Koleksion unik

Koleksion unik

Një prej librarive publike më të vjetra në botë, libraria e Vatikanit është mbyllur për t’u rindërtuar. Nuk pritet që ajo të hapet përpara shtatorit të vitit 2010. Javën e kaluar, sallat e leximit ishin të tejmbushura. Profesorë universiteti, studentë të diplomuar në universitete të famshëm në të gjithë botën, murgj të veshur me rroba në ngjyrë kafe të errët apo të zezë, si dhe kërkues biblikë nga më shumë se 50 vende ishin ulur bërryl më bërryl në tryeza të mbushura me dokumente dhe me laptopë, apo dorëshkrime të lashta. Ata po punonin fort, madje në garë me kohën për të përfunduar punën që kishin në duar, përpara mbylljes për tre vitet e ardhshëm të magazinës më të madhe për kërkime akademike.

Mbushur plot

Edhe nëse bie një gjilpërë me kokë në dyshemenë e librarisë, mund ta dëgjosh. Të gjithë flasin me pëshpërima. Mes stafit të librarisë mund të vihej re një sens i pagabueshëm histerie të kontrolluar, teksa këta rendnin rreth e rrotull për të rigjetur libra që nevojiteshin urgjentisht për studiuesit, nëpër pirgjet prej 60 kilometra të shpërndarë në shtatë kate, disa prej të cilëve në nëntokë.

Shumë studiues ishin vënë në radhë për orë të tëra vetëm për të gjetur një metër katror hapësirë tavoline. Autoritetet e Vatikanit kishin dyfishuar numrin e karrigeve të lexuesve nga 100 në 200, në një përpjekje për të kënaqur rritjen krejt papritur të kërkesës, që nga dita kur u bë shpallja e mbylljes së librarisë, për herë të parë në historinë e saj pesëqind vjeçare.

Edhe gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, libraria qëndroi e hapur. Në fillim të këtij viti, njëri prej krahëve të ndërtesës së shekullit 16, pikërisht ai në të cilin ndodhet libraria u zbulua se ishte i pasigurt në fillim të këtij viti. Pesha e grumbulluar e librave ishte thjeshtë shumë, shumë e rëndë për themelet e ndërtesës. Libraria e Vatikanit u themelua nga Papa Nikola V në fillimin e viteve 1450-të dhe fillimisht në të ndodheshin 350 dorëshkrime latine. Deri në kohën kur ai vdiq në 1455, koleksioni përfshinte afro 1500 dokumente dhe ishte tashmë më i madhi në Evropë.

Sot, pjesë e koleksionit janë më shumë se 1.5 milionë libra të printuar, përveç afro 150 000 dorëshkrimeve shumë të çmuar, ku më i hershmi i tyre i përket kohës së Perandorisë Romake.

Nën trysni

Një prej thesareve më të mëdhenj të librarisë është Codex Vaticanus, Bibla më e vjetër në botë, e cila është e shkruar me dorë në kohën e Perandorit të parë Kristian, Konstantin, në fillim të shekullit 4. Inxhinierët e Vatikanit i dhanë stafit prej 100 vetësh të librarisë vetëm tre muaj kohë për të zhvendosur 350 000 libra nga krahu i rrezikuar i ndërtesës.

Studiues nga e gjithë bota protestuan kundër mungesës së paralajmërimit. Mbyllja në emergjencë ndërpreu kërkime akademike në shumë vende. Scott Mandelbrote i kolegjit Peterhouse, në Cambridge thotë se i është dashur që të nxitojë për në Romë, për të përfunduar disa kërkime në librari në fillimin e kësaj vere, duke ndërprerë kështu leksionet në universitet. “Libraria e Vatikanit ka burime, të cilat nuk mund t’i gjesh askund tjetër në botë”, thotë ai. Por Ambrogio Piazzoni, zëvendësdrejtor i librarisë së Vatikanit thotë: “Tani libraria është e mbyllur. Nuk do të ketë përjashtime, ndonëse studiues dhe akademikë mund të vijojnë të kërkojnë fotokopje dhe mikrofilma deri kur libraria të rihapet në shtator 2010”.

Ndihmë teknologjike

Në korridorin jashtë zyrës së tij qëndron varur portreti i kardinalëve kapelëkuqë, që mbajtën postet e librarëve të Papës në shekullin 16. Kreu aktual i librarisë, Jean Tauran është gjithashtu kardinal. Piazzoni, një laik, është krenar që libraria e Vatikanit është në pararojë të teknologjisë dixhitale. Tashmë janë instaluar mikroçipe brenda disa prej librave më të vlefshëm, gjë që u tregon librarëve nëse ndonjë libër mungon në raftin e tij.

Në bashkëpunim me një kompani japoneze, janë zhvilluar teknika të reja për të lexuar dokumente të lashtë, të shkruar në kohërat kur pergamenët apo letra ishin mallra shumë të kushtueshëm. “Duke përdorur rreze ultravjollcë, ne mund të skanojmë lehtësisht në mënyrë dixhitale dokumentet për të zbuluar çfarë shkruhet nën to, gjëra që janë të pakapshme nga syri i njeriut”, thotë Piazzoni.

I pyetur përse pirgje me indekse kartash të vjetra vazhdojnë të zënë një prej sallave të leximit në një kohë kur katalogu i librarisë është transferuar në një bazë dixhitale të dhënash, ai përgjigjet se “ne nuk do të shkatërrojmë kurrë ato, sepse ka studiues që shpesh preferojnë të përdorin kartat e vjetra të librarisë, dhe ato përbëjnë një regjistër të përhershëm që ne mund ta përdorim gjithmonë për të kontrolluar nëse ka gabime të mundshëm në bazën dixhitale të të dhënave”.

Detyrat

Përgjegjësitë e librarisë, e cila është njëkohësisht një institut ruajtje, por edhe institut kërkimi janë:

Të ruajë dhe mbrojë me kujdesin maksimal thesaret që i janë besuar

Të rrisë koleksionin e dorëshkrimeve, librave dhe objekteve që përfaqësojnë qëllimin e institucionit, përmes blerjes, shkëmbimit dhe pranimit të dhuratave.

Të influencojë studimet dhe nxisë njohurinë e këtyre materialeve për vepra të zakonshme dhe të jashtëzakonshme dhe përmes publikimit.

Të vërë në dispozicionë të studiuesve të kualifikuar në të gjithë botën, me të gjithë kujdesin nevojshëm, si origjinalin ashtu edhe riprodhimet në forma të ndryshme, të relikeve që ndodhen në librari, duke ofruar çdo asistencë shkencore dhe teknike të mundshme për kërkime e studime, duke azhornuar vazhdimisht si dhe çdo lloj ndihme tjetër të nevojshme për realizimin e kësaj vepre.

LIBRARIA

Historia e një thesari gjigant

Provat e ekzistencës së scrinium-it të Kishës Romane, e cila ishte edhe librari edhe arkiv, datojnë pas në shekullin katër. Në shekullin e gjashtë ajo u vendos nën primicerius notariorum, dhe në fund të shekullit të tetë, u emërua i pari Kardinal Librar i Kishës, i cili luante gjithashtu rolin e kancelarit. Për arsye që mbeten të paqarta, libraritë më të hershme papnore dhe arkivat u shpërndanë në gjysmën e parë të shekullit 13-të. Koleksionet e reja të grumbulluara nga papët e shekullit 13-të, të cilët mund të rindërtohen falë një inventari që kreu Bonifaci VIII u zhvendosën pas vdekjes së tij, fillimisht në Peruxhia, më pas në Assisi dhe në fund në Avignon, një proces gjatë të cilit pati humbje të konsiderueshme. Në Avignon, Gjoni XXII nisi të ndërtojë një librari të re, e cila u bë pjesë e koleksionit të familjes Borghese në shekullin 17-të dhe iu rikthye Selisë së Shenjtë në 1891-in.

Nga Nikola V tek Sikstu V

Themeluesi i librarisë moderne të Vatikanit ishte Papa Nikola V (Tomazo Parentucelli). Kur ai u zgjodh në mars 1447, koleksioni i Vatikanit kishte afro 350 dorëshkrime latine si dhe disa greke e hebreje, të cilët përshkruhen në një inventar të kryer nga pasardhësi i tij Eugjeni IV. Kjo trashëgimi, së bashku me librat e vetë Nikola V, përbën fillimin e koleksionit, të cilin Nikola V e zgjeroi bujarisht, duke urdhëruar që të bliheshin dorëshkrime në të gjithë tregjet e Evropës dhe Lindjes dhe që dorëshkrimet e reja të hartoheshin nga një ekip shkruesish. Nga inventari i kryer pak pas vdekjes së tij në 24 mars 1455, dhe nga burime të tjera, duket se ai la pas më shumë se 1500 dorëshkrime, duke e bërë koleksionin Papnor më të madhin në Evropë në atë kohë.

20 vjet më pas, Sikstus IV nxori Ad decorem militantis ecclesiae duke i dhënë librarisë ndihmë si dhe të parin librar, Bartolomeo Platina. Numri i dorëshkrimeve ishte rritur në 2527 deri në vitin 1475, dhe në afro 3500 deri në vitin 1481, kur u përgatit një vendndodhje e re për librarinë në katin e nëndheshëm të ndërtuar prej Nikola III, me një hyrje për tek Cortile del Pappagallo, që ka pamje nga cortile del Belvedere. Ajo përbëhej nga katër salla me përmasa të ndryshme, të cilat quheshin respektivisht Bibliotheca Latina, Bibliotheca Graeca (për veprat në këto dy gjuhë); Bibliotheca Secreta (për dorëshkrime që nuk mund të viheshin direkt në dispozicion të lexuesve, përfshirë disa codice veçanërisht të çmuar); dhe Bibliotheca Pontificia ( për arkiva dhe regjistra Papnorë). Librari ndihmohej nga tre asistentë si dhe një libralidhës. Leximi kryhej në vend, në përputhje me rregulla shumë striktë; por në atë kohë librat edhe jepeshin hua, dhe regjistrat përkatës për vitet 1475-1547 ekzistojnë ende.

Në vitin 1587, Sikstus V autorizoi arkitektin e tij, Domenico Fontana që të hidhte themelet për një ndërtesë të re, më të madhe për librarinë. Ndërtesa, ku ndodhet edhe sot libraria, u ndërtua mbi shkallët që ndanin Cortile del Belvedere dhe oborrin që sot njihet si Cortile della Biblioteca. Në katin më të lartë ndodhej një sallë e madhe, që quhet Salone Sistino dhe ku mbahen koleksionet. Sikstus V vendosi rregulla precize për përdorimin dhe ruajtjen e koleksioneve.

Shekujt XVII-XVII

Në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë, në kohën e Papa Palit V, pjesa e arkivit u nda nga pjesa tjetër e librarisë; ajo u bë një ndër arkivat Sekrete të Vatikanit. Koleksionet e librarisë u organizuan në një mënyrë që ka mbetur praktikisht e pandryshuar deri ditët e sotme. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë librarisë iu shtuan gjithashtu koleksione të tërë privatë, të cilët në shumë raste janë bërë koleksione “të mbyllur” dorëshkrimesh dhe librash brenda librarisë së Vatikanit dhe kanë mbetur të ndarë nga koleksionet e tjerë, “të hapur”. Në vitin 1632, libraria e Heidelberg, që kishte rënë në duart e Dukës së Bavarisë Maksimilian II si plaçkë lufte, iu dhurua nga ky i fundit Gregorit XV në shenjë mirënjohje për ndihmën që ai kishte marrë nga Selia e Shenjtë gjatë Luftës tridhjetëvjeçare; në 1657, libraria mori dorëshkrimet e Dukëve të Urbinos; në 1689, ajo bleu dorëshkrimet që më parë ishin koleksionuar nga Mbretëresha Kristinë e Suedisë. Të tjerë koleksione të përvetësuar ishin koleksioni Capponi në 1746 dhe koleksioni Ottoboni në 1748.

Në shekullin tetëmbëdhjetë, u hodh ideja e botimit të një katalogu të plotë të dorëshkrimeve që ndodheshin në librari. Nga seritë e mëdha të parashikuar prej Giuseppe Simonio Assemani dhe nipi i tij, Stefano Evodio që do të përbëhej prej njëzetë vëllimesh, vetëm tre vëllimet e parë dhe një i katërt i papërfunduar u prodhuan praktikisht. Në fundin e shekullit, koleksionet e librarisë u pakësuan nga haraçi i luftës që i ishte imponuar Selisë së Shenjtë nga Napoleoni; por shumë prej librave dhe objekteve u rikthyen në 1815.

Karakteristikë e shekullit tetëmbëdhjetë ishte krijimi dhe rritja e vazhdueshme brenda librarisë së Vatikanit e koleksioneve artistikë dhe antikuarë. I pari i këtyre ishte në kabinetin Nurismatic, shtuar në 1738 përmes marrjes së koleksionit të medaljoneve romakë dhe grekë që kishin qenë pronë e Kardinalit Alessandro Albani, që në atë kohë ishte koleksioni më i madh pas atij të Mbretit të Francës.

Muzeu i Artit të Shenjtë u krijua në 1757 nga bashkimi i tre koleksioneve të rëndësishëm, dhe ai u pasurua vazhdimisht me lloje të ndryshëm objektesh nga lashtësia kristiane (gurë fildishi, vernik, bronz, qelq, terakota, tekstile etj.) që vinin kryesisht prej katakombeve romakë. Në 1767, muzeu u nda në dy pjesë, duke i dhënë hapësirë krijimit të muzeut të artit laik. Edhe ky koleksion pësoi humbje të mëdha për shkak të ngjarjeve të fundit të shekullit; në veçanti, një pjesë e madhe e koleksionit numismatic u hoq dhe u rimor më pas, por vetëm pjesërisht.

XIX-XX

Koleksioni i librave u pasurua së tepërmi në 1855 nga koleksioni Cicognara, i cili përbëhej nga libra që flisnin për artin si dhe objekte të lashtë. Që nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë, dorëshkrimet e Borghese (1891), Barberini (1902), Borgiani (1902), Rossiani (1921), Chigi (1923) dhe Ferrajoli (1926), si dhe Arkivi i Kapitullit të Shën Pjetrit (1940) dhe koleksioni Patetta (1945) mes të tjerëve, janë bërë pjesë e koleksioneve të librarisë.

Në kohën e Leo XIII, nisi një proces modernizues i kryesuar nga librari i atëhershëm Franz Ehrle S.J., i cili hapi sallën aktuale të leximit për libra të printuar (Sala Leonina); adoptoi norma të detajuara për katalogët e printuar të dorëshkrimeve, që janë zbatuar në një numër të madh katalogësh dhe që vazhdojnë të përdoren edhe sot; si dhe krijoi laboratorin e restaurimit në librari.

Katalogimi i librave u standardizua pas Luftës së Parë Botërore me të mirënjohurën normë për katalogimin e librave të printuar, e cila është riprintuar dhe përkthyer disa herë.

Marre nga : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama