Haremi i pergjakur i Dionisit

Haremi i përgjakur i Dionisit

Nga një tragjedi greke në tjetrën. "Medea" i ka lënë vendin "Fjalëve të Dionisit", në Butrint. Këtë herë, Euripidi ka folur përmes teatrit të vendit të tij. E shkruar 2500 vjet më parë, "Fjalët e Dionisit" marrë prej Bakanteve, episodi i fundit i Euripidit është ngjitur një natë më parë në skenën antike nga trupa e Teatrit Kombëtar të Greqisë së Veriut. Ky ka qenë takimi i parë i kësaj shfaqjeje me publikun, i cili më së shumti ishte greqishtfolës. Hareja dionisake, kupat e përmbysura të verës, ekstaza e një kori antik jotradicional dhe muzika folklorike greke kanë mbushur hapësirën. Për regjisorin Tasos Rantzos, premiera e veprës ka zbritur në vendin e duhur. Në një vend të krijuar enkas për këto vepra. "Takimi i veprës me vendin dhe publikun më preku shumë. Mendoj se në këtë mënyrë shkatërrohen kufijtë që ekzistojnë". Shqetësimi i tij i vazhdueshëm ka qenë përcjellja te publiku. E për këtë ka qenë më tepër i interesuar të dëgjojë se sa t'u përgjigjet pyetjeve. Pjesa e tij ka kaluar përballjen zyrtare në Butrint, e më pas do të udhëtojë drejt skenave greke, aty ku është lindur tragjedia.

Në këto skena, "Fjalët e Dionisit" janë dëgjuar shumë herë, por për regjisorin Rantzos, "tragjedia do të vazhdojë të luhet në vazhdimësi, e çdo herë duhet gjetur një mënyrë e veçantë për t'ia përcjellë publikut". Fuqia dhe gjykimi i Dionisit, si bir i Zeusit e çon dramën në një fshat, aty ku adhurohet natyra dhe ofrohen frytet. Kjo vepër e shkruar në vitin '70-të, jep pamjen e fshatit, ku banorët çdo vit dalin jashtë tij në një vend të shenjtë. Për të treguar adhurimin bëhen shumë rite dhe vajzat zhyten në joshje, në eros. Kjo është joshja e fillimit që mbaron me një tragjedi të madhe. E diktuar nga përplasja ndërmjet perëndisë Dionis dhe mbretit Pentea, të riut mohues të ceremonisë. Ndërsa ato që ndjenin pasionin ishin kori i vajzave. Një kor që në ndryshim nga një tjetër i tragjedisë antike, është veprues e ndezës i ekstazave. Loja e tyre ka qenë edhe pika më e fortë e vlerësuar e shfaqjes. Në të gjitha komentet e bëra, është nënvizuar paraqitja e tyre. Zhveshjen e tyre, aktorja Margarita Xhepa do ta quante "një skenografi të pikturuar". "Në imazhin tim mbetet mizanskena e Bakanteve dhe momenti i ekstazës së tyre ishin vlerat sipërore të shfaqjes", - ka vlerësuar Josif Papagjoni, duke u shprehur me rezerva për dialogun mes mbretit Pentea dhe Dionisit, për të cilin figura e këtij të fundit mund të ishte realizuar më mirë në të gjitha aspektet.

"Fjalët e Dionisit", është përcjellë nga një trupë që në vetvete kishte emra të njohur aktorësh grekë si Stratos Xorxoglu, Kostas Santas, Vasilis Vasilikaqis, Hristos Sugaris etj. Ndërsa profesor Adriatik Kalluli, duke vlerësuar ripërtëritjen që regjisori i kishte bërë folklorit grek, cilësoi se "madhështia e veprës shkon në idenë se nuk mund të mbetemi tek hareja dhe orgjirat, por duhet të tentojmë moralin njerëzor, te turpi e sedra njerëzore". Ndërsa sugjerimi që i ka shkuar regjisorit Rantzos, ka qenë për evidentimin më të dukshëm të mizanskenave të secilit individ. Në përgjithësi, në shfaqjet që deri tani janë prezantuar në festivalin "Butrinti 2000", ka qenë loja aktoriale. Edhe trupa greke i ka marrë të tilla vlerësime. Ndërsa regjisori nga Kosova, Fadil Hysi u shpreh se "kjo vepër shpesh është parë si një vepër abstrakte, ku konflikti mes arsyes dhe iracionales, ekstazës dhe pasionit, racionales dhe steriles, që ndrydhen në emër të moralit, përbën padrejtësinë më të madhe të njerëzimit". Ndërsa emocionet që përfitoi nga e gjithë shfaqja, i përmblodhi në atë që ai e quajti "përqafimin e diçkaje më të madhe, të teatrit tim".


Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama