Mania e takave

Mania e takave
Këpucët me taka janë pasioni i çdo vajze. Të bëjnë të ndihesh mirë, të dukesh më e gjatë e më fine, madje tonifikojnë edhe muskujt e këmbëve. Këtë e thekson edhe Victoria Beckham.

Të shtojnë gjatësinë, të bëjnë më elegante, ndonjëherë “të hanë shpirtin” (në fakt kjo ndodh shpesh), por mund t’ju bëjnë edhe mirë, sidomos kofshëve dhe muskujve të këmbëve. E kemi fjalën për takat dhe dihet botërisht se çdo femër e ka të pamundur të heqë dorë prej tyre. Ky nuk është përfundimi ynë, por i ekspertëve, të cilët theksojnë se duke qëndruar për një kohë të gjatë mbi taka, muskujt e këmbëve zhvillohen më shumë sesa kur rrini me atlete.

Të fiksuara pas këpucëve me taka nuk janë vetëm vajzat e gratë e thjeshta, por edhe VIP-at, e sidomos Lady Gaga me “trampolinat” e saj dhe Victoria Beckham, e cila ka deklaruar se edhe gjimnastikën e bën mbi taka. Sipas “vajzës mondane”, ndenja mbi taka e ndihmon që të ketë kofshë të tonifikuara. Në fakt tendenca e fundit nuk janë vetëm takat teje të larta, por edhe përhapja e tyre nëpër palestrat e thjeshta. Tani vajzat kanë filluar të bëjnë gjimnastikë me këpucë me taka.

Dikur ishin kërcimet latino-amerikane që bashkonin muzikën dhe lëvizjet seksuale me ushtrimet fizike. Sot, versioni modern, i importuar direkt nga Shtetet e Bashkuara, është “Zumba fitness”, një kërcim jo vetëm që djeg kaloritë, por edhe të zbavit. Sipas krijuesit kolumbian Alberto “Beto” Perez “Zumba fitness” është edhe një mënyrë jetese që të mbush me gëzim.

Në fakt ajo që të çudit me të vërtetë kohët e fundit është se në qoftë se për “Zumba”-n, nuk nevojiten këpucë të veçanta, për në palestër vajzat duhet të veshin taka të larta e të holla. Edhe kjo tendencë ka lindur në SHBA, saktësisht në Nju Jork nga institucioni i Amber Efe, një valltare amerikane dhe mësuese në një palestër të famshme të “Big Apple”. Kjo mënyrë e re konsiston në bërjen e gjimnastikës së vërtetë. Faktikisht kjo mënyrë e re e të ushtruarit nuk është e lehtë, pavarësisht se njihet edhe jashtë Nju Jorkut dhe vazhdon të jetë një lloj stërvitje që s’mund ta bëjnë të gjithë.

Gjimnastika në fjalë lindi për të ndihmuar femrat, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve janë të detyruara të mbajnë taka të larta. Ky lloj ushtrimi konsiston në familjarizimin e vajzave me këpucët me taka të larta, ecja mbi të cilat është gjithmonë e vështirë.

Prej këndej më pas, ideja u zhvillua duke kërkuar që të bashkonte ushtrimet e ecjes dhe qëndrimit me ato të tonifikimit të trupit. Duke qëndruar mbi taka të larta muskujt tkurren më shumë dhe në mënyrë spontane. Duke i shoqëruar me disa ushtrime streçingu, mund t’ju ndihmojnë direkt në tonifikimin e muskujve të trupit. Përkrahësit e gjimnastikës mbi taka të larta premtojnë vithe më të tonifikuara, bark të sheshtë dhe kofshë të modeluara.

Të jeni të sigurt se, përveç rritjes së vetëvlerësimit, që në fund të fundit mund të garantohet edhe nga ndonjë lloj sporti tjetër, do të shtohet edhe sensualiteti femëror. Para se të filloni gjimnastikën mbi taka, fillimisht duhet të mësoni jo vetëm të ecni, por edhe të joshni, duke lëvizur në mënyrën e duhur.

Në qoftë se “gjimnastika seksuale e femrave”, siç quhet ndryshe metoda e re e stërvitjes është përhapur me shpejtësi në gjithë botën, por sërish mbetet e mërzitshme dhe e vështirë, atëherë mund të bëni një zgjedhje tjetër duke frekuentuar vetëm kurset ku mësohet të ecet mbi taka. Duhet të keni parasysh se edhe në këto lloj kursesh, kryefjala është “takë 12 cm”. Nuk ka rëndësi nëse këpucët janë me ose pa platformë, kanë takë të trashë apo të hollë. E rëndësishme është që të jesh seksi dhe të rrisësh besimin në vetvete.

Në fakt, ka edhe nga ata që nuk bashkohen me “të mirat” e takave, madje theksojnë se takat e larta i bëjnë keq jo vetëm shpinës (qëndrimi për një kohë të gjatë mbi taka deformon trupin) por edhe variçeve, për shkak të mosqarkullimit të gjakut, sepse subjekti qëndron gjatë gjithë kohës në majë të gishtave. Megjithatë, pavarësisht të gjitha bindjeve, në qoftë se nuk mund të hiqni dorë nga këpucët me taka, madje po ushtroheni shumë për të ecur si një divë e vërtetë në pasarelë, drejtojuni një eksperti dhe kini durim: për të përmirësuar paraqitjen tuaj (e në veçanti trupin) duhet të jeni të gatshme edhe të vuani pakëz.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama