Kukulla romani i Kadarese kushtuar nenes vjen ne librarite shqiptare

'Kukulla', romani i Kadarese kushtuar nenes vjen ne librarite shqiptare

Një vepër e shkruar në tri kohë, për të shkuarën, të tashmen dhe, pse jo, të ardhmen, libri i Kadaresë tërhoqi dukshëm vëmendjen e lexuesit, duke u kthyer në një best seller, në kohën kur doli, e megjithatë “Kukulla” ishte ajo pjesë që ka prekur më së shumti lexuesin me ndjeshmërinë, dhembshurinë, dashurinë dhe sinqeritetin me të cilin ishte shkruar.

 

Nëna e tij? Një kukull. E brishtë, e lehtë si një kukull letre”. Kështu fillon teksti i studjuesit francez, që përfaqëson tonin pozitiv të jehonës së veprës në shtypin tjetër letrar.

 

Kritiku më i njohur i Francës, Bernard Pivot, e ka përshëndetur veprën më 17 maj 2015, në “Le Journal du Dimanche” të Parisit. Vetëm disa javë pas botimit dhe suksesit në Shqipëri të librit “Mëngjeset në Kafe Rostand”, ku përfshihet romanit “Kukulla” , shtëpia botuese “Fayard” e Parisit e përktheu dhe e botoi veprën në frëngjisht, për publikun francez dhe ndërkombëtar.

 

Një lajm i tillë konfirmon faktin se letërsia shqipe bën pjesë tashmë me dinjitet në klubin europian të letrave. Pas suksesit në Francë, rrëfimi për nënën është botuar si roman edhe në shqip. Nga sot, ai mund të gjendet në të gjitha libraritë, si një botim më vete, kushtuar nënës, ‘kukullës’.

 

PJESË NGA RRËFIMI Pas varrimit të tim eti, Kukulla e humbi fare. U desh kohë që drejtpeshimi në apartament të kthehej. Një mbrëmje, gjatë një pasdarke me miqtë, njëri prej tyre shfaqi mendimin se ndryshe nga shtëpitë e vjetra, që e mbanin gjatë kujtimin e të vdekurit, apartamentet e sotme ishin parashikuar që me linjat e thjeshta dhe lëmimin e tyre të ndihnin daljen dhe ikjen sa më të lehtë të tij.Sytë i merrnin atë shprehje të veçantë, siç ndodhte sa herë ndihej fajtore për moskuptimin e gjërave, atë që te disa quhej e metë e te të tjerët dhunti.

 

Arkat po mbylleshin ndërkaq njëra pas tjetrës. Njeriu i imët që, me sa dukej, duhej të ishte më i rëndësishmi mes tyre, mbikëqyrte gjithçka. Ajo që ndodhte përreth sa vinte ngjante më e pakuptueshme. Pështjellimi dukej se vinte prej dorëshkrimeve: vërtiteshin rreth tyre si në një valle të keqe. Kukullës i dukej se s’dilte dot prej mjegullës.

 

Si në ëndërr i qe afruar mbikëqyrësit të ngrysur për ta pyetur: ti je ai që do më futësh mua në burg? Tjetri e kishte parë me një vështrim të çuditshëm. Jam prokuror, tha me zë të ulët. Por ti mos u tremb, nënë. Nga vështrimi i saj nuk ishte vështirë të merrej me mend pyetja që shumica e nënave do të bënin në kësi rastesh: vallë, do të më gjesh më gjallë? Pas një vështrimi të gjatë, ma bëri më në fund pyetjen, që, për habinë time, ishte më befasuesja nga gjithë pyetjet e mundshme. Çfarë?, i thashë, me shpresë se nuk e kisha dëgjuar mirë. Por shpresa kishte qenë e kotë.

 

Kukulla e përsëriti dhe pyetja ishte ajo që kisha dyshuar. Francez je tani? Më pas, sa herë që e sillja ndër mend, në vend që të mësohesha me të, më dukej përherë e më e pamundur nga çdo anë që ta merrje. Ishte sa e qartë, aq edhe e errët, njëherësh fëmijëore dhe pa kohë, që të gjente gjithsesi të papërgatitur. Shkurt, ishte stili i saj, kuptim e moskuptim bashkë, të bëra njësh, në jetë e në mosjetë. Ishte ndoshta kjo arsyeja që më dukej e natyrshme që përgjigjen për pyetjen e saj t’ia jepja qoftë edhe me vonesë, tani që ishte shtrirë në arkëmort, e bardhë, me pakëz të kuq në faqe, krejt Kukull, në arkëzën e lodrave.

 

Tek e shihja ashtu, më dukej se prej vitesh ishte përgatitur për këtë kapërcim. Kishte vënë pak grim, si për një shfaqje të fundit, kurse stili ishte po ai, dhe i njëjtë ishte thelbi i pyetjes: zëvendësimi i nënës, paçka se mund të përmendeshin fjalët solemne “Nëna Francë” ose “Nëna Shqipëri”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama