Ditelindja e shkrimtarit Kadare I habitur nga festimet su kujtua as Skenderbeu

Ditelindja e shkrimtarit, Kadare: I habitur nga festimet, s'u kujtua as Skenderbeu

Telefoni në shtëpinë Kadare, në Paris, nuk ka të ndalur. Ai nuk është shumë i prerë për këto adete dhe në të shumtën e herëve, është Helena, e shoqja, që u përgjigjet telefonatave të shumta, por ja që nuk u shpëton dot ca detyrimeve.

Ndodh që telefonat bien njëkohësisht… Dikujt i duhet të presë. Është ditëlindja e tij e 80-të dhe të afërm e miq nxitojnë t’i urojnë jetë të gjatë të madhit të letrave shqipe. Përvjetorin e lindjes, Ismail Kadare e kaloi në Paris, por sigurisht që e di se ç’ndodh ndërkohë në Gjirokastër apo Tiranë. “Ka miq të mitë që nuk kënaqen me asgjë, se thonë se duhej bërë më shumë. Por, jo, unë nuk jam dakord. Është bërë shumë për mua, madje edhe ndjeva njëlloj habie”, thotë Kadare në një bisedë të shkurtër telefonike, përmes së cilës gazeta “Panorama” i shprehu edhe urimet më të përzemërta në këtë 80- vjetor. Duke shprehur kënaqësinë që ditëlindja e tij po festohet në Shqipëri, Kadare shprehu keqardhjen që askush nuk u kujtua për përvjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Vetëm pak ditë më parë ishte përvjetori i vdekjes së Skënderbeut, në datën 17 janar. Vetëm ditën e vdekjes i njohim atij. Por vetëm ndonjë gazetë e kujtoi. Kjo nuk duhet të ndodhë, është turp”, u shpreh shkrimtari i madh. Me sa duket, Shqipëria ka ende për të mësuar se si festohet apo përkujtohen figurat e mëdha dhe përfaqë- suese të kombit.

URIMET VIRTUALE

 

Edhe me mungesë, Ismail Kadare mundi t’i nxisë në “garë” mes njëri-tjetrit shqiptarët. Ashtu sikundër çdokush do të nxitonte t’i merrte një autograf, dje të gjithë ishin në një garë urimesh. Rrjetet sociale u mbushën me urime pa fund, me poezi apo thënie të tij. Por ata që kishin qenë më me fat, postonin fotografi ku kishin dalë bashkë me shkrimtarin. Kësaj vale urimesh, iu bashkuan edhe politikanë shqiptarë, që nga Kryeministri Edi Rama, te kreu u opozitës Lulzim Basha, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. Madje edhe Ambasada Amerikane në Tiranë kishte postuar një kartolinë urimi, në të cilën e quante “pasuri kulturore të shqiptarëve”.

FESTIMET NË GJIROKASTËR

 

“Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap është gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai”. Kështu shprehej ndër të tjera Ismail Kadare, në letrën e mirënjohjes dërguar qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës, nga ku nisën edhe kremtimet zyrtare për ditëlindjen e shkrimtarit. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së një prej shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë, Bashkia e Gjirokastrës dhe Ministria e Kulturës hartuan një kalendar aktivitetesh, i cili u publikua disa ditë më parë. Në të përfshiheshin lexime të veprës së Kadaresë, në qendra publike të qytetit, koncerte, ekspozita etj.

AKTIVITETET

 

Aktivitetet kanë startuar para godinës lokale të Partisë Socialiste, me tortën të krijuar në formën e një libri dhe në sfond pamjen e shkrimtarit, ku shkruhej një prej citateve të Kadaresë. Më pas kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami, nën shoqërinë e zv.ambasadorit të OSBE-së Willton, ka shkruar në një dërrasë të bardhë prej metali një prej thënieve të spikatura të shkrimtarit të madh: “Ka gjithmonë kohë, që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”. Pas kësaj, zonja Rami ka përshëndetur të pranishmit në ceremoninë çelëse

URIMET

“Me rastin e 80 vjetorit i uroj ditelindjen shkrimtarit tone te madh kombetar z. Ismail Kadare. Nje dite e shenuar jo vetem per te dhe familjen Kadare, por per te gjithe shqiptaret kudo qe jane”, e ka uruar shkrimtarin kreu i opozitës Lulzim Basha.

Teksa kryeministri Edi Rama ka publikuar në profilin e tij në Facebook një foto të shkrimtarit dhe ka shkruar shkurt: “EDHE 100!”

“Gëzuar Ditëlindjen Ismail Kadaresë, një nga autorët më të mëdhenj të kohës sonë dhe një thesar i kulturës së Shqipërisë!”,- ishte urimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë.

“Gëzuar Ditëlindjen, Gjeneral i Ushtrisë së Letrave të bukura shqipe!”. Ky është urimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtuar shkrimtarit të madh shqiptar përmes faqes së tij në Facebook.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e ka uruar shkrimtarin në një mënyrë të veçantë. Duke publikuar një faqe nga një prej veprave më të fundit të Kadaresë, ajo shkruan: “Asgjë më të bukur në ditën e 80-vjetorit, se kujtimi i tij për prindërit nga “Kafe Rostand”. Faleminderit Ismail Kadare!”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama