Janë dy tablo të paekspozuara më parë. Nuk janë thjesht një kujtim për të. Janë shumë më tepër se kaq. Njëri prej tyre, një portret burri, thuhet se është ndër portretet më të bukur të Idromenos. Ai është babai i tij. Dikur njeri i pushtetshëm, një figurë e njohur në Shkodrën e viteve '20-të. Ndërsa tabloja tjetër ku shfaqet një grua me kostum karakteristik të Shkodrës, në gjysëm bust, me vështrimin ngulur diku në një pikë të papërcaktuar, është një tablo që i kujton nënën, imazhin e saj në rini. Prej vitesh komunikon me ato dy portrete. Nga viti 1971, kur të dy e lanë njëri pas tjetrit, nëna dhe babai, piktori i vjetër shkodran Ndoc Gurashi, gjen tek ato dy tablo një pjesë të jetës dhe kujtimeve të tij të hershme.
Të dy pikturat origjinale, të realizuara 84 vjet më parë (i takojnë viteve 1923-'24) nga mjeshtri i madh i periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Kol Idromeno, janë prezantuar për herë të parë në një ekspozitë të çelur së fundi në qytetin e Shkodrës. Tablotë janë paraqitur përkrah punimeve më të mira të 27 piktorëve shkodranë, të cilët të inkuadruar në shoqatën "Kol Idromeno", u prezantuan me një ekspozitë të përbashkët, çelur në Galerinë e Arteve Figurative "Shkodra". Kryetari i Shoqatës, "Kol Idromeno", Nikolin Luci thotë se punimet e Idromenos janë tablotë më domethënëse të kësaj ekspozite. "Në njërën pikturë paraqitet portreti i Kol Gurashit, ish-komisar i Shkodrës dhe në tjetrën, nëna Nine, prindërit e piktorit Ndoc Gurashi, i cili i ruan prej vitesh në shtëpinë e tij.
I kontaktuar në telefon dje pasdite, piktori Gurashi na rrëfeu shumë detaje të miqësisë mes familjes Idromeno dhe prindërve të tij. "Kol Idromeno ka qenë mik i familjes". Të gjithë e dimë pasionin e hershëm të Idromenos për muzikën, posaçërisht për violinën. "Me babain tim mblidheshin shpesh, madje kanë luajtur muzikë në shumë festa e ahengje të asaj kohe".
Kol Gurashi, komisar policie në kohën e mbretit Zog, nuk mund ta ndante karrierën e tij ushtarake naga pasioni për muzikën. Djali i tij, piktori Ndoc Gurashi thotë se Kola interpretonte në harmoni. "Idromenon e kemi pasur fqinj, afër shtëpisë. Madje, ai i ka dhënë mësime pikture edhe motrës time, Pina Zadrima Gurashi".
E ndërsa flet gjatë për këtë miqësi, piktori Ndoc Gurashi nuk mund të harrojë të na tregojë se si janë krijuar ato dy portrete.
"Idromeno i ka punuar në shtëpinë tonë të dyja tablotë.
Kishte dëshirë të bënte një portret të babës. Shpesh i ishte lutur për këtë gjë". Dhe në fund, kur tabloja me komisarin e policisë së qytetit të Shkodrës kishte shënuar një pikë tjetër të mjeshtërisë së Idromenos, nëna Nine, e mahnitur nga tabloja i kishte kërkuar piktorit të realizonte edhe një portret të sajin. "Sigurisht, Idromeno e realizoi edhe tablonë e nënës, megjithëse nuk doli në lartësinë e tablosë tjetër", - thotë Ndoc Gurashi, ndërsa ngutet të thotë se "që nga koha e krijimit janë ruajtur me shumë xhelozi në shtëpinë time". Ai na thotë se tablonë e babait të tij, komisarit të policisë, e ka ruajtur si një sekret të madh përgjatë gjithë viteve të diktaturës. Të vetëdijshëm për efektin që jepte në diktaturë çdo kujtim nga koha e Zogut, familja Gurashi vendosi ta lërë në harresë atë periudhë. Në kujtim të mikut të tij Idromenos, ish-komisari i Shkodrës nisi të merrej edhe vetë me pikturë në vitet e fundit të jetës, derisa vdiq në mars të vitit 1971, e fill pas tij e ndoqi edhe nëna Nine, 3 muaj më vonë…
Prej 36 vjetësh, në shtëpinë e Ndoc Gurashit mungojnë zërat e tyre, rrëfimet për histori të hershme dhe kujtime të bukura. Por vështrimi i të dyve, mimika dhe ato mendime që kanë gjezdisur në ato çaste pikturimi janë ende aty, në tablotë e mjeshtrit Idromeno, si në ato ditë të viteve '20-të të shekullit të shkuar.
Per me teper informacion klikoni ketu
Marre nga : Gazeta Shqip











