Snajperet ulen armet dhe te gjithe shkuan ne shtepi te heshtur

Snajperet ulen armet dhe te gjithe shkuan ne shtepi te heshtur

Në fund, snajperët ulën armët dhe fansat shkuan në shtëpi të heshtur. Serbia sapo kishte shënuar golin e dytë, me Adem Ljajiç, në prekjen e fundit të topit për ndeshjen, duke vulosur kështu rezultatin 2-0 ndaj Shqipërisë për fazën kualifikuese të Europianit 2016.

Pak minuta më vonë, arbitri italian fishkëlleu dhe lajmëruesi i stadiumit bëri të ditur rezultatin, sikur po shpallte që i kishte ngordhur kafsha e tij e dashur. Në terma sportive, kjo ndeshje nuk ka asnjë kuptim për Serbinë. Ata janë eliminuar nga kompeticioni muaj më parë.

Por ndeshja në një qytet në qendër të Shqipërisë ka ngjyrime historike dhe politike, pasi ndeshja e parë në Beograd u ndërpre pasi një dron me një flamur nacionalist shqiptar fluturoi mbi fushë, duke nxitur trazira. Nga frika, UEFA vendosi që tifozët serbë të mos ishin në ndeshjen e kthimit. Dhe siç pritej, dita nisi me masa mbytëse sigurie.

Autostrada kryesore që lidh kryeqytetin, Tirana me Elbasanin, u mbyll për nëntë orë përpara nisjes së ndeshjes. Stadiumi ishte rrethuar nga oficerë të armatosur.

Banorët e kullave që rrethojnë stadiumin ishin udhëzuar që të qëndronin brenda dhe të mos lejonin të huaj në godinë. Më shumë se 2 mijë policë dhe 500 oficerë të forcave speciale patrulluan rrugët, ndërsa snajperët u pozicionuan në godinat që rrethonin stadiumin “Elbasan Arena”. Helikopterë të mëdhenj rusë patrullonin nga ajri, të pajisur me topa uji dhe gaz lotsjellës.

“Është për provë,” tha një oficer policie.

Elbasani u mbush gjashtë orë përpara ndeshjes dhe tifozët po festonin, duke shpresuar që Shqipëria të shkojë në të parin turne të madh.

Por nuk pati raportime për dhunë.

Himni serb u fishkëllye, por përveç disa koreve të mbytura për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës- që konsiderohet organizatë terroriste nga shumë serbë- turma prej 12 mijë personash ishte e qetë, falë edhe shiut të rrëmbyeshëm. Edhe snajperët në çatitë e godinave nuk panë ndonjë rrezik, çka bëri që të tërhiqen në një çadër të thatë aty pranë.

Ndeshja po shkonte drejt barazimit, kur mbrojtësi i Mançester Sitit, Aleksandër Kolarov depërtoi në zonën e rreptësisë dhe i dha Serbisë avantazhin. Ljajiç dyfishoi rezultatin, duke thelluar mjerimin pak minuta më vonë. Besmir Limani, një 28-vjeçar, që kishte udhëtuar për ndeshjen nga Zvicra, ishte mes mijëra fansave të heshtur. Fytyra e tij ishte lyer me të kuqe, ndërsa shqiponja ishte mbi sy, hundë dhe gojë.

“Kam ditëlindjen nesër. Por nuk di nëse do e festoj”.

Shqipëria ka një tjetër shans kualifikimi: ata tashmë kanë mundësinë e ndeshjeve playoff, por mund të shkojnë direkt në Francë nëse fitojnë të dielën me Armeninë në Jerevan.

“Ne e dinimin se mund të arrijmë kualifikimin, por jemi të rinj dhe donim ta bënim këtë sonte, përpara njerëzve tanë,” tha kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana.

Për Serbinë, ndeshja ishte një fitore e rrallë në një fushatë zhgënjyese.

“Lojtarët ishin shembull në Beograd dhe lojtarët shqiptarë ishin një shembull i shkëlqyer sonte,” tha kapiteni i Serbisë, Branislav Ivanoviç, duke iu referuar faktit se lojtarët e Serbisë mbrojtën kundërshtarët shqiptarë ndërsa u sulmuan nga turma në Beograd një vit më parë.

“Shpresoj që në të ardhmen të mos ketë më ndeshje si në Bograd,” tha ai.

Kur Cana kaloi pak minuta më vonë, ata u përqafuan dhe u nisën secili në autobusin e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama