Muzafer Korkuti Gabime trashanike ne botimet historike mjaft diletantizmit

Muzafer Korkuti: Gabime trashanike ne botimet historike, mjaft diletantizmit

Në këto 10-15 vitet e fundit, në vendin tonë janë botu ar mbi 20 libra, me rreth 6000 faqe nga autorë shqiptarë, të cilët kanë si objekt çështjen e origjinës së tejlashtë të banorëve të trojeve tona, e njohur tradicionalisht si çështja pellazgjike. Ish- Universiteti “Vitrina” shkoi edhe më tej duke organizuar me studiues të fushave të ndryshme, në vitin 2011, një konferencë me temë “Qytetërimi Pellazg”. Kthimi në vëmendje i problemit pellazgjik, nga disa prej intelektualëve e studiuesve të pasionuar pas lashtësisë së popullit tonë, pas viteve ‘90 të shekullit XX, erdhi si rezultat i ndryshimeve demokratike në të gjitha fushat e jetës ekonomike e shoqërore dhe i mundësive të reja për të shprehur lirisht, si pasojë e mundësive më të mëdha për të shkruar e botuar në mënyrë të pavarur si individ dhe si shtëpi botuese.

 

LISTA E BOTIMEVE

 

Më poshtë po rendisim listën e librave sipas vitit të botimit: Ilir Cenollari Profecitë e Zotit të Tomorrit, Tiranë, 2004, f.204; Dhimitër Pilika, Pellazgët, origjina jonë e përbashkët, Tiranë 2005, f.448; Eva Brinja, Antikiteti, Tiranë 2005, f.405; Arsim Spahiu, Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër, Tiranë 2006 f.399; Luftulla Peza, Liljana Peza, Dritë e re mbi pellazgët dhe gjuhën e tyre, Tiranë 2009, f.151; Elena Kocaqi, Roli Pellazgor- ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve Europiane, Tiranë 2007, f.255; Mathieu Aref, Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli parahelenik, Tiranë 2007, f.561; Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Greqia ose zgjidhja e një enigme, Tiranë 2008, f.602; Arsim Spahiu, Orakulli i Dodonës dhe epirotët, Tiranë 2008, v.I, f.224; Ali Eltari (Lapi), Pellazgët – krijues të qytetërimit botëror, Tiranë 2008, f. 298; Naim Laçaj, Pellazgët folën. Etnogjeneza e shqiptarëve, Tiranë 2008, f.155; Sulejman Mato, Vështrim mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, Tiranë 2008, f.170; Luftulla Peza, Liljana Peza. Dritë e re mbi pellazgët dhe gjuhën e tyre, Tiranë 2009, f.138; Arsim Spahiu, Mbi 2011, f.247; Muharrem Abazaj, Kodi i gjuhës Pellazgo-shqipe, Tiranë, 2011, f.157; Konferenca I-rë Mbi Qytetërimin Pellazg (Përmbledhje e kumtimeve), Tiranë, 21- 22 tetor 2011, f.60; Bajram Doka, Ilirët, trakasit dhe frigjiasit, Tiranë 2012, f.95; Eleni Kocaqi, Albanët, shqiptarët me famë botërore, Tiranë 2012, f. 225; Margaret K. Nilo, E vërteta, Tiranë 2012, f.598; Aqif Sali Tafa, Dritësimi i historisë – Pellazgët paraardhësit tanë të lashtë, Tiranë 2013, f.422; Arsim Spahiu, Maqedonasit e vjetër dhe arkeologjia e tyre, Tiranë 2013, f.215; Muharrem Abazaj, Pellazgët folën dhe shkruan shqip, Tiranë 2013, f.425; Sulejman Mato, Vështrim mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, Tiranë 2015, f.199. Në këto kushte të reja, kthimi në vëmendjen e disa intelektualëve me studime e botimin e disa veprave, është i natyrshëm dhe i pranueshëm.

Ata i kanë hyrë një pune të vëllimshme për të rishqyrtuar tema, sipas tyre të harruara, që janë ngritur shumë kohë më parë nga studiuesit romantikë të shekullit XIX, si edhe nga gjuhëtarë, historianë e arkeologë të shekullit të kaluar. Shqetësimi i tyre, ka të bëjë me probleme të rëndësishme të historisë së lashtë të Shqipërisë, të cilat kërkojnë të ndriçohen e të plotësohen me të dhëna të reja dhe për më tepër, çka është kryesore të bazohen në studime e kërkime ndërdisiplinare, në përputhje me nivelin e kërkimeve të sotme në arkeologjinë prehistorike dhe të bashkërenditura me arritjet e studimeve në gjuhësinë indoeuropiane. Në këtë këndvështrim do të parashtrojmë disa konstatime e mangësi kryesore të botimeve në gjuhën shqipe, të bëra në dekadën e fundit.

MANGESITE


Konkretisht po ndalemi në disa nga çështjet e mangësitë më kryesore, të karakterit metodik e shkencor, që vihen re pothuajse në të gjitha librat e cituara. Karakteristikë e përbashkët për të gjithë autorët e këtyre botimeve është se ata nisen nga të dhënat e autorëve antikë, kryesisht mbi të dhënat gjuhësore që ofron onomastika antike dhe përpiqen t’i zbërthejnë e t’i shpjegojnë ato, duke i krahasuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me shqipen moderne, me fjalë të tjera, mbeturinat e një gjuhe shumë të lashtë mesdhetare paraprake (pellazgjishtes) me gjuhën e sotme shqipe dhe rrjedhimisht me pasardhësit e tyre shqiptarët, pa marrë parasysh e analizuar etapën e ndërmjetme historike, atë ilire dhe arbërore, të cilat kanë shërbyer si hallka lidhëse dhe urë kalimi.

Lidhur me këtë është e nevojshme të kujtojmë se në kronologjinë relative është përcaktuar e pranuar se pellazgët ose (paragrekët, parailirët, paratrakët) kanë jetuar para mijëvjeçarit të tretë p.e. sonë. Për ilirët e pasardhësit e tyre, në trajtimin e problemeve gjuhësore dhe etnike, duhet të kemi parasysh periudhat kryesore të zhvillimit historik, të cilat po i citoj: -Paleoilirët, (Ilirët e hershëm) koha e bronzit – mijëvjeçari i tretë p.e.sonë deri në shek.XI p.e.sonë, fillimi i epokës së hekurit. -Ilirët, epoka e hekurit, shek.XI p.e.sonë deri në shek.IV-VI të e.sonë. -Arbërit, koha e mesjetës së hershme, shek.VII-XIII, XIV të e.sonë. -Shqiptarët, koha e mesjetës së mesme e vazhdim.

I përmenda këto periudha në kronologjinë relative të zhvillimit të etnosit iliro-arbëror, sepse në të gjitha botimet e cituara, krahasohet në mënyrë të drejtpërdrejtë shqipja moderne me mbeturinat e një gjuhe shumë të lashtë mesdhetare, me pellazgjishten, dhe rrjedhimisht nxirren përfundime se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të pellazgëve. Ky përfundim arrihet pa marrë parasysh dhe pa analizuar etapat e ndërmjetme historike (paleoilirë, ilire, arbër – kohë historike mbi 3000 vjeçare), të cilat kanë shërbyer si hallkë lidhëse e urë kalimi midis prehistorisë dhe gjendjes së sotme. Natyrshëm një trajtim i shkallë-shkallshëm i problemit të gjenezës së gjuhës shqipe e të shqiptarëve e bën më të pranueshëm e më bindës konkluzionin. Në shumë nga botimet e sotme përfundimi paracaktohet e shprehet qysh në titullin e librit (Pellazgët, origjina jonë e përbashkët, Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër, Roli Pellazgo-ilir ose Krijimin e kombeve dhe gjuhëve Evropiane, Pellazgët folën. Etnogjeneza e shqiptarëve, Kodi i gjuhës Pellazgo – shqipe, Enigma, Pellazgët folën e shkruan shqip etj.).

ÇËSHTJA E GJUHËS/ TOPONIMET


Në arritjen e përfundimeve të qëndrueshme në leximin e interpretimin e burimeve të shkruara antike, duhen bërë studime ndërdisiplinare, të cilat kryhen nga specialistë të fushave shumë të ngushta. Pra më parë duhet të kesh formim filologjik në nivel universitar, e më tej përgatitje e thellim në njohjen, fjala vjen të indoeuropianishtes a të gjuhëve të veçanta të kohës antike. Që të lexosh e interpretosh mbishkrimet antike greke, që gjenden në ndërtesa, në monumente, gurë a objekte të tjera, duhet të jesh epigraf, d.m.th., specialist i greqishtes së vjetër. Bile gjuha, përkatësisht mbishkrimet, e kohës homerike ndryshojnë nga ato të kohës klasike dhe akoma më shumë nga ato të kohës helenistike. Ai që zbërthen e lexon mbishkrimet e kohës romake, është specialist për mbishkrimet latine; epigraf i një periudhe tjetër është ai që lexon mbishkrimet e greqishtes mesjetare, bizantinishtes etj. Në secilën nga këto fusha ka arritje shkencore të pranuara nga të gjithë që duhen marrë si bazë për kërkime të mëtejshme. Një studiues i cili nuk njeh greqishten e vjetër, nuk është specialist i mbishkrimeve antike, nuk mundet që në mënyrë intuitive të lexojë e të interpretojë toponime e antroponime që gjenden në burimet e shkruara të kohës antike. Shumica e autorëve të librave të botuar në gjuhën shqipe, nuk njohin greqishten e vjetër, nuk janë specialistë të mbishkrimeve antike, madje disa prej tyre nuk kanë as formimin filologjik në gjuhën shqipe, rrjedhimisht argumentet dhe shembujt, provat që ata sjellin në librat e tyre, janë të pabazuara madje janë një dëshmi e njohurive të mangëta të tyre. Po sjellim disa shembuj: -Toponimi Epeiros, në greqishten e vjetër do të thotë tokë; sipas A. Spahiut në Orakulli… f.55, shpjegohet me gjuhën shqipe, Epeir – (i)epër(m) – i sipërm. Po ky toponim Epir – lexohet – ep- – jep dhe ep – sipërm – (M.Abazaj; Kodi i gjuhës… f.350. – Toponimi Konispol – ndahet në k-on-is-pol = tek ne ishin lindur, (M.Abazaj, Kodi i gjuhës… f.41), në sllavisht vjen nga kon-kal dhe polje – fusha, fushë e kuajve. – Emri i rrugës Egnatia, sipas M.Aref, Shqipëria… shpjegohet me shqipen, i n’gjatë, që do të thotë i madh, i gjatë. Për historianët emërtimi i rrugës Egnatia, vjen nga emri i projektuesit të parë Knaeus Egnatius.

Është një arritje e shënuar që sot ka shumë botime e të gjinive të ndryshme, por mendoj se ato që trajtojnë probleme të gjuhës shqipe e historike kombëtare, duhet t’u përmbahen disa kritereve, të përmbushin disa norma të njohura e të pranuara nga të gjithë studiuesit. Mendoj se kjo vlen edhe për shtëpitë botuese, të cilat për botimin e librave që trajtojnë çështje me rëndësi kombëtare, duhet t’i nënshtrohen një recense të specializuar. Madje vendosja e emrit të recensentit në libër, ashtu si shënohet emri i redaktorit, kompjuteristit etj., e rrit vlerën dhe e bën më të besueshëm përmbajtjen e librit. Për pellazgët e problemin pellazgjik janë botuar shumë libra dhe janë shprehur pikëpamje nga më të ndryshmet, gjithashtu edhe për hipotezën se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve e gjuha shqipe është çelësi për shpjegimin e saj, pa cituar literaturën në të cilën mbështeten, d.m.th. pa iu referuar asnjë autori që ka trajtuar të njëjtin problem, duke i dhënë vetes përparësinë në zgjidhjen e enigmës pellazgjike, çka nuk është as etike e aq më pak shkencore. Me keqardhje, dua të nënvizoj, se edhe midis autorëve të librave në shqyrtim, nuk ka asnjë citim të ndërsjellë për të njëjtin problem, po secili i bie “këmbanës së vet”. Edhe në pak raste kur ka referenca, ato nuk janë të sakta e të plota; janë të shkëputura nga konteksti ose nuk kanë lidhje me përmbajtjen. Gjithashtu edhe ilustrimet (harta, foto, skica etj.), nuk kanë lidhje me tekstin, e nuk kanë diçitura të sakta, rrjedhimisht janë mangësi që shvleftësojnë ndjeshëm cilësinë e botimit.

PASAKTËSITË ()


Si historian e ndjej si detyrim të vë në dukje se në përcaktimin kohor të proceseve gjuhësore e etnike ka pasaktësi dhe gabime të mëdha – gabime trashanike. Po japim disa shembuj: “Zbulimet arkeologjike tregojnë se rajoni ku ndodhen dy Tomorët dhe Dodon është populluar që në kohën e paleolitit nga e njëjta popullsi”, (I. Cenollari, Profecitë… f.161); “Kanë kaluar 13500 vjet nga koha kur pellazgët mbijetuan nën rrebeshin e të ftohtit folën. Ky është hapi i parë i pandalshëm që do të krijonte njerëzit folës”, (A. Eltari, Pellazgët… f.295); “Nëse antropologët e ndjekin homosapiensin që në paleolitin e mesëm deri te neandertali 200.000- 35.000 vjet më parë, speciet pellazge e ndjekin që nga momenti kur kapaciteti i tij intelektual çoi në lindjen e arsyes normale… Pellazgët dhe gjuha e tyre ose shqipja janë shumë më të hershme (rreth 12.000 vjet më parë)”, (N. Laçaj, Pellazgët folën”, f.56); Mbështetur në të dhënat arkeologjike dimë se pellazgët janë banorë të trojeve tona që në periudhën e paleolitit”, (M.Abazaj, Kodi… f.115). Gjatë epokës së paleolitit të lartë (30.000-12.000 vjet më parë) vazhdon procesi i antropogjenezës, i shndërrimit të majmunit në njeri, rrjedhimisht nuk mund të flitet as për gjuhë pellazge dhe as për popull të cilësuar etnikisht. Në vazhdim të konstatimeve tona, vlen të kujtojmë se në disa nga librat e cituar është bërë përpjekje që përfundimet e arritura për lashtësinë e gjuhës shqipe dhe origjinën pellazgjike të shqiptarëve, ta mbështesin edhe me të dhëna nga legjendat, nga mitologjia, nga feja, nga folklori, nga antropologjia e më larg akoma, mbi paralele e afëri nga jurisprudenca, por kjo duhet bërë duke ruajtur masën e pa e tepruar (Dh.Pilika, Pellazgët nën dritën… f.162, 391 e 399); I.Cenollari, Profecitë… f.3; M.Aref, Shqipëria…f.164; A. Spahiu, Pellazgët dhe ilirët…f.285; Orakulli…f.185; A. Eltari, Pellazgët krijues…f.3,47; N.Laçej, Pellazgët folën…f.58; S. Mato, Vëzhgime… f.99; A. Spahiu, Shteti i Epirit…137). Të dhënat që kemi nga këto fusha e dije për epokën parailire janë shumë të kufizuara, të cunguara e përgjithësisht të përbashkëtat për popujt e Ballkanit, rrjedhimisht nuk ndihmojnë në mbështetje të tezës pellazgjike të shqipes

MUNGESA E KRITEREVE SHKENCORE


Siç kemi vënë në dukje të kësaj shtojce, të gjithë autorët e botimeve të cituara, si lëndë themelore, si bazë për të mbështetur pikëpamjet e tyre kanë leximin dhe interpretimin e të dhënave onomastike me gjuhën e sotme shqipe; dhe këtë e bëjnë duke ndarë në rrokje toponimet e antroponimet që kemi nga burimet antike në funksion të ideve të tyre të paracaktuara pa asnjë kriter shkencor dhe fjalët e ndara në rrokje e në germa, i shpjegojnë me shqipen e sotme. Po sjellim shembujt më përfaqësues nga botimet e cituara. – Dodonë –dhënë, dhënëse, dhuruese. Nga rrënja dho-në, dha dmth jep. Dhe më tej: Tempulli faltorja jepte, falte (I.Cenollari, vep.cit. f.111). Kujtojmë se në tempull çoheshin dhurata, nuk jepeshin. – Athina – E thëna, e thana – premtim; Mikena – atërit (etërit në shqip) – mik (rrënja); Zeusit – za, zan (gegërisht); Helena – e lena – e lëna Pellazge – njerëz të shpellave etj. (Aref, Shqipëria… f.25, 111). Athina = Atina = at-in-a=ati-yn-a(ashte) = babai, zoti in (yn); zeus (=Poseidoni) = ze-us=ze-hysh/shi-hysh/she shikim-hysh (M.K. Nilo, f.11).


– Aleksandër – kale-si-në-andër; Maqedoni – ma qe dhën (M.Aref, “Mikenet” f.495). – Epir – (i) epër(m)
– i sipërm (A. Spahiu, Orakulli…f.53). – Mullë –vjen nga mulli (që bluan) (A.Eltari, po aty, f.235).


– Adam – a dam, a i dam, është i ndarë, është i vetëm; Eva-e-va-e ve, e vetme; Jezus – Je-zus – je zoti i vetes; zeus – za, zanin, zërin; Apoloni – a – po – loni – a po loni, a po luani (.N.Laçej, po aty, f.15-16); – Tragjik – ra dhe gjak, , ra gjak nga altari (S. Mato, po aty, f.99). – Akil – a + kil – a + kal; Odhise – udhës, udhëtar, Troja – truall – troje; Zeus – za, zë, zeus – zot (L.Peza, Dritë e re… f.96).


– Mirmidon – mirë më doni; Aspet – shpejtë (A. Spahiu, Shteti i Epirit… f.16). – Lemnos – lë emrin (M.Abazaj, po aty, f.103)


– Bulqiza – Bull-qi-za + Buall që zëri – ishte zë bualli (B.Doka, po aty, f.118). – Zeus – za, zani (A.Tafa, Po aty, f.18-19). – Amantia – am + amë/nëne, an – janë; Skampa – sk – am – pa; sk-s’,nuk, am-nënë, pa-me pa –s’kam parë nënë; Athina – at-baba, in-rrinrrinë etrit. (M.Abazaj, Po aty, f.38). Shembujt e mësipërm janë të mjaftueshëm e domethënës për të treguar se metoda e përdorur në ndarjen e fjalëve e shpjegimin e tyre me gjuhën shqipe është bërë me hamendje, pa kritere të njësuara e të provuara shkencërisht. Gjuhësia historike i trajton e shtjellon problemet në rrafshin sinkronik e diakronik dhe çdo gjuhë ka historinë e brendshme të zhvillimit të saj. Dija gjuhësore është rigorozisht shkencore e nuk pranon diletantizëm e as hamendësime e shkelje të ligjësive të saj. Në përfundim të kësaj shtojce mbi disa të meta të karakterit metodik e shkencor në trajtimin e Problemit pellazgjik, lipset që në formulimin e konkluzioneve, për një problem më shumë pak të dhëna, të jemi të matur aq sa na lejojnë burimet.

(Të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin), të mos jemi kategorik në gjykimet tona dhe çka është e papranueshme dhe e dëmshme, të mos biem në pozita nacionaliste duke pohuar se: “Nuk ka dhe nuk ka ekzistuar kurrë komb grek. Gjuha e vjeter greke është një gjuhë e stisur për t’u përdorur nga disa të diturit e kohës” (E. Kocaqi, Roli Pellazgo- Ilir, f.201); “Nga pellazgjishtja, nga kjo gjuhë shumë e vjetër dhe vitale, kanë rrjedhur të gjitha gjuhët indoeuropiane (M.Abazaj, Pellazgët… f.399); “Grekët kanë huazuar në pjesën më të madhe mitologjinë dhe fenë epirote (A. Spahiu, Orakulli… f.163); “…greqishtja e lashtë nuk zbërthehet me greqishten e sotme, kurse shqipja e zbërthen atë në mënyrë të pastërt”; kam vërtetuar saktë nëpërmjet zbërthimit të çdo fjale se greqishtja e lashtë është ndërtuar prej shqipes (Ilirishtes)” (M.K. Nilo, po aty, f.590, 595).

 

“Ndër shqiptarët ka filluar të fryjë flladi i ri ç’do ditë po shtohen dijetarët, që sjellin të reja mbi pellazgët, mbi mbishkrimet e gjuhës shqipe. Gjatë kohës së bronzit, vendin e saj të nderit si nënë e gjuhëve indoevropiane”. (Luftulla Peza, Liljana Peza, Dritë e re… f.134). “Të nënvleftësosh gjenezën tonë nga pellazgët do të thotë të vetëshpallemi njerëz pa dinjitet, do të thotë tradhëti ndaj stërgjyshërve tanë”. (A. Tafa, po aty, f.22). Në nivelin e sotëm të kërkimeve e studimeve ndërdisiplinare për problemet historike e gjuhësore të popujve të Europës Juglindore, këto pohime i bëjnë dëm tezës shkencore të prejardhjes ilire të gjuhës shqipe dhe arbrit, ilirët e paraardhësit (pellazgët) e tyre janë një nga popujt më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, sepse nuk mbrohet lashtësia e gjuhës shqipe dhe e popullit shqiptar me diletantizëm e nga pozita nacionaliste.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama