Visar Zhiti nderohet ne Itali me cmimin Gjuha e shpirtit

Visar Zhiti nderohet ne Itali me cmimin 'Gjuha e shpirtit'

Shkrimtari Visar Zhiti vlerësohet në Itali me çmimin ndërkombëtar “Gjuha e shpirtit” për poezinë dhe misionin e saj.

Në edicionin më të fundit, të Çmimit Ndërkombëtar “Gjuha e shpirtit”, Itali 2016, siç raporton atsh, poetit shqiptar iu dha çmimi në ditët e “Narni festival”, përgjatë së cilës organizohen veprimtari të shumta ndërkombëtare, ku ndërthuren artet, muzika dhe kultura, pikërisht në qendrën historike të stilit të romantizmit të vonë, të shekujve XII-XIV, në kishën e Shën Françeskut.

Motivacioni i çmimit i botuar edhe në antologji për poetin Zhiti është “për dëshminë ekzistenciale e letrare, që ka sjellë duke qenë simbol i lirisë artistike dhe i poezisë të mendimit kundër barbarisë së diktaturës. Për tensionin moral dhe religjioz që Zhiti vazhdon të shpalosë dhe në misionin aktual të ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë”.
Komiteti promovues me përfaqësues entesh të ndryshme kulturore e sociale, nga Agjencia e Informacionit “Zenit” më e madhja e botës katolike, nga “Narnia Arts Academy”, “IF Press”, “Orbisphera” dhe “Associazione G. Jovine”, në jurinë e saj, sipas komunikatës për shtyp, përbëhej nga personalitete të klasit të parë në kulturë, gazetari dhe në spektakël: Renzo Allegri, Roberto Bignoli, Antonio Gaspari, Rosario Giuffrè, Paolo Gulisano, Carlo Jovine, Cristiana Pegoraro, Alessandro Rivali, Enrico Vanzina, Pamela Villoresi.

Ceremonia e dhënies së çmimit, bën me dije komunikata për shtyp, u zhvillua në ditët e “Narni Festival”, gjatë veprimtarive të shumta ndërkombëtare, ku u ndërthurën artet, muzikë dhe kulturë së bashku, pikërisht në qendrën historike të stilit të romantizmit të vonë, të shekujve XII-XIV, në kishën e Shën Françeskut.
Pas përshëndetjes së Drejtorit të Agjencisë “Zenit”, Paolo Gaspari, u prezantua dhe antologjia e poezive më të mira të autorëve finalistë të konkurrimit, “Gjuha e shpirtit”.

Cristina Pegograro, ideatore dhe organizatore e “Narnia Festival, anëtare e jurisë, pianiste e afirmuar e nivelit ndërkombëtar ndër të tjera shpjegoi se qëllimi i tyre ishte që “e bukura të jetë gjuha universale për të bashkuar kultura të ndryshme, besime, kushte sociale për të ndërtuar një humanizëm të ri për një botë më të mirë”.
“Prandaj ndjehemi të nderuar që ia japim çmimin poetik “G. Jovine- Gjuha e shpirtit”, poetit Visar Zhiti”, u shpreh Pegograro.

Është interesante se si bashkë me poezinë juria ka vlerësuar dhe punën e tanishme të Visar Zhitit, duke e parë atë si ambasador të vendit të tij në Vatikan.

Zhiti tregoi se kishte pasur raste të vlerësohej me çmime në vendin e tij, në vende të tjera përreth, në Ballkan, në Itali, etj, por ishte e para herë që merrte një çmim brenda në një kishë dhe sipas tij poezia është dhe një lloj lutjeje dhe lutja është dhe poezi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama