Robert Ndrenika . Shfaqjet e lehta te Teatrit Kombetar

Robert Ndrenika . Shfaqjet e lehta të Teatrit Kombëtar

Është i teti vit që Festivali Ndërkombëtar i Teatrit mbush skenën antike. Sipari është ngritur dhe ulur me shfaqje shqiptare. “Berberi i Seviljes”, prodhim i Teatrit Kombëtar me regji të francezit Eric Vigne, ka mbyllur edhe paradën teatrale. Ato që mbeten në fund janë përshtypjet. Por edhe ndonjë reflektim i mundshëm mbi vlerat artistike të shfaqjeve që u ngjitën çdo mbrëmje. Por boshi i debatit ka qenë i dukshëm.

Teatri shqiptar e ka prezantuar veten me dy shfaqje. “Medea” e “Atelier 31” me regji të Mikel Kalemit dhe komedia “Berberi i Seviljes” me regji të francezit Eric Vigne. Boshti krahasues është plotësuar me shfaqje nga trupa bullgare, angleze, serbe, greke dhe maqedonase. Ndoshta i ndihmuar edhe nga kjo përballje, aktori Robert Ndrenika ka vënë në diskutim produksionet e Teatrit Kombëtar. Rasti konkret ka qenë shfaqja mbyllëse e festivalit. Rivënien e “Berberit të Seviljes” në skenën antike të Butrinit, Ndrenika e ka përkthyer në komentin e tij si një shfaqje të lehtë. Duke nënvizuar kështu mungesën e produksioneve të mëdha. “Pa vënë në dyshim vlerat e regjisorit dhe aktorëve dua të di se mbi ç’kritere bordi artistik vendosi që të përzgjidhte regjisorin Eric Vinje me këtë shfaqje.

Në një kohë që në Shqipëri ka rreth 40 vjet që ka munguar bashkëpunimi me një regjisor të huaj, e mendohej të sillte një vepër me përmasa të tjera e vlera të madhe artistike”, ka nënvizuar në komentin e tij menjëherë pas mbarimit të shfaqjes në Butrint. Vënie që në fakt pati probleme të mëdha përshtatëse për skenën. Drejtori i TK-së Kristaq Skrami e ka gjetur përgji-gjen në ligjshmërinë që i është dhënë bordit artistik për përzgje-dhjen e veprave, ndërsa aktorja Luiza Xhuvani ia ka faturuar problemeve financiare. “Ky është një problem zinxhir dhe i lidhur me buxhetin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky buxhet nuk mjafton për të ndërmarrë shfaqje të përmasave të mëdha”, -ka theksuar ajo duke e lidhur pashmangshmërisht këtë fakt edhe me “modën” e ndërrimit të drejtorëve, ku vetëm në 5 muaj janë ndërruar 2 të tillë, me vizione të ndryshme ndaj teatrit. Megjithatë skena e Butrintit është konsideruar vend i papërshtashëm për një diskutim të tillë.

Shfaqja
“Berberi i Seviljes” ka pasur firime të dukshme në Butrint. Në mungesë të rotativës, skeno-grafia e menduar për sallën e madhe të Teatrit Kombëtar, ka mbartur gjatë gjithë shfaqjes rrezikun e shembjes së saj. Rrotullimi i saj përmes njerëzve e ka ngadalësuar ritmin, ndërsa edhe ndriçimi ka pasur mungesat e tij. I vetëdijshëm për këtë regjisori Eric Vigne e ka quajtur një proces normal në jetën e teatrit për të kërkuar adaptimin. “Kjo pjesë mund të luhet gjithkund, edhe pse është krijuar në një skenë klasike. Në Butrint gjeti vendin e saj”. Ndërsa ka theksuar se nuk do t’i kthehej sërish konceptit të kësaj shfaqjeje. Për të, vend do të kishte bashkëpunimi me një vepër bashkëkohore shqiptare.

Festivali
E përgjithshmja e edicionit të tetë të “Butrinti 2000” është cilësuar si shfaqje me prurje artistike. “Një festival që sa vjen e bëhet më komunikues, ku pjesëmarrja e trupave është e larmishme”, do ta cilësonte aktori Robert Ndrenika. Ndërsa francezi Vigne si një mundësi e mirë që iu dha të shihte teatër ballkanik, të cilin e ka ndjekur pak. Ka veçuar shfaqjen “Medea” të trupës angleze dhe veçanërisht “Jonadab” të Teatrit Kombëtar të Dramës së Maqedonisë.

Por edhe edicioni i tetë i festivalit reflektoi mungesën e debatit kulturor. Diskutimet për çdo shfaqje ose u bënë nëpër tavolina, ose ishin mendime të thjeshta për prezantimin. Ajo që ra në sy për këtë edicion ishte vlerësimi që përgjithësisht iu bë interpretimit. Në të shumtën e shfaqjeve aktorët janë vlerësuar për lojën e tyre, edhe aty ku koncepti regjisorial kishte për të diskutuar, siç ndodhi me “Nata e dymbëdhjetë” e trupës bullgare, apo veçimi i personazhit të Medeas te trupa angleze dhe paraqitja e aktoreve femra në ekstazat e Bakanteve. Festivali është mbyllur me kaq. Ndërsa organizatorët synojnë rritjen në çdo vit.

Magjia e korit
I lindur në thellësitë e antikitetit, kori grek ka zbritur në skenën e Butrintit. Në të shumtën e shfaqjeve ka qenë i pranishëm. Diku ka qenë pasiv, por plotësues i domosdoshëm i tragjedisë, e diku është konceptuar më modern. Në të dyja M”medeat” atë shqiptare dhe angleze, ka paralajmëruar tragjedinë e madhe, ndonëse te kjo e fundit e shkurtuar në numër. I veçantë ka qenë kori i trupës serbe. Një kor që është vënë në funksion të zbërthimit të hermetizmit të “Triologjisë së vdekjes” së nobelistes Elfride Jelinek. I magjishëm është cilësuar momenti i ekstazës së Bakanteve te “Fjalët e Dionisit” të Teatrit Kombëtar të Greqisë së Veriut. Kori nuk ka munguar edhe te “Jonadab” e trupës maqedonase. Zgjedhja nuk ka qenë e lehtë. Regjisorët treguan se puna me korin ka qenë një proces i vështirë, njëkohësisht i domosdoshëm.

Oliverta Lila : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama