Tirana pa makina Veliaj Me 22 shtator qendra kthehet ne pedonale

'Tirana pa makina', Veliaj: Me 22 shtator qendra kthehet ne pedonale

Bashkia e kryeqytetit ka lajmëruar sot nismën “Tirana pa makina”. Ka qenë vet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ai që e promovoi i pari këtë nismë, pasi përdori sot biçikletën në vend të makinës, për të sensibilizuar qytetarët që të përdorin sa më pak makinën e tyre në jetën e përditshme, si dhe për t'i dhënë qytetit mundësinë e një jete më të shëndetshme.

“Jam shumë i lumtur që sot fillojmë një javë fantastike për Tiranës, do të jetë java e mobilitetit ku duam t’iu promovojmë një jetë të shëndetshme në Tiranë, njerëzve që ecin dhe që përdorin biçikletat. Më vjen mirë që bashkë me Ecovolis, atë që nisëm gjatë fushatës, duam që ta vazhdojmë edhe tani në Bashkinë e re të Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë.

Ai ka bërë të ditur se nisma në fjalë do të shtrihet në një javë dhe përgjatë këtyre ditëve, bashkia dhe organizatat e ambientaliste do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh që kanë për qëllim që të nxisin qytetarët, që të përdorin mjetet ekologjike për të lëvizur në Tiranë.

“Në datën 22 shtator, ditën e martë, ne do të bllokojmë totalisht trafikun në qendër të Tiranës, brenda asaj që quhet unaza e vogël e Tiranës për të pasur një qendër të kryeqytetit pa makina”, tha Veliaj.

Më tej ai ka sqaruar se, ndërmarrja e kësaj nisme bëhet e domosdoshme për shkak të ndikimit negativ që ka në jetën e qytetarëve lëvizja me makina.

“Për disa njerëz këto janë aksione simbolike, por dua që të argumentoj pak pse është jetike për qytetin e Tiranës ndryshimi i stilit të qytetit. Çdo vit në qytetin tonë 500 qytetarë humbasin jetën me problem në mushkëri nga problemet e ajrit. Kjo është një statistikë e frikshme. Kështu që ne këtë statistikë e marrim shumë seriozisht. Çdo ditë në Bashkinë e Tiranës lëvizin 140 mijë makina. Kjo do të thotë që ka njerëz që e marrin makinën për të shkuar nga një kafe në një kafe tjetër. Kjo është totalisht e papranueshme”, tha Veliaj. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se, gjatë ditës së sotme në Bashkinë e Tiranës është vendosur një stacion biçikletash, ndërsa ka urdhëruar zyrtarët e bashkisë që të përdorin më shumë biçikletat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama