekjen e së ëmës së shkrimtares, në moshë shumë të re. Edhe vetë Harri, ka një dëshirë shumë të madhe që të bashkohet me të ëmën e vdekur, çka duket se pasqyron ndjenjat e vetë Rowling. Pas vdekjes së të ëmës shkrimtarja shkoi në Portugali, ku jepte mësime anglishteje dhe njëherazi mbaroi edhe librin e saj. Pikërisht aty, ajo u njoh dhe u martua me një gazetar televiziv portugez. Një vit pas martesës, çifti u divorcua dhe Rowling mbeti e vetme me një vajzë, Xhesika. Nënë e bijë lëvizën për në Edinburg, qytet ku shkrimtarja përfundoi librin e saj të parë. Pjesën më të madhe të kohës ajo shkruante në një kafene, ndërkohë që e bija flinte aty pranë. Nënë e bijë jetonin për ca kohë vetëm me ndihmë sociale, e cila nuk ishte aspak e mjaftueshme për një jetë normale. Më vonë, kur e pyetën nëse ndjehej mirë me paratë që kishte fituar, shkrimtarja ishte përgjigjur se kur të qëllon në jetë të kesh frikë se mos nuk të dalin paratë deri në fund të javës, atëherë nuk do të ankohesh kurrë për paratë që mund të kesh, sado shumë të jenë ato. Paraja të çliron nga shumë telashe, të bën të lirë, të lejon të udhëtosh e të ndihmosh njerëz. Nuk do të ankohem kurrë për paratë që kam. I jam mirënjohëse Zotit që m‘i dha dhe e falënderoj për çdo qindarkë që kam. Me të mbaruar librin, ajo gjeti një agjent që ia dërgoi dorëshkrimin në një shtëpi botuese. Përgjigja ishte shumë pozitive, por nuk bëhej fjalë për botim, pasi jo vetëm ajo shtëpi botuese, por edhe disa të tjera i druheshin botimit të historive me magjistarë. Më në fund, pas shumë përpjekjeve, drejtuesi i së famshmes "Bloomsbury", e mori librin në shtëpi dhe ia dha të bijës 8-vjeçare për ta lexuar. Ajo e lexoi me një frymë dhe donte me padurim që të dinte se ç‘ndodhi më pas me Harrin. Për botuesin ky reagim ishte më se i rëndësishëm. Atëherë, ai i ofroi shkrimtares 1500 paund paradhënie dhe e botoi edicionin e parë, fillimisht me 1000 kopje.

Pra për herë të parë, "Harri Poter dhe Guri Filozofik" dolën në treg më 30 qershor të vitit 1997, në Londër nga "Bloomsbury", e cila më pas botoi edhe të gjitha vëllimet e tjera të veprës. "Guri Filozofik", më popullori i sagës së Harrit u shit me 107 milionë kopje dhe aktualisht renditet në vendin e nëntë në listën e librave më të shitur të të gjitha kohërave. Ky ishte fillimi i një suksesi të jashtëzakonshëm për shkrimtaren, tashmë të kthyer në një legjendë dhe në një femër shumë të pasur. Të gjitha botimet e librave të saj kanë thyer rekorde. Falë edhe një politike shumë të mençur të shtëpisë botuese, tre librat e fundit kanë thyer rekorde historikë shitjesh, rekorde që eklipsoheshin vetëm nga librat vijues të Harrit. Ashtu sikurse një kult, apo fe, krijon ndjekësit e vet, edhe veprat e Rowling u kthyen në një mit dhe në një fenomen të madh letrar dhe mediatik të pa parë më parë. Për të janë shkruar libra të veçantë, çdo vit mbahet një konferencë e quajtur "Lumos" në Las Vegas, në të cilën marrin pjesë mijëra fansa të librave, të gjithë të veshur si magjistarë.

Është ngritur një uebsajt i sofistikuar, në të cilin ndjekësit e Harrit mund të gjejnë të gjitha përgjigjet për pyetjet e kureshtitë e tyre. Në listën e librave më të shitur për fëmijë të të gjitha kohërave, të "New York Times", Harri renditet i dyti. Vetëm autorja duket se është me dy mendje në lidhje me gjithë këtë sukses që kanë pasuar botimet e saj. Në ceremoninë e "British Book Awards", të vitit 2006, një ceremoni prestigjioze britanike që jep çmime për letërsinë, Rowling në lidhje me nivelin e jashtëzakonshëm të lajkave që kishte marrë gjatë gjithë kohës deklaroi për çudinë e të gjithëve se "klima që krijohej nga publikimi i librave të saj, shpesh merrte përmasat e një marrie të vërtetë". Ndërkohë po ajo vetë, përditëson personalisht të gjitha sajtet e internetit që u dedikohen librave të saj. Ajo shpesh mallëngjehet pa masë kur merr letra nga fansat e saj, që i shkruajnë për rrugët e ndryshme që mund të kishte marrë historia e Harrit, veç asaj të shkruar nga vetë autorja. Pavarësisht të gjithave, ajo shpesh nuk është aspak dakord me gjithë jehonën,apo zhurmën e madhe që kanë shkaktuar librat e saj, sa herë që janë botuar dhe refuzon gjithnjë e më tepër të dalë në publik e të japë intervista për veten dhe për librat e saj dhe së fundmi edhe për planet e së ardhmes. E ndërsa pasuria i shtohet përditë, me shumë prona të patundshme të blera në kryeqytetet më me zë të botës, me dy sekretare të posaçme që i paguan tepër shtrenjtë vetëm për t‘u marrë me letrat që i vijnë nga fansat e shumtë, në një moment të caktuar të jetës u shndërrua në beqaren më interesante dhe më të pasur të Anglisë. Por jo për shumë kohë, pasi fati i hodhi në rrugën e jetës një skocez me këmbët "ngulur fort në tokë", me të cilin shkrimtarja vendosi të martohej në vitin 2001. Çifti ka dy fëmijë, Davidin, 4 vjeç dhe Mekenzin, 2 vjeç. Familja jeton kryesisht në Edinburg, në dy shtëpi të ndryshme, me vlerë 4 milionë dollarë, me 13 dhoma. Vilat që ndodhen pranë e pranë, rrethohen nga një gardh tepër i lartë me një rrjet mbrojtës të sofistikuar.

Veç dy sekretareve dhe një personi të posaçëm që e ndihmon të mbajë ditarin, shkrimtarja ka punësuar edhe një truprojë të ish-forcave speciale mbretërore, i cili ka krijuar një sistem të veçantë mbrojtjeje për të dhe familjen. Dita e saj është dita e zakonshme e një shkrimtareje. Ulet që herët në mëngjes përballë kompjuterit, më pas përgatit vetë mëngjesin, një sanduiç dhe ca kafe, e më pas sërish para kompjuterit, derisa i vjen e bija e madhe nga shkolla. Sipas një miku të afërt të shkrimtares, ajo është nga ata persona që nuk e pëlqen publicitetin, apo rënien në sy. Ajo dëshiron të lihet e qetë në jetën e saj familjare dhe atë krijuese sepse mbi të gjitha do që pas gjithë këtij publiciteti t‘i kthehet sërish jetës normale familjare. Çmenduria e shtypit e ka lodhur dhe i ka krijuar probleme të mëdha me veten, madje edhe mani persekutimi e përndjekjeje. Dhe jo pa të drejtë, pasi bashkë me letrat e zakonshme të admirimit të fansave, jo rrallë në kutinë postare të shkrimtares janë gjetur edhe letra kërcënuese dhe poshtëruese me mesazhe të pakëndshme, por edhe të frikshme.

Veç kësaj, gjatë gjithë kohës ajo është në vëmendjen e bezdisshme të paparacëve. Në çdo lëvizje që bën jashtë shtëpisë, kur del për blerje, shëtitje, për ndonjë takim, apo qoftë edhe për pushime ndiqet nga një tufë fotografësh që ia heqin të drejtën të ketë një jetë të qetë e private, larg syve kureshtarë e të paturpshëm të gazetarëve. /Tabloidet britanike, si më skandalozet në botë duan të zbulojnë gjithçka nga pjesa e padukshme e shkrimtares. Ka nga ana që e kanë fotografuar me rroba banje, të tjerë gërmojnë nëpër plehrat e saj për të gjetur ndonjë detaj pikant të ekzistencës, të tjerë akoma nuk lënë mik apo të njohur pa kapur, e pa e paguar në këmbim të rrëfimeve për shkrimtaren. Por kulmi arrin kur në këtë garë të shfrenuar të paparacëve për t‘i sulmuar jetën private ka hyrë edhe e bija e madhe. Kjo e fundit, ka filluar gjithnjë e më shpesh të dalë në shtyp çka për të ëmën është një skandal i vërtetë. Në njërën prej intervistave të rralla ajo u shpreh: "Mendoja se si shkrimtare me famën e Xhejn Austenit do të kisha komoditetin e të ndenjurit ulur para kompjuterit e patrazuar nga askush, përveçse nga mendimet dhe personazhet e minj, por isha gabuar. Jetojmë në të tjera kohë. Nuk e prisja kurrë që fama do të më merrte lirinë, që do të ndiqesha kudo nga një ushtri fotografësh të uritur për copëza të jetës sime private. Mbi të gjitha, nuk e dija se kjo do të kishte një ndikim negativ edhe tek vajza ime, e cila shpesh fajëson famën time për shqetësimet që i janë shkaktuar". E ndërsa mundohet të ruajë jetën e saj dhe atë të familjes, pas mbarimit të vëllimit të fundit të Harrit, shkrimtarja ka filluar të ndihet paksa bosh dhe melankolike. Për momentin po merret me bamirësi. Së fundmi i dhuroi 40 milionë dollarë një Fondi Ndërkombëtar për Urgjencat, megjithatë më për zemër ka pasur kërkimet shkencore në fushën e mjekësisë, e kryesisht ato për sëmundjen e sklerozës, nga e cila i vdiq edhe e ëma. Në një rast të tillë, nuk i ka kursyer paratë, por ka rezervuar jo pak edhe për shkollimin e fëmijëve të braktisur në Evropën Perëndimore.

Vetë personalisht, ndërmori një udhëtim në Rumani, një ndër vendet me përqindjen më të madhe të jetimëve në të gjithë lindjen e kontinentit. Ajo u morr personalisht jo vetëm me shpërndarjen e fondeve. Një muaj më parë, dha edhe gjysmë milioni dollarë për kërkimet e Madalenës së vogël, 4-vjeçares britanike, që është zhdukur në mënyrë të pashpjegueshme nga shtëpia muaj më parë. Libri i shtatë dhe i fundit i sagës së "Harri Poterit" është publikuar më 21 korrik me të njëjtën zhurmë e jehonë që shoqëroi edhe librat e mëparshëm. Libraritë e shumë vendeve të botës u dyndën nga fansat e vegjël e të mëdhenj, veshur me kostumet tradicionale të personazheve të librit. Por tani, ditë pas publikimit të librit të fundit, pyetja e duhur është: Si do të jetë jeta e Rowling pa Harrin e saj të dashur dhe aventurat e tij mistike? Harri i solli famën e jashtëzakonshme, para pa fund dhe vendin e nderit e kryesor në letërsinë për fëmijë. Atëherë, cili mund të jetë fati i veprës së saj të radhës, që sigurisht nuk do të jetë më historia e Harrit?

Si mund të arrijë edhe ajo nivelet stratosferike që preku saga e Poterit? Çfarë historie të re do të shpikë tani mendja plot fantazi e Rowling? Do të jetë edhe libri i ardhshëm, një histori misterioze skoceze me magji, shtriga e fate që kryqëzohen me vdekjen e pavdekësinë? Për momentin, ajo ka shkruar disa historiza për të rinj, por sigurisht nuk është kjo ajo që presin lexuesit. Ndërsa shkrimtarja ndodhet në një moment melankoliko-meditativ nga ndarja me një personazh me të cilin ndau dhjetë vitet më të rëndësishme të jetës së saj, lexuesit presin universin e ri të radhës së krijuar nga Rowling. Ata e dinë që herët a vonë, ajo do të krijojë një botë të re, por vetë Rowling a do të mund t‘ua plotësojë kërkesën me aventura të tjera të të tilla përmasave, apo historia e saj e famës dhe e suksesit do të mbyllet me fundin e vetë Harrit?

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama