Teatri i dashurise i Eric Vigner

Teatri i dashurisë i Eric Vigner

"Dashuria është gjithnjë e njëjtë". Marguerite Duras shkruante kështu më 1950-ën, atëherë kur nuk i kishte kaluar as të 40-at. Gruaja, në fytyrën e së cilës në ato vite mund ta lexojë këtë shprehje, ishte e bindur se teatri dhe letërsia ishin vetëm një udhëtim imagjinar për të kuptuar gjërat e thjeshta. Personazhet e ndërtuara prej saj, janë aq të lehtë, si duart e buta të Duras, pas lodhjes së orëve të tëra të të shkruarit. Teatri francez vazhdon ta mbajë gruan që i dha aq shumë nga trupi dhe mendja e saj, si frymëzimin e përhershëm të dashurisë. Eric Vigner nuk është thjesht një francez që beson në teoritë e Duras. Sigurisht se të qenit i ndjeshëm dhe një njeri që aspiron të bëjë teatër, ai i ka lexuar deri në detaje librat dhe dorëshkrimet e saj, por sërish beson se thënia e saj më 1950-ën vazhdon të jetë e njëjtë dhe për kohërat e sotme. Vigner mund të flasë pafundësisht për Duras. Nuk është vetëm të qenit francez, ajo që e bën ta adhurojë gruan që e përloti me ikjen e saj më 3 nëntor të vitit 1996. Por fakti se ajo i ka dhënë aq shumë teatrit nga qenia e saj femërore, sa sot është e pamundur të gjesh dikë që nuk do të donte t‘i shihte personazhet e saj në skenë.

Vetëm një vit pasi kishte vënë në skenën e Parisit, një pjesë të Duras, Eric Vigner, vendos të udhëtojë drejt Shqipërisë. Një takim me ish-drejtorin e Teatrit Kombëtar, Armando Bora do ta bënte të njihte një tjetër vend të panjohur, që si adhurues i tyre nuk do të thoshte dot jo. "Fillimisht erdha në Shqipëri për të ndenjur vetëm disa ditë. Ajo çfarë doja ishte të njihja mentalitetin dhe teatrin tuaj. U njoha me artistët, shkova në Vlorë për t‘u njohur me këngët polifonike dhe më në fund vendosa të bëja një pjesë në teatrin tuaj", rrëfen Eric.

Tashmë, që ne bëjmë me të këtë bisedë, ai e ka shijuar suksesin në skenën shqiptare. "Berberi i Seviljes", vepra e Bomarshesë ishte ndoshta zgjedhja e duhur, për një popull me burra xhelozë dhe gra të ndjeshme. Është i bindur se aktorët që zgjodhi ishin të duhurit, duke sjellë në skenë karakteret e vërtetë të veprës. Kërkon të flasë për Neritan Liçajn, i cili kishte rolin e Bartolos, që sipas tij kishte një performancë të mirë në shfaqje, duke mos lënë jashtë dhe aktorët e tjerë si Luiza Xhuvani, Roland Trebicka, Helidon Fino, të cilët realizuan "Berberin ...", që ai kishte në mëndje. Për Vigner, teatri gjithnjë mund të japë më shumë, por në eksperiencën e tij shqiptare, ai u mundua të joshte publikun me muzikën dhe gjërat më të ndjeshme të këtij populli si fotografitë e Marubit, të cilat i ngjizi në kostumet e aktorëve. Teksa flet për dinastinë tonë të vjetër të fotografisë, Eric thotë se ka bërë zgjedhjen e duhur.

Por regjisori i kishte një borxh Bomarshesë. E ka lexuar vite më parë dhe gjithnjë është ndjerë i tunduar nga intriga e tij e dashurisë. Teatri është shtëpia, ku njerëzit kërkojnë të shohin veten. Dhe askush si Bomarsheja, nuk na i rrëfen të metat tona. Një burrë i dashuruar deri në marrëzi me gruan e tij të bukur. Dhe një dashnor që e adhuron atë. Sigurisht, që një dashuri e sëmurë gjithnjë do të përfundojë me ndarje, por Eric kërkon ta justifikojë Bratolosin, duke thënë se ishte vetëm një lojë.

Lojërat janë ato ku ne shohim veten. Dhe Bratolosi mund të kishte shpëtuar, nëse do të ishte pak më i kujdesshëm me ndjenjën e tij. Eric nuk do të bëjë moral. Bomarshe e di mirë përse e shkroi këtë pjesë, përse e vizatoi Bratolosin me një dashuri të sëmurë dhe pse i hapi ndjenjat e dashurisë Kontit Almavivo dhe i vuri në krahë gruan e një burri të sëmurë...

Vigner është nga ata regjisorë që mund të flasë gjatë për dashurinë. Për të teatri është forma nëpërmjet së cilës ne mund të mësojmë më shumë për këtë ndjenjë robëruese, mund të ndjehemi më të lirë, pasi e kemi parë veten të ngjizur në personazhe të tjerë. "Kam mësuar shumë gjëra për mentalitetin shqiptar dhe pashë që këtu burrat janë të fortë, por edhe xhelozë për gratë e tyre. Sigurisht, që unë nuk isha në Paris, apo në ndonjë vend ndoshta më liberal të Evropës dhe t‘u rrëfeja atyre një pjesë tjetër teatrore, por në Shqipëri dhe duhet të zgjidhja një komunikim që do të prekte ndjenjat e publikut tuaj", thotë Vigner. Por çfarë është për të xhelozia? "Xhelozia për mua është dashuri. Nuk është aspak e çuditshme që shprehem kështu, por ndonjëherë dashuria është sëmundje", thotë Vigner.

"Unë doja të jepja te spektatorët se çdo të thotë të biesh në dashuri. Ti mund të duash dikë, por nga ana tjetër, sjellja jote nuk e tregon këtë. Ndonjëherë nuk e shoh këtë pjesë si një dashuri, por ndoshta thjesht si një lojë".

Për Vigner, teatri është i rëndësishëm për njerëzit, ndoshta kjo është arsyeja që në shpikjen e tij, njerëzit kanë nevojë për të. Që në shfaqjen e tij të parë, ai është munduar t‘i qëndrojë konstant kësaj ideje, të përcjellë te publiku atë çfarë është më e rëndësishme për të.

Vigner, i cili ndan jetën mes Parisit dhe Britanisë (ai është drejtor i Teatrit Nacional në këtë vend), thotë se gjithnjë do të mundohet të japë në teatër ndjenja të tilla. Sigurisht, thellë brenda tij, ai është një spektator si mijëra të tjerë, që kërkon të shohë në skenë, atë çfarë e shqetëson jetën dhe mendjen e tij. Kaq muaj pasi "Berberi i Seviljes" u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar, sot në mbrëmje, kjo vepër do të ngjitet në skenën antike të Butrintit. Për Vigner nuk është e lehtë të marrësh një vepër me një skenografi pak të vështirë dhe ta përshtatësh me skenën e vjetër të një amfiteatri romak. Por letrat që Konti Almavivo ia dërgonte Rozinës, ndoshta mund të ngjajmë më romantike sot në mbrëmje në Butrint, mes errësirës dhe yjeve të rrënojave të mbetura nga një qytet i dikurshëm.

Vigner pëlqen historinë dhe ndoshta ky antikitet shkon më shumë me idetë e Bomarshesë, ndoshta kjo e bën të ndjehet më pak i preokupuar, për atë çfarë do t‘i ofrojë sot spektatorit të Butrintit.

Historitë janë të njëjta në çdo vend, si adhurues i Duras, e ai e beson këtë. Por çfarë mendon regjisori jo pak i njohur francez për teatrin shqiptar, apo për atë çfarë sot teatri do në botë? Nëse për pyetjen e fundit, Eric mund të flasë gjatë, duke rrëfyer tendencat e teatrit poetik, politik apo shoqëror për të parën, atij i vjen keq që një teatër me aktorë që vërtet e duan punën e tyre, teatri nuk ka ende formën e duhur. Me një anglishte të ngadaltë, ai e përkufizon si "close" gjithë atë çfarë ka përjetuar në shfaqjet që ka parë në skenën tonë. "Teatri shqiptar është disi i mbyllur, ndoshta ka nevojë për më shumë ajër, për gjërat e thjeshta që ne i duam të gjithë, ajrin, ujin, kënaqësinë, apo dhe ndjenjat e një gruaje", shpjegon ai me gjuhën e tij, duke pohuar se ka nevojë për më shumë frymëmarrje, më shumë liri.

Liria është ajo që e bën teatrin, kjo është ajo çfarë ai nuk ka gjetur në teatrin shqiptar...

Vigner mund të flasë gjatë për konceptet e teatrit, se si duhen shembur shkollat e vjetra, apo si një pjesë duhet të jetë më bashkëkohore. Ai beson se tashmë është koha për të ndryshuar, për të marrë nga komunikimet me teatrot e ndryshme, siç është edhe komunikimi mes teatrove në Festivalin e Teatrit në Butrint dhe që regjisorët t‘u japin spektatorëve atë çfarë është më pranë tyre, atë çfarë është më njerëzore.

Vigner ngjit sot në mbrëmje "Berberin e Seviljes" në skenën e Butrintit, me shpresën se kolegët e tij do ta pëlqejnë zgjedhjen që ka bërë për këtë pjesë, për t‘u larguar më pas drejt Zvicrës, ku është duke vënë në skenë një pjesë me disa artistë të sapodiplomuar.

 
Marre nga  : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama