Per sa emigrante ka nevoje Gjermania?

Per sa emigrante ka nevoje Gjermania?

Evropa duhet të bashkëpunojë më ngushtë për t’i përballuar rrymat e migrantëve, kërkon një organ ekspertësh. Dhe na thotë se pse duhet të gëzohemi për ardhjen e migrantëve.

Sistemi i njohur si “Dublin II” për administrimin e grupeve të refugjatëve ka dështuar, thotë kryetarja e Këshillit të Ekspertëve për Integrimin dhe Migrimin (SVR), Christine Langenfeld.

Në fakt refugjatët duhet të qendrojnë në atë vend, ku shkojnë për herë të parë. Por realiteti ka pamje tjetër. “Nga 45.000 sirianët, që mbërritën në Itali, mbetën atje vetëm disa qindra, pjesën që mbeti italianët e lejuan të vazhdojë rrugën”, përshkruan Langenfeld. Sepse “Dublin II” i mbarkon vendet që i presin në fillim refugjatët dhe nuk është në harmoni me synimet e refugjatëve, është më mirë që në sistem të parashikohet që në fillim liria e lëvizjes.

Në ekspertizën e tyre vjetore me titullin “Midis vendeve të migrimit: Gjermania në krahasim ndërkombëtar” ata propozojnë: në të ardhmen refugjatët duhet të kenë mundësi ta zgjedhin vetë vendin e tyre të banimit në BE – pasi ka përfunduar procedura e tyre e azilit.

Në mënyrë që kjo procedurë të përfundojë në vendet ku refugjatët shkojnë për herë të parë, shtetet partnere duhet të ofrojnë ndihmë logjistike dhe financiare. Ndërsa nga ana e tyre vende si Greqia, Spanja, Malta ose Italia duhet të bashkëpunojnë në mënyrë konsekuente, të përpunojnë lutje dhe të kujdesen për një strehim të përshtatshëm.

Shkencëtarët kërkojnë që Evropa të mbajë përgjegjësinë e saj humanitare dhe ta intensifikojë shpëtimin e anijeve në rrezik. Për këtë, shkencëtarët këshillojnë që të përdoret instrumenti i BE “direktiva për pranimin e përkohshëm të refugjatëve”. Këtu bëhet fjalë për një procedurë kolektive pranimi, por e cila deri tani ka dështuar sepse një sërë shtetesh anëtare nuk marrin pjesënë pranimin e refugjatëve.

Një problem në trajtimin e refugjatëve paraqesin shkaqet e ndryshme të ikjes nga vendi. Azil jepet vetëm në rastet e përndjekjes politike ose kur paraqitet kërcënim fizik dhe për jetën. Por shumë vetë, të cilët vijnë nga jugu i Evropës, janë të interesuar për një perspektivë ekonomike. “Për këto raste ne kemi më së pakti përgjigje bindëse”, pranon Heinz Faßmann, ai jep mësim Gjeografi të Aplikuar dhe Rregullim hapësinor në Universitetin e Vjenës.

“Për luftimin e arsyeve të migrimit unë prej shumë vitesh dëgjoj të flitet dhe kurrë nuk ka ndodhur gjë seriozisht!” nxehet Faßmann për vendimmarrësit në politikë. Por ka edhe projekte me perspektiva, thotë ai, si partneritetet e mobilitetit, në të cilat, migrantët që duan të kthehen mbështeten për ta filluar jetën nga e para në vendin e origjinës.

Migrimi më i madh – i nevojshëm nga pikëpamja demografike

Me vendosmëri Këshilli i Ekspertëve ngul këmbë për të pranuar më shumë refugjatë në Gjermani.

“Ta keni të qartë se migrantët do ta paguajnë pensionin e tyre”, argumenton Wilfried Bos, profesor për kërkimet në arsim në Universitetin Teknik të Dortmundit.

Shifrat aktuale për zhvillimin e popullsisë të Zyrës Federale të Statistikave i japin të drejtë Bosit dhe kolegëve të tij. Deri në vitin 2060 popullata në Gjermani do të rudhet nga aktualisht 80,8 milionë në 73,1 milionë – dhe kjo shifër do të arrihet nëse kemi një migrim mbi mesataren. Nëse migrimi drejt Gjermanisë do të jetë më i dobët, në Gjermani pas 45 vjetësh do të jetojnë vetëm 67,6 milionë vetë.

Një e treta e tyre do të jetë në moshën e pensionit, aktualisht është një e pesta.

Ekspertëve të Këshillit të Ekspertëve u mungon klima e përshtatshme shoqërore e mikpritjes për migrimin e kërkuar. “Frika nga migrantët na pengon që të shohim shanset”, thotë Bos. Në përgjithësi, ekspertiza i jep megjithatë një dëftesë të mirë Gjermanisë.

“Ne jemi më të mirë se sa kujtojmë”, thotë Langenfeld dhe dëshmon për “instrumenta të përparuara të politikës së migrimit”. Veçanërisht procedurat me të cilat tërhiqen akademikë dhe forca të specializuara vlerësohen. Por ato duhet të bëhen më të njohura jashtë vendit, kërkon Langenfeld.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama