Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster ArgjiroFest_ON

Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster ArgjiroFest_ON

Festivali Folklorik Kombëtar  do të mbahet në Gjirokastër nga data 10 maj deri më 16 maj. Ministria e Kulturës  i kushton një rëndësi shumë të madhe jo vetëm si vlerë kombëtare, jo vetëm si pasuri  shpirtërore e popullit dhe kombit, por edhe si një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës universale në rajon dhe Europë. Kemi një thesar të jashtëzakonshëm në larminë e folklorit në perlat muzikore, poetike, instrumentale, zakonore , pa folur për kostumet që janë vërtet të rralla për nga densiteti dhe historia.

Objekt i veçantë i vëzhgimit, këshillimit dhe përzgjedhjes kanë qenë dhe kostumet, për çka Ministria edhe ka shpërndarë kontribute ne të 12 qarqet për të mbështetur rigjenerimin e tyre, ka ndërtuar një projekt pilot për rigjallërimin e traditës së artizantit të kostumografisë, ashtu sikurse dhe nga vetë pushtetit lokal ka patur angazhime për t’u paraqitur në mënyrë sa më dinjitoze.

Plotësimi me kostumet dhe instrumentat përkatëse të çdo bartësi vazhdon edhe këto ditë deri në datë 10 maj.

Pjesë të konkursit do të jenë edhe grupet foklorike shqiptare nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi të cilët vijnë në këtë edicion në një numër 3 herë më të madh se sa Festivalet e kaluara.

Do të kemi nga të gjitha këto grupe më shumë se 1400 konkurrues në të gjitha gjinitë.

Por nuk mbaron me kaq. Festivalin do e përshëndesin grupe të ftuara nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e SHBA, Zvcirës, Turqisë me rreth 100 artistë.

Skena e Festivlait  do të jetë më e madhe se sa thjesht arena e Kalasë.

Gjithë qyteti do të jetë një skenë e madhe natyrale ku 24 orë do të ndodhin ngjarje kulturore e që do të organizohen nga Ministria e Kulturës në bashkëpunum me Bashkinë, Qarkun dhe Prefekturën si dhe me Drejtorinë tonë rajonale te Kulturës

Ekspozita dhe atelie;

Art në rrugë dhe Projeksione filmash;

Spektakle të hapura me Cirkun, Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Banda e ushtrisë, DJ, Performanca antropologjike

5 panaire do të organizohen duke krijuar Panairin e madh shqiptar ArgjiroFest_ON (Artizanat, libra, kulinari, bujqësi, turizëm)

Një skenë e dytë do të shoqërojë të parën, në Sheshin Fantazia, do të ngrihet një tjetër skenë e cliruar nga rregullat konkurruese të Festivalit dhe ku grupet fesitvaliste dhe të ftuarit do të performojnë për publikun në orë të ndryshme, ose pas koncertit në kala.

Mysafirët specialë do të jenë një tjetër zbulim i këtij festivali:

Eda Zari band

Grupi folk nga Janina

Kompleksi Palava nga Çekia

Banda Fanfara Tirana

Trupa e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore

Ansambli Shota i Kosoves

Olen Çezari Band

Rona Nishliu dhe grupi i saj

Këngëtarë të muzikës popullorë nga më të njohurit të ftuar në  mbrëmjen e fundit gala që do të mbyllë dhe shoqërojë fituesit e Festivalit.

Shumë nga ministrite e tjera janë përfshirë me aspektet e tyre kulturore si Turizmi, Bujqësia, Arsimi, Mbrojtja, Rinia e Çështjet Sociale, madje edhe Ministria e Brendshme.

Partneri kryesore mediatik do të jetë Televizioni Publik shqiptar

I cili do të sigurojë gjithashtu transmetimin e drejtëpërdrejtë të të gjithë Festivalit në Pavijonin Shqiptar në Expo-Milano 2015 duke e bere pjese të EXPO-s

Gazetarë te huaj e gazetarë shqiptarë kanë shfaqur tashmë interesimin dhe kane fillluar të akreditohen. Ndërkohë duke filluar nga sot do të kemi faqen e dedikuar në internet, faqen e personalizuar të Festivalit, spotin zyrtar, programin dhe  logon e stilizuar mbi tablonë e mirënjohur të Abdurrahim Buzës “Shqipëria vallëzon”.

 

Ju ftojmë të gjithë të merrni pjesë nën sloganin ArgjiroFest_ON


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama