Luiza Xhuvani gruaja Hamlet

Luiza Xhuvani, gruaja Hamlet

Aktorja Luiza Xhuvani do të vijë me petkat e Hamletit në premierën e 10 tetorit të tragjedisë me të njëjtin emër, në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Është hera e parë në historinë e artit skenik shqiptar që një grua vjen në një rol mashkullor dhe Xhuvani bëhet kështu partizane, edhe pse në botë Hamleti është interpretuar nga aktore femra.

Në Londrën e vitit 1593, William Shakespeare, një dramaturg i varfër, punon për vënien në skenë të një komedie. Në vuajtje e sipër, prej ngërçit që i kapërthen hera-herës shkrimtarët, ai nis me audicionet e aktorëve….Viola de Lesseps, e bija e një tregtari të pasur, pasi kish parë shfaqjet e dramaturgut në oborrin mbretëror, maskohet si një burrë për të marrë pjesë në audicion…Pjesa tjetër është subjekti i filmit “Shakespeare in love”, me protagoniste aktoren Gwyneth Paltrow.

Duke mbetur te dramaturgu britanik, historia duket se përsëritet…

Më 2015-n, në skenën e Teatrit Shqiptar, në rolin e Hamletit të Shakespeare-it ngjitet një grua. Kësaj here për trill artistik.

Aktorja Luiza Xhuvani do të vijë me petkat e Hamletit në premierën e 10 tetorit të tragjedisë me të njëjtin emër, në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në Tiranë.

Është hera e parë në historinë e artit skenik shqiptar që një grua vjen në një rol mashkullor dhe Xhuvani bëhet kështu partizane, edhe pse në botë Hamleti është interpretuar nga aktore femra.

Jo vetëm në petka gruaje, por edhe me një koncept bashkëkohor vjen kësaj here heroi shekspirian i së famshmes mëdyshje ekzistenciale “Të rrosh a të mos rrosh! Kjo është çështja”.

Shfaqja vjen nën regjinë e Enke Fezollarit, që e ka zhvendosur figurën e Hamletit nga mashkull në femër, duke rritur dimensionin përfshirës të veprës dhe të personazhit.

“Një Hamlet, i cili nuk do të ndryshojë për botën, por bota do të ndryshojë për të. Një shoqëri ku vlerat e dashurisë janë si hipodromi apo si bursa. Me politikanë oportunistë, ku jetët njerëzore nuk janë veçse një parametër i luftës së tyre për pushtet. Ky është ferri që jeton Hamleti. Hamleti, njeriu i parë bashkëkohor, me ide dhe vlera. Kundër pushtetit të Klaudit dhe Polonit… ecën në shoqërinë e kalbur të “Danimarkës”, është shprehur vetë Fezollari për konceptin e tij skenik.

Hamleti udhëton nga Danimarka e viteve 1600 te Tirana e ditëve të sotme dhe ndërron gjini. Ose më saktë, vjen pa gjini. As burrë, as grua, ndërsa Xhuvani pritet që mbrëmjen e së shtunës të sjellë një Hamlet të munguar në skenën shqiptare.

I ardhur nga një përvojë në teatrin grek ku punon prej vitit 2005, zgjedhja e tragjedisë angleze është një formë, përmes së cilës ai i flet dhe aktualitetit. Në role të tjera do të interpretojnë aktorët: Andi Begolli, Endri Çela, Julinda Emiri, Anderson Gurra, Ina Gjoni, Ermira Hysaj, Ermir Jonka, Ilia Kaçi, Kristian Koroveshi, Ina Morinaj, Xhino Musollari.

Ajo është e vetmja aktore me përvojë në një staf të rinjsh, duke nisur nga regjisori dhe aktorët e tjerë, duke u kthyer kështu në një busull që ngre standardin e “Hamletit”.

Luiza Xhuvani rikthehet në këtë shfaqje një vit pas interpretimit që bëri në monodramën nga Robert Ataid “Zonjushë Margarita”, me regji të Kiço Londos.

Në role të tjera do të interpretojnë aktorët: Andi Begolli, Endri Çela, Julinda Emiri, Anderson Gurra, Ina Gjoni, Ermira Hysaj, Ermir Jonka, Ilia Kaçi, Kristian Koroveshi, Ina Morinaj, Xhino Musollari.

Ashtu siç bëri me dije drejtori i Teatrit Eksperimental, Kiço Londo, aktores Xhuvani i është ofruar një kontratë njëvjeçare me këtë teatër, ku ajo do të interpretojë në dy shfaqje që parashikohen në kalendarin artistik të këtij viti. Një rikthim i lajmëruar jo vetëm si aktore, por edhe si këshilluese dhe organizatore për aktivitetet pranë këtij teatri.

Krahas tragjedisë “Hamlet”, që vjen premierë për publikun e kryeqytetit këtë fundjavë, drejtori Londo pat lajmëruar se Xhuvani do të interpretojë edhe në veprën tjetër të Shakespeare-it, “Makbeth”, që pritet të vihet në skenë, si edhe do të përfaqësojë teatrin në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, siç janë BITEF dhe ‘Avignon’.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama