Ky qytet buzë Danubit ka pritur me shumë dashamirësi dhe qytetarët shqiptarë, duke iu dhënë atyre mundësinë që të ndihmojnë atdheun e tyre. Njëri nga më të rëndësishmit prej tyre të ardhur në Braila, ishte dhe Naum Veqilharxhi. Ai përfaqëson një figurë të shkëlqyer, jo vetëm për historinë e Shqipërisë, por dhe për atë të Rumanisë, duke zënë kështu një vend nderi jo vetëm në vendin e vet, por edhe në historinë e qytetit të Brailës dhe të vetë Rumanisë. Naum Veqilharxhi ka lindur në fshatin Vithkuq të rrethit të Korçës, më datën 6 dhjetor 1797. Kjo zonë gjendet shumë pranë qendrës mesjetare të kulturës në Voskopojë. Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823).
Duke qenë ortodoks dhe me një origjinë arumune, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca). Por që në rini, Naumi, duke qenë dhe tip jokonformist dhe i influencuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej një nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë, duke bashkëpunuar dhe me figurën e njohur Ipsilantin. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar. Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes. Naumi zotëronte disa prona të patundura dhe ndërkohë ushtronte dhe profesionin e avokatit. Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune. Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçar për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për ne shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me ndihmën e alfabetit grek dhe atij arab.
Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t‘u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije. Naum Veqilharxhi, përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet me krijimin e shoqërisë "Drita" në vitin 1848.
Në këtë kontekst Naumi gjeti të gjitha kushtet për të manifestuar idetë e tij iluministe rilindëse. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët. Ndërkohë familja Veqilharxhi i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm Shqipërisë, por dhe Rumanisë. I pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes u emërua Konstandin Veqilharxhi. Sot mund të themi që këto dy shtete, Shqipëria dhe Rumania, nuk ia lanë harresës, njeriun që bëri urën e miqësisë mes tyre. Ata i dhanë mirënjohjen e kujdesin e merituar. Për shembull shtëpia e Naum Veqilharxhit në qytetin e Brailas, është kthyer në muze dhe ajo ruhet me shumë përkushtim nga shteti rumun. Ndërsa shteti shqiptar dhe akademikët e tij konsiderojnë se Naum Veqilharxhi është figura më e spikatur e diasporës shqiptare për sa i përket gjysmës së parë të shekullit të XIX.
Marre nga : Gazeta Shqip











