Sa me primitiv aq me i lumtur ?

Sa më primitiv, aq më i lumtur ?

Në këtë vend është e pamundur të jesh i qetë. Është e diel dhe kjo ditë përkon me një nga festat më të rëndësishme kombëtare të vitit. Të gjithë banorët e Vanatusë mbajnë veshur veshjet e tyre më të bukura tradicionale. Përballë tribunës së nderit, në kryeqytetin Port Vila, një numër i madh ushtarësh ecin para e pas, duke u rënë borive. Presidenti, i cili sapo ka mbërritur me limuzinën e tij të zezë dhe Kryeministri, që përgatitet të lexojë diskutimin e tij për gjendjen e shtetit, janë gjithashtu të pranishëm në këtë paradë. Duket një ceremoni normale shteti, ku marrin pjesë të gjitha trupat ushtarakë. Të gjithë janë të gëzuar sepse është festë, është dita e pavarësisë së vendit. Papritur, banda fillon të ndryshojë llojin e muzikës, duke kënduar me zë të lartë një këngë që flet për fatin e madh që të jetosh në këtë ishull. "Yumi, yumi, yumi, I glad o man blong vanatu", këndojnë të gjithë njëzëri (Jemi të kënaqur që jetojnë dhe i përkasim Vanatusë), ndërsa më pas vazhdojnë: "Jemi të kënaqur, jemi të kënaqur, jemi të kënaqur".

Me hap të ngadaltë

Kohët e fundit, "New Economist Foundation" (NEF) ka deklaruar se njerëzit më të lumtur të planetit jetojnë në këtë parajsë tropikale. Arkipelagu, që gjendet mes Guinesë së Re dhe ishujve Fixhi, duket se u ofron atyre kushtet më të mira për arritur lumturinë absolute. Në të vërtetë, asnjë nga shtetet më të industrializuara të botës prej brezash nuk arrin t‘u japë qytetarëve atë çka Vanatu arrin t‘u ofrojë "falas". Është e sigurt që gjermanët, amerikanët dhe japonezët jetojnë në bollëk dhe mund të plotësojnë çdo dëshirë të tyre materiale, por nuk mund të jenë të lumtur. Këto shtete janë edhe ato që shënojnë numrin më të madh të vetëvrasjeve si pasojë e depresionit. Në fakt është e çuditshme se banorët e Vanatusë që nuk kanë asgjë, as ujë, drita, shtëpi apo telefon janë shumë herë më të lumtur se ata që i kanë të gjitha, edhe pse ky arkipelag me 83 ishuj është një vend në zhvillim e sipër, që preket shumë shpesh nga tërmete dhe uragane.

Vanatuja numëron rreth 200 mijë banorë, të ardhurat e të cilëve nuk janë më shumë se tre mijë euro në vit, ndërsa njerëzit jetojnë mesatarisht deri në 68.8 vjeç. Vanatuja është republikë demokratike, e pavarur që prej vitit 1980. Më parë vendi ka qenë nën sundimin britaniko-francez. "Kam ngelur vërtet pa fjalë. Deri në atë moment nuk kisha dëgjuar të flitej kurrë për Vanatunë", tregon Nic Marx, njëri nga autorët e kërkimit për të hartuar "Happy Planet Index" të NEF-it. Në fakt, që kur u publikua raporti i lumturisë, posta elektronike e Kiery Manassah është gjithmonë plot. Manassah është kryeredaktor i "Vanatu Daily", e vetmja gazetë e përditshme në këtë vend. Është intervistuar nga "BBC"-ja dhe "Reutersi", ndërsa një trupë televizive japoneze dhe një reporter i "New York Times" ka deklaruar se së shpejti do të jetë aty për xhirime të ndryshme. Deri më tani, arkipelagu nuk kishte tërhequr kurrë vëmendjen e botës. Të gjithë duan të dinë se si ka mundësi që banorët në atë tokë të largët janë kaq të lumtur. Ndoshta për këtë arsye, nga kompjuteri i tij, Manassah përpiqet t‘i kthejë botës një përgjigje.

"Nuk kemi shumë, por gjithçka që kemi e ndajmë mes nesh", pranon ai, ndërsa kërkon një kartëvizitë. Tavolina e tij, e "mbytur" në letra gjendet në dhomë jo të ndriçuar mirë, përkrah atyre të tetë bashkëpunëtorëve të tjerë. Manassah mban veshur një kostum sportiv, ndërsa në këmbë një palë sandale plazhi. "Jemi të lumtur sepse kemi një sens përkatësie shumë të fortë. Jemi një shoqëri pak a shumë e barabartë", vazhdon më tej ai. Më pas kujtohet se i ka mbaruar prej kohësh kartëvizitat, ndërsa i vjen ndërmend se faqja speciale për festën e pavarësisë duhej të ishte mbyllur në atë orë. Fillon të qeshë me të madhe: "E sheh, duket se është ky principi kryesor i lumturisë sonë. Nuk nxitojmë asnjëherë për t‘i bërë gjërat", thotë. Në të vërtetë, jeta këtu rrjedh shumë ngadalë, të paktën kështu duket po ta krahasosh me atë në ishullin kryesor, Eftage. Dielli po zhduket, është perëndim. Në shumë prej fshatrave nuk ka drita elektrike, telefona apo internet.

Kush ka pasur mundësi ka marrë hua ndonjë televizor dhe gjenerator që nga koha e kampionatit botëror të futbollit. Në atë kohë, të rinjtë dilnin shëtitje me bluzat e Bekamit dhe Balakut, duke kaluar përmes gjetheve të mëdha të palmave dhe pemëve qindra vjeçare të avogadrove, ndërsa në shtëpi nënat gatuanin patate të ëmbla dhe mish të kuq. Njerëzit, kryesisht burrat, mblidheshin pothuajse të gjithë në shesh për të parë ndeshjet. Pastaj pas finales i kthyen televizorët andej nga i kishin marrë. "E përse duhej t‘i mbanim", pyet Ralph Regenvanu, që është drejtor i muzeut kombëtar të Vanatusë dhe një "ruajtës" i traditës kulturore të ishullit. Ai mbledh relike të kohës, kur Vanatuja konsiderohej nga misionarët e krishterë një ishull kanibalësh i populluar nga "të zinj të egër". Në atë kohë, njerëzit praktikonin akoma shkëmbimin, ndërsa për të paguar përdornin guaskat në vend të parasë. Kjo është edhe tema e preferuar e Regenvanu-së: paraja. "Paraja gjeneron varfëri", pohon ai. Është i bindur plotësisht për këtë, ndoshta nga ajo që ka parë se si jetohet në Perëndim.

Antropologu i përket brezit të ri të "ni-van"-ëve. Çdo vit, rreth 20 të rinj nga ishulli shkojnë të studiojnë jashtë me bursa studimi të ambasadës australiane, apo asaj neozelandeze. Regenvanu ka qenë edhe në Evropë dhe ka pasur mundësi shumë të mira për të punuar në Londër apo Paris, por i kishte refuzuar të gjitha ofertat. "Preferoj të angazhohem për të mbrojtur njerëzit e Vanatusë nga doktrina perëndimore", thotë dhe menjëherë të vjen ndërmend pyetja se çfarë ka ndërmend kur thotë këtë? "Që natyra na ka dhënë gjithçka që kemi nevojë për të jetuar, tokë dhe familje. Sigurisht që nuk kemi nevojë për televizorë për të qenë të lumtur", përgjigjet. Në vitin 2005, Vanatuja importoi mallra për një vlerë rreth 16 milionë euro, ndërsa eksporti ishte vetëm 3 milionë. Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Bankës Botërore, vendi duhet të rrisë eksportimet për t‘u zhvilluar. Vite më parë, politikanët kishin menduar të transformonin vendin në një parajsë fiskale ndërkombëtare, domethënë të pengonin investitorët dhe të rrisnin prodhimin e brendshëm dhe eksportimet.

Por tentativa e tyre dështoi. Joe Ligo, administrator i deleguar i Bankës Botërore për reklamimin e investimeve të Vanatusë, viziton rregullisht ishujt më të largët të arkipelagut. Ai prezantohet në ato vende me një "valixhe" plot me ide të Bankës Botërore, mbështetësja kryesore financiare e vendit. Kur është në ato anë, çdo mbrëmje ulet rreth zjarrit me kryetarët e fiseve të vendit dhe pi me ta kava, një pije narkotike tipike e vendit, e përdorur që nga lashtësia. Prej shekujsh, çdo fis i përballon kështu problemet, me pijen e ftohtë, ngjyrë balte, e me shije të hidhur, sepse pa kava në Vanatu nuk mund të diskutohet. Madje, disa mbështesin faktin se arsyeja kryesore për të cilën ishujt janë kaq paqësorë është se njerëzit aty nuk pinë alkool, që të eksiton dhe të bën agresiv, por vetëm kava. Në fakt, Joel Ligo, kërkon t‘i bindë njerëzit që të merren me më shumë investime për të jetuar më mirë. "Mund të mbështeteni tek pemët e santalit", i ka propozuar Ligo kohët e fundit disa fiseve, duke i argumentuar se të ardhurat që do të arrinin të fitonin nga vaji i drurit të santalit do të ishin marramendëse, duke parë çmimin me të cilin shitet në tregun botëror. "Mund të fitoni më shumë para, të blini më shumë gazoil, të sillni elektricitetin në çdo shtëpi, të merrni telefon, të ndërtoni shtëpi të reja, apo të blini këpucë të reja si këto të miat", është munduar t‘i bindë ai. "Në fillim, u duk sikur e pranuan menjëherë kërkesën time kur panë këmbët e tyre të zbathura, ndërsa më vonë u mblodhën për të bërë pak muzikë, sepse të gjithë këtu i bien kitarës, ndërsa më vonë shkuan për të fjetur në rrogozat e tyre prej gjineshtre", tregon ai.

Pushimet e fshatarëve

Kur Joe Ligo u kthye në ishuj disa muaj më vonë, nuk kishte ndryshuar asgjë. I gjeti njerëzit që peshkonin në lagunën e tyre, barkat e vjetra të vendosura në të njëjtin vend. Dukej sikur koha kishte ndalur. "I pyeta se si shkonte puna me pemën e santalit dhe më thanë se kjo gjë nuk u interesonte madje dikush shtoi se nuk kishte veshur kurrë sandale në jetën e tij, përse duhej ta bënte tani diçka të tillë", tregon Ligo që më shumë se i zhgënjyer ishte zbavitur shumë me këtë projekt. "Çfarë mund të bëjë tjetër, këtu njerëzit nuk duan të kultivojnë bimën e santalit e as të kenë lekë më shumë. Janë të kënaqur me atë që kanë. Në Vanatu nuk është vështirë të jetosh. Në këtë klimë të ngrohtë dhe të lagësht rriten arrat e kokosit, mangoja, avogaroja, banania, gerpfruti. Uji i rrjedhshëm sigurohet nga përrenjtë, ndërsa edhe pa karburant mund t‘ia dilet mbanë, sepse pjesa më e madhe e automjeteve punojnë me naftë biologjike me bazë vaj koku. Një herë një vit, ndonjë ciklon shkatërron gjithçka, por njerëzit janë mësuar dhe kjo nuk u bën përshtypje.

Aty familjet janë shumë të mëdha, pothuajse me dhjetë deri në dymbëdhjetë anëtarë dhe me më shumë se 8 fëmijë. Po ashtu, në çdo kohë njerëzit janë të gatshëm për të ndihmuar njëri-tjetrin për të ndërtuar kasollet. 80 për qind e banorëve të ishujve më të largët jetojnë nën një regjim praktikisht autonom. Peshkojnë aq sa është nevojshme për të jetuar dhe merren me rritjen e perimeve në kopsht. I mirëpresin me buzëqeshje investitorët e huaj, të cilëve u drejtojnë pyetje të tilla të pakuptimta: si ju quajnë, nga vini, kë njihni. Në kryeqytetin Port Vila, ku prej pak kohësh janë hapur kioskat e para që tregtojnë "hot dog" dhe bankomatët e parë, ka filluar koha e pushimeve për njerëzit e pasur, që preferojnë të shkojnë nëpër plazhe private dhe të hanë nëpër restorante. Vetëm natën, kur rëra duket e bardhë nën dritën e Hënës dhe "mysafirët" e hoteleve flenë, mund të ndodhë që të dëgjosh ndonjë "ni-van" që i bie kitarës në plazh. Qëndron ulur mbi një shkëmb, ku së shpejti do të ndërtohen rreth 30 vila të reja për të turistët.

Këndon për një peshkatar të lumtur, që në mes të detit ka nostalgji për të shoqen dhe nuk dëshiron asgjë tjetër.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama