Heronjte e harruar te miqesise shqiptaro-serbe

Heronjte e harruar te miqesise shqiptaro-serbe

Boro Vukmiroviç, një serb, dhe Ramiz Sadiku, një shqiptar i Kosovës, u kthyen në ikona jugosllave pasi luftuan fashizmin – a mundet ringjallja e kujtimit të tyre të bëjë ndonjë ndryshim në ish-Jugosllavinë e ndarë të ditëve të sotme?

Në kohën e Jugosllavisë, nxënësit në Kosovë mësonin poema partiotike për dy ushtarë partizanë, Boro Vukmiroviç dhe Ramiz Sadiku, që luftuan kundër pushtimit fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Poema – e cila mësohej nga nxënësit e shkollave në serbisht dhe shqip – përshkruan serbin, Vukmiroviç, dhe shqiptarin, Sadiku, si “dy trupa me të njëjtin gjak”.

Ajo i lavdëron ata si heronj sepse ata nuk pranuan të ndaheshin ditën e ekzekutimit të tyre dhe “u vranë nga i njëjti plumb.”

Të dy burrat u përqafuan ndërsa u ekzekutuan nga ushtarët italianë në prill të vitit 1943.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Vukmiroviç dhe Sadiku, të cilët ishin gjithashtu anëtarë të Partisë Komuniste, u shpallën heronj, dhe gjatë periudhës së Jugosllavisë ata u promovuan si simbole të ideologjisë shtetërore të “vëllazërimit-bashkimit” të Josip Broz Titos.

Shumë rrugë dhe shkolla morën emrat e tyre, gjithashtu në Prishtinë në vitin 1977 u ndërtua edhe gjithashtu qendra sportive Boro dhe Ramizi.

Ata u ekzekutuan në periferi të fshatit Landovicë, pranë Prizrenit në Kosovë, dhe atje u ngrit një monument, i cili në mënyrë simbolike i tregonte ata të përqafuar para ekzekutimit.

Por sot, Boro dhe Ramizi shihen mjaft ndryshe në Kosovë, ku përqafimi i tyre miqësor është harruar dhe përpjekja e tyre e përbashkët është errësuar nga një konflikt i kohëve më të fundit.

Kur lufta midis luftëtarëve të Kosovës dhe forcave të Sllobodan Millosheviçit përfundoi në vitin 1999, monumenti i tyre në Landovicë u hoq dhe një tjetër, në nder të “martirëve” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që luftuan kundër sundimit të Beogradit, u ngrit në vendin e tij.

Qendra sportive në Prishtinë u riemërua “Pallati i Rinisë dhe Sporteve” dhe hyrja e saj tani është dekoruar me posterin e një heroi më bashkëkohor – ish-komandanti i UÇK-së Adem Jashari, i cili u vra nga forcat jugosllave të sigurimit gjatë një rrethimi të përgjakshëm të shtëpisë së tij në vitin 1998.

Në parkun e qytetit në Prishtinë, ndodhet ende një bust prej guri i Ramiz Sadikut. Dikur pranë tij ishte edhe një bust i Boro Vukmiroviç, por ai u hoq pas luftës, dhe tani Ramizi ndodhet krejt i vetëm atje.

Ibrahim Çitaku, një shofer në pension nga Prishtina, tha se monumenti në park duhet të ishte mbrojtur, sepse ai është pjesë e historisë së Kosovës.

“Unë mendoj se ne nuk i dimë vlerat e kohës. Është për të ardhur keq,” tha Çitaku.

Por pensionisti Halil Rama dha një opinion krejt ndryshe: “Ramizi vdiq për Boron,” tha Rama.

Ai këmbënguli se Ramiz nuk pati asnjë mundësi tjetër, por vetëm të ekzekutohej bashkë me Boron.

“Përndryshe, ai do të vritej nga serbët,” tha Rama, duke shtuar se vetë babai i tij u vra nga forcat partizane jugosllave në një masakër në Tivar të Malit të Zi në vitin 1945.

Ndërkohë Granit Maraj dhe Blerim Dreshaj, dy studentë në Universitetin e Prishtinës, thanë se ata dinin shumë pak për historinë e Boros dhe Ramizit.

“Brezi im ndoshta ka më shumë njohuri për gjëra që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë. Si një 19-vjeçar, nuk di shumë gjëra për gjëra që kanë lidhje drejtpërdrejtë me pushtimin serb apo me serbët që qëndruan në Kosovë,” tha Ramaj.

Dreshaj, 19 vjeç, tha se ai e njihte Ramizin, por s’e kishte idenë se kush ishte Boro.

“Sot dëgjova për herë të parë për të,” tha ai.

Një monument i ri tolerance

Muajin e kaluar, një grup të rinjsh që po punonin në një projekt ndërkufitar të quajtur “Kujtime Rinore” ribashkoi për pak kohë Boron dhe Ramizin në parkun në Prishtinë, duke vendosur një fotografi të atyre të dyve në bustin e vetëm që ka ngelur aty.

“Sot ne kryem një gjest simbolik duke vendosur një fotografi të atyre të dyve bashkë – duke lidhur hendeqet e ndarjeve nacionaliste,” shkruan ata në Facebook.

Ata thanë se donin të tregonin miqësinë ndëretnike dhe unitetin që dikur ekzistonte midis popujve gjatë luftës antifashiste në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në projektin “Kujtime Rinore” marrin pjesë njerëz nga Bosnja dhe Herecegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Sernia dhe Kosova dhe ai ka si qëllim të studiojë monumentet në të gjithë ish-Jugosllavinë për “të siguruar një imazh më të qartë të kulturës që i krijoi ata”.

Projekti sponsorizohet nga organizata për zhvillimin e medias “Intervieës” dhe mbështetet nga OKS-ja Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe ka si qëllim të luftojë mosbesimin dhe diskriminimin që lindin nga perspektiva të ndryshme të historisë së kohëve të fundit në rajon.

Pjesëmarrësit do të punojnë së bashku për të ngritur një monument të ri me një mesazh paqeje, tolerance dhe uniteti.

Një prej tyre, Venera Cocaj, që lindi në Kroaci dhe tani po studion në Prishtinë, tha se monumentet shpesh manipulohen për arsye politike.

Ajo citoi shembullin e Monumentit të Heronjve të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare, një memorial i Luftës së Dytë Botërore në qendër të Prishtinës dedikuar atyre që vdiqën në luftë kundër okupimit fashist.

Monumenti i tetë luftëtarëve partizanë është ringjyrosur sipas flamujve të SHBA, Francës dhe vendeve të tjera që u panë si miqtë e Kosovës gjatë luftës në vitin 1999.

“Kuptimi i monumentit ka ndryshuar. Kjo është një luftë politike, edhe me monumentet,” tha Cocaj.

Ajo gjithashtu theksoi se rezistenca paqësore për qeverisjen e Beogradit në Kosovë në dekadën përpara luftës ishte një periudhë e rëndësishme për shqiptarët e vendit, por nuk ka monumente që e përfaqësojnë këtë.

“Një fëmijë i lindur pas vitit 2000 mund të shohë vetëm statujat e luftëtarëve të UÇK. UÇK dhe lufta janë fakte, por ka shumë ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhën gjatë viteve 1990,” tha ajo.

Një pjesëmarrëse tjetër në projekt, Jeta Rexha, tha se ajo beson se të rinjtë në rajon kanë më shumë të përbashkëta sesa lufta që përcaktojnë historitë e fundit të vendeve të tyre.

“Me histori të tilla, izolimi e mbyt të shkuarën,” këmbënguli ajo.

Të rinjtë e rajonit nuk do të jenë më “asgjë pa tjetrin”, siç ishte poezia e kohës jugosllave rreth Boros dhe Ramizit, por duke punuar së bashku mund të fillojnë të heqin dorë nga stereotipat bashkëkohore, siç duket se sugjeron projekti “Kujtime Rinore”.

Ose siç e thotë Rexha: “Ne duam të shfaqen rrëfime të ndryshme”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama