Dhe, në fakt, ia arriti qëllimit: filma të tillë si "Mosha e pafajësisë", "Lidhje të rrezikshme", "Njeriu me shenjë" e kanë bërë Fajferin një nga aktoret më të respektuara dhe më të dashura të Hollivudit. Që atëherë, "ka bërë" filma të tjerë, më pak të dëgjuar se të parët, për t‘u ndalur pastaj në vitin 2002. U zhduk për një periudhë 5- vjeçare, ndaj me të drejtë lind pyetja: mos është Mishel Fajfer një tjetër aktore e lënë pas dore, pasi ka kaluar të 40-at? Sot ajo është 49 vjeçe dhe ndër të parat që adaptoi një fëmijë dhe u martua me shokun e saj, (producentin David E. Kelley), kurse në vitin 1994 lindi fëmijën e saj të parë, John Henry.
"Absolutisht jo, tregon aktorja, ka qenë zgjedhja ime, që e bëra për t‘u qëndruar pranë fëmijëve të mi 13 dhe 14 vjeç. Asnjëherë nuk kam dashur që jetën time private ta bëj publike. Kjo ka qenë dhe do të jetë zgjedhja ime e, për të njëjtin motiv nuk ndiej nevojën të publikoj punët e mia personale". Në fakt, për ta, vendosi ta lërë Los Anxhelosin dhe të shkojë të jetojë në një zonë të qetë, në pjesën veriore të Kalifornisë, larg nga ritualet dhe tundimet e botës së zhurmshme. Megjithatë, është e çuditshme që për të shënuar rikthimin e saj, Fajfer ka zgjedhur dy filma ku interpreton rolin e një njeriu të keq, por, mbi të gjitha, rolin e një njeriu të paaftë të pranojë kalimin e kohës, dhe të fiksuar pas humbjes së rinisë. Në "Hairspray" e kemi parë në rolin e Velma Von Tussell, një ish-mbretëreshë e konkurseve të bukurisë, që vazhdon të jetojë duke u përpjekur të "riprodhojë" lavdinë e të kaluarës së saj, ndërsa te "Stardust", një përrallë me mbretëri magjike, yje që bien, piratë fluturues, dhe dashuri të vërteta, është një "shtrigë" e gatshme të bëjë gjithçka për të gjetur sërish rininë e saj. Ky i fundit, një film i drejtuar nga Methju Vaugin, ku përkrah saj do të gjejmë edhe aktorë të tjerë të klasit të: Claire Danes, Robert De Niro, Peter Tole, Riki Gervais, Siena Miller, Rupert Everet dhe Çarlie Koks.
Mishel, koncepti i bukurisë, duket sikur ju bezdis, përse ndodh kështu?
Nuk bëhet fjalë për bezdi, kur njerëzit më bëjnë komplimente, ndihem mirë. Problemi qëndron në faktin se ky është një argument kompleks, ndërsa përgjigjja që jepet në fund është gjithmonë e gabuar. Le të themi se jam rritur në një familje punëtorësh, me etikën klasike amerikane, që tregon se, në qoftë se angazhohesh seriozisht, ambiciet e tua nuk mund të kenë kufi. Ndaj edhe unë besoj më shumë në këtë të fundit.
Nuk ndiheni një 40-vjeçare e lënë mënjanë nga Hollivudi?
Ka shumë tension rreth faktit se duhet të qëndrojmë të rinj përgjithmonë e, ndoshta, për këtë arsye do të më pëlqente që një ditë të bëja një film në të cilin askush nuk do të më njihte. Janë të shumtë ata që duket sikur gjejnë shpëtim te kirurgjia plastike, e cila të bën të ndihesh më e re. Por, nuk e di nëse përveç se e re, a është kjo mënyra e duhur për t‘u ndjerë mirë me veten. Megjithatë, nuk jam kundër atyre grave të cilat me anë të kirurgjisë gënjejnë për moshën e tyre. Por, të qenit aktor ka kuptim, pikërisht sepse mosha dhe rrudhat të rrëmbejnë disa personazhe dhe të dhurojnë disa të tjera. Kështu, nuk pajtohem me të fejuarat e përjetshme të Hollywood-it, që nuk do të donin të bëheshin kurrë gjyshe në ekran.
Së shpejti do të shohim dy filma, ku nuk jeni e fiksuar vetëm pas moshës, por jeni edhe një njeri me shpirt të keq...?
Të interpretosh rolin e një njeriu të lig është vërtet argëtuese, edhe pse në të dyja rastet bëhet fjalë për role plot humor, që të dhurojnë shumë kënaqësi. Pastaj "Stardust" është një përrallë dhe në përralla nuk ka kufizime, aty mund të gjesh gjithçka".
Te filmi "Stardust" interpreton rolin e një të moshuare. Si arritët ta realizonit trukun?
Ka qenë një ankth i vërtetë. Çdo ditë qëndroja rreth gjashtë- shtatë orë për ta bërë dhe rreth një orë e gjysmë për ta hequr. Por të qenit pjesë e këtij filmi ishte një kënaqësi e vërtetë për mua, më ka ndihmuar të kujtoj se përse vite më parë kam zgjedhur këtë profesion. E di, do të jenë kritikët ata që do të zgjedhin aforizmat, por kjo nuk më intereson.
A keni aktualisht projekte për filma të tjerë?
Në nëntor del një tjetër film i imi, "I could never be your woman". Pastaj nuk e di se çfarë do të bëj, por ju siguroj se nuk do të ketë më një shkëputje kaq të madhe nga skena.
Cili është subjekti i tij?
Nuk do të mundesha kurrë të dashurohesha me një burrë më të ri se unë në moshë. Më duket sikur do t‘i rrëmbej rininë, gjë që shumë burra ndoshta e bëjnë edhe pa vetëdije kur fillojnë një jetë të re, me një vajzë që ka moshën e fëmijëve të tyre. Këtë rol më duhet të luaj edhe mua, por vetëm në filmin "I could never be your woman".
Diçka më shumë...?
Një grua profesionalisht e arrirë, e vetme, me një fëmijë, e divorcuar, personazhi im (Rosie) bie në dashuri me një djalë të ri, Adamin, dhe gjendet para problemeve të shumta të grave në ditët e sotme, sepse zemra e tij është gjithmonë e re, por disa rregulla edhe mund të thyhen. Amerikanët kanë nevojë për rregulla, për kode jetese, por pastaj bëjnë gjithçka për t‘i ndryshuar, modifikuar. Shpresojnë gjithmonë në "ëndrrën amerikane".
E ndieni rivalitetin mes të rejave të Hollvudit?
Është e kotë të mundohesh të jesh gjithmonë vajzë e re, lozonjare, shpërthyese, e bukur, kur në Hollivud vijnë çdo ditë qindra femra të reja energjike, shumë të bukura, të cilat janë të gatshme për të luajtur role nga më të ndryshmet dhe të zonjat për të arritur gjithçka. Jam krenare që kam ndërtuar një karrierë të tillë, duke nisur si mbretëreshë e bukurisë. Nuk e kanë të gjitha këtë fat, më ka ndodhur mua. Hollywood-i është plot me histori tragjike.
Ka ndryshuar jeta juaj pas kaq shumë viteve larg ekranit?
Patjetër që po. Tashmë jetesa në një fermë në veri të Kalifornisë më ka bërë që të kem kohë për të parë perëndimet e diellit, të punoj në fermë, të shoqëroj fëmijët në shkollë.
Çfarë bëni për t‘u çlodhur dhe për t‘u ndjerë mirë?
Më pëlqen të pikturoj. Bëj portrete në vaj. Ku i vendos do të më pyesni? Në kantinë, dhe aty kam ndërmend t‘i lë gjithmonë.
Marre nga : Gazeta Shqip











