I vogël qëndron shpesh me sytë ngulur nga motivet e qilimave. Ornamente, ngjyra, dekoracione. Të gjitha i krijojnë asosacione të jashtëzakonshme në sy. Nuk pipëtin. I ati nuk kupton këtë pasion të fëmijës, që kërkon të gjejë kuptimin e një bote tjetër. Vetëm vizaton. Sërish të nesërmen. Aty. Rritet. Pikturon. Shikon. Lufton. Me të panjohurën. Me veten. Me fatin. Manovron. Kthehet sërish në betejë. Rritet...
Ali Oseku ishte një nga piktorët shqiptarë, që mbaroi në kohën e socializmit Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Sot, në këtë vend, ku ai jep mësim, pas një kalvari të gjatë, ajo quhet Akademia e Arteve. Mund të quhet njeri me fat, sepse përjetoi ndarazi periudhën më të nxehtë të ideopolitizimit të artit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XX, ashtu si edhe lirinë pa fre të pas viteve ’90. Dhe, ashtu si erdhi, tash ia vlen ta kujtosh. “Unë dua vetëm të pikturoj” thotë ai ashtu plot vrull, siç e përcakton krijimtarinë e tij kroati Shkunca: “Piktura e Osekut është në rrugën e zhvillimit të vrullshëm”. Asgjë nuk ndalon tek ai, ndërsa ai mbetet prej orësh, ditësh, muajsh: pjesë e një orari ditor, që i ka stacionet jetësore të qarta. Shtëpi-Shkollë-Studio-Piaca-Studio-Shtëpi. Kaq. Po të devijojë, diçka duhet t’i ketë ndodhur. Sytë e artistit, që shkoqisin këtë botë i qëndrojnë ngulur një koke të stërmadhe. Mbi një mjekër epike, ato, kalojnë histori, ngjarje dhe punë. Përmend me respekt profesorët Buza- plaku, Sadik Kaceli.
Shkollën do e mbaronte suksesshëm pas ndalesash të pakta. Kishte arritur me pak mundim, por në një familje, që ia kultivoi dëshirën, ose qëllimin e vetëm të jetës së tij, që të ishte një artist. Rebel, kokëfortë pranon më mirë të lerë Kinostudion si asistent/operator dhe të jetë një i papunë. I pëlqen hapësira. Humbet pas saj, sendeve të saj. I bindur se është më shumë një piktor. Ka besim në artin e tij. Vite më vonë shokët e kujtojë dhe e ngacmojnë në burg, kur i thotë gardianit të tij:”Kujdes..hajvan... këto duar janë krenari e kombit”. Në fakt bash prej atyre duarve e pëson. Pasi ka mbyllur me sukses diplomën me një kompozim gjigant 4x2 “Përgatitja ushtarake” në teknikën e vajit, ai është pjesë e atij grupi shpërthyes, “që ngulnin këmbë për një kërkesë figurative pak sa të devijuar në formë”, do të shkruajë kritikja e artit figurativ shqiptar Zana Varvarica. Por, piktori duket se nuk është i njëtrajtshëm. Duke i lënë shpirtit tallazet dhe abstragimet, përpiqet të ngjizë në vetvete -atë që vite më vonë do e përçojë në art.
Nga jashtë nuk manifeston as tensionin më të vogël. Tallet. Prehet pa fund në lirinë e tij. Në një studio më të pastër se laboratori i kimisë, sot, i përmbahet disa rregullave të paqta në jetë. “Pa ngrënë dhe pa kushte, pa bërë pis (fizikisht) nuk mund të jesh kurrë artist”. I ka shpallur luftë mediokritetit dhe kotësisë me të gjitha format. E urren artin për art. Konvencionin. Një qetësi e paqme që i rrethon fytyrën e konfuzon në meditimet e shumta. Arendt, Aurelio...Të gjitha thotë se po i lexon tani në të njëjtën kohë. Në kohë të tij kishte ndikimet e Pikasos dhe Brakut, ndërsa njëfarë kohe kur i ndodhin ndryshimet në kokë- shoqërohet me Perikli Jorgonin, Mihal Hanxharin , Edison Gjergon etj. Në Tiranën e asaj kohe qarkullon edhe literaturë (ruse-më pak nga Kosova) dhe brezi i tij po ushqehet me një kulturë, që regjimin e bezdis. “Jam pjekur”, thotë pas një hopi. Fillimisht puna e parë është një skenograf, pas diplomimit. E kultivon pa fund veten duke parë shumë nga media vizive, por edhe nga literatura- një tjetër art.
Bën dekadën e Majit. Merr dhe çmim një vit këtu. Bën skenografitë e disa pjesëve në Teatër të Operas dhe në Balet. Nuk i shpëton edhe aktiviteteve të propagandës. I pëlqen hapësira këtu, ndaj në 30 Vjetorin e PPSH-së, bën tre X të stërmëdha. Bie menjëherë në sy të artistëve, por edhe të një rrethi ndryshe. Në takimin e parë me Fatos Lubonjën, do të mbetet i çuditur, kur djali përballë do i thotë: Si fovistët...Pra në Tiranë ka dhe shumë të tjerë si ai. Nuk është i vetëm. Pas gati 40 vjetësh kur i kujton këto ndalet...Duhet të ketë një rokupujë në kokë, ngjarjesh dhe përjetimesh. Në një përvjetor të Leninit i thonë: E shikon skenën. Zgjidhe. Fillon të punojë. I shtang. Nuk kanë ç’ti bëjnë. Bën një skenë bardhë e zi në teatër. Një element krejt i ndaluar në atë kohë. Punon. Ndryshon. Kërkon veten. Qesh dhe argëtohet. Me sistemin bën naivin. Punon për “Vitin ‘61" të Paçramit. Më 1972 me “Traviatën”, që mban regjinë e Luarasit. Para të gjithëve është thjesht një moskokëçarës. Bën shumë skenografi. “Një artist i mirë duhet t’i prekë të gjitha”, e justifikon sot veten.
Njësoj edhe në galeri, kur do të punojë. Bën skica dhe i djeg. Një hapje fataliste me jetën...
Kritika për artistin
Proçedura krijuese e ndryshueshmërisë së piktorit është ekspozuar herë pas here dhe po të kishim mundësi ta ballafaqonim në figurë këtë do të zbulonim harmoninë e këtij proçesi. Në se krijimtaria e tij nis si një krijimtari realiste-figurative, në vitet ’70 të shekullit XX, në ekspozimin e Tetor 2001 në mjediset e frekuentueshme të Qendrës “LindArt”, Tiranë, ajo shpallet si një krijimtari abstrakte-figurative. Duke lënë mënjeanë përmbajtjen realiste të pikturës së tij, duke vënë theks të veçantë mbi formën, e cila ndihmon një përmbajtje të shfaqet, ndjen gjestin e vrullshëm të psikikës së përdorur nga Oseku për të realizuar trajtën vetjake artistike. Kështu ka ndodhur edhe kur piktori filloi në mënyrë graduale të largojë figurën e njeriut nga telajo e tij dhe t’i kushtonte emocione të forta shprehëse sipërfaqeve të pikturuara vetëm nën presionin e mijëra formave, ngjyrave e tonaliteteve, shkruan Varvarica.
Vishet, punon, mendon ndryshe. I dhurojnë riedukimin në Elbasan. Punëtori i thjeshtë duhet të mbijetojë. Nuk i humb shpresat. Ka kohë që të bëjë përsiatjet e tij. Shkruan. Nuk e ka të gjatë...”Për tendenca moderniste në art...” e gjen veten në burg. Gjashtë muaj në birucë dhe në famëkeqin Spaç për një edukim-zdrugim. Dëshmitarë janë ata me të cilët mund të shpresonte që do të ndryshonte diçka... Në këtë kudhër force nuk ka më kohë për të bërë përsiatje. Mbijetesë. Qesh kur kujton normën e burgut. E kalon. Forca i kalitet, ndërsa dashuria për jetën dhe të bukurën i bëhet e papërmbajtur. Do të rrezatohet gjithçka vite më vonë në punë. Bën edhe ato për të cilat pendohet vonë. Bën një portret vigan të Enverit. Jeta?! Fillimisht ky proces i evidentimit të formës dhe ngjyrës pati shpjegime konceptuale prej autorit që i lidhte direkt me ndjesitë e tij rreth hidhërimit apo tronditjeve sociale, të pashmangshme në jetën njerëzore, rreth errësirës si një mosnjohje e disa situatave të pa shkeluara nga emocioni dhe mendimi i lirë njerëzor, dhe që rreth mesit të viteve ’90 Prof. Dr. Artur Bauer, në një ekspozitë në Kroaci, për krijimtarinë e Osekut do të kishte këtë mendim:
“Oseku ka forcë, të cilën e gjen tek lëvizjet e forta dhe të sigurta të brushës. Kjo forcë vendos në pikturën e tij sfonde ngjyrash që krijojnë përmbajtjen e motiveve të tij”, përmëndim sërish Znj. Zana Varvarica.
Pak nga pak në pikturën e tij humb qenia dhe emocioni shfaqet me ngjyrën që pushton telajot e mëdha, që duhet të burojnë nga e gjithë struktura e mendimit të Osekut. Duke e vështruar artdashësi humbet dhe lbyret në çuditë që manifeston dora e tij. Në fakt janë thjesht sende, por që tash janë shpirtëruar prej tij dhe duket sikur eteri e mban të ngjitur pas vetes. “Unë dua që të jem larg. Dua hapësirë..Unë lexoj që të përfytyroj... Njeriu duhet që të jetë xhentil”,- thotë. I bën himn gruas, femrës.Në këtë hapësirë ngjyrash dhe ndjesish në sipërfaqe zbulon një pastërti ëndrash, që mundohet të të largojë nga i gjithë ky mjedis vrasjesh, përdhunimesh, epshesh mbi mishin e bardhë, “mendimit” perves, varfërisë. Punon sërish. Eksperimenton. Studentëve të tij u jep veç përvojë dhe forcë. Provon të mbijetojë me artin e tij. Nuk ofendon. Zhytet sërish si ai fëmija i vogël në ornamentet e bukura, tash të hapësirës së pamatë të ngjyrave të tij.
Ben Andoni : Revista Mapo











