Pse sulmet e Parisit mund te jene fillimi i fundit te ISIS-it

Pse sulmet e Parisit mund te jene fillimi i fundit te ISIS-it

Seria e sulmeve të koordinuara që goditën Parisin mbrëmjen e së premtes mund të paraqes një epokë të re të aktivitetit të zgjeruar për «Shtetin Islamik». Nëse janë të vërteta pretendimet e grupit për përgegjjësinë e sulmeve, do të ishte hera e parë që një grup ekstremist ka kryer sulm të madh jashtë Lindjes së Mesme.

Dhe kështu, sulmi do të mund të nxiste fillimin e fundit për «Shtetin Islamik», thekson William McCants, ekspert i mendimit islamik dhe xhihadizmit.

Sipas McCantsit, që është anëtar senior në Qendrën për Politikë të Lindjes së Mesme dhe autor i librit më të fundit «The ISIS Apocalypse», sulmet kanë rritur në mënyrë të hatashme përkrahjen për pushtim të përmasave të gjera të territorit që kontrollohet prej «Shtetit Islamik» në Siri. Por edhe në qoftë se sulmi nuk ndërmerret së shpejti, McCants ka besim të plotë se në planin afatgjatë, do të shembet qeveria e «Shtetit Islamik» në Siri dhe Irak.

Intervista e tij është botuar e plotë për të shmangur çfarëdo paqartësie.

A paraqet sulmi në Paris ndryshim në strategjinë e «Shtetit Islamik»? A është ky sulm për nga natyra i njëjtë me veprimet e mëparshme?

Jo nuk është i njëjtë. Paraqet një ndryshim në përzgjedhjen e caqeve të tyre. «Shteti Islamik» para këtyre sulmeve ishte fokusuar kryesisht në ndërtimin e shtetit të tij në Siri dhe Irak, dhe kishte inkurajuar grupet e tjera të bënin të njëjtën gjë në pjesët tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Janë munduar të frymëzojnë sulme kundër armiqve të tyre të mëdhenj ndërkombëtarë, por nuk kishin shpenzuar shumë burime operative në këtë drejtim. Janë foksuar në ndërtimin e shtetit, duke kundërshtuar ndërmarrjen e sulmeve jashtë vendit. Andaj sulmi ndaj aeroplanit rus dhe sulmi në Paris, nëse të dy sulmet janë dirigjuar prej qendrës së ISIS-it, do të paraqisnin një ndryshim të madh.

A ka arsye për të dyshuar se «Shteti Islamik» është përgjegjës?

Për mua nuk është e rëndësishme shumë nëse këtë sulm e kanë kryer apo jo njerëzit që janë të lidhur me «Shtetin islamik», por në çfarë shkalle ka pasur dorë qendra e «Shtetit Islamik» me operacionet e tij në Siri dhe Irak, për dirigjimin e këtij sulmi. Sepse për mua këto janë dy gjëra të ndryshme. Adhuruesit që kryejnë sulme në emër tëndin jashtë vendit dallojnë prej operuesve që i ke trajnuar, financuar dhe dirigjuar. Përmasat e sofistikuara të sulmeve sugjerojnë se ato ishin dirigjuar prej Qendrës së ISIS-it, por këtë besoj se nuk do ta marrim vesh edhe pak kohë.

A mund të na deklaroni se çfarë mendoni ju për inteligjencën dhe vëzhgimin evropian? A mund ta dijmë se u dështua në këtë rast?

Unë dyshoj se u dështua vetëm për shkak se kanë shtrirje të pamjaftueshme. Evropianët janë shumë të zotë për monitorim të aktiviteteve subversive në vendet e tyre, por përmasat e këtij problemi janë të atypëratyshme. Ata jo vetëm që duhet të mbajnë nën vëzhgim radikalët brenda vendeve të tyre, por duhet të zhbirojnë edhe ata që mund të kenë hyrë nëpërmjet kufijve të vendit. Dhe kjo mund të kërkojë përnjëmend shtrirje të shërbimit të sigurisë deri në atë shkallë, saqë nuk mund të mbajnë nën kontroll secilin kërcënim. Ma merr mendja se diçka e ngjashme ka ndodhur këtu, se ata vetëm po monitorojnë shumë individë dhe nuk kanë burime të mjaftueshme për të mbajtur secilin nën kontroll.

A e shihni këtë si argument kundër valës së refugjatëve në Evropë? A paraqesin shqetësim sigurie kufijtë e hapur?

Paj mirë, ata padyshim se paraqesin shqetësim sigurie. Si të mos paraqesin kur keni kaq shumë njerëz që vijnë gjithandej? Por është edhe shqetësim humanitar. Shumica prej këtyre njerëzve po ikin pej këso lloj tipash që kanë kryer sulme në Paris. Andaj është një balans i ndjeshëm që këto qeveri duhet të mbajnë, duke garantuar sigurinë e qytetarëve të tyre, por edhe të sigurojnë se qytetarët e vendeve të tjera të gëzojnë azilin si refugjatë.

Sa është i lidhur sulmi i Parisit me atë që po ndodh në Siri e Irak?

Lufta kundër ISIS-it ka hasur në qorrrsokak vjet. Organizata ka humbur në Siri e Irak vetëm 25 për qind të territorit të saj. Megjithëse është bombarduar pandërprerë nga ajri dhe me luftime nga milicitë në terren, ISIS-i po mbahet. Dhe të mos harrojmë se edhe Rusia është zotuar që ta ndihmojë regjimin e Assadit. Dhe «Shteti Islamik» është para një vendimi. A të mundohet të vazhdojë dhe të përparojë në terren, dhe të zgjerojë kufijtë e tij, apo është më mirë të shpenzojë pak prej kapitalit të tij dhe burimeve njerëzore duke u munduar të neutraizojë armiqtë që po sulmojnë dhe që po mundohen të futen në «Shtetin Islamik»? Duke pasur parasysh sulmet e dy javëve të kaluara, duket se ISIS-i ka zgjedhur këtë të fundit. ISIS-i mendon se ndërmarrja e sulmeve jashtë vendit është pjesë e strategjisë për mbajtjen e kontrollit në Siri dhe Irak.

Por duket se sulme si këto po rrisin përkrahjen në Perëndim se mbase është mbushur kupa për të ndërmarrë një ofensivë agresive kundër ISIS-it. A nuk do të duhej të mendonte ISIS-i se ky sulm do të mund të provokonte reagim të tillë?

Kjo është një çështje rëndësishme për diskutim dhe është pyetje që nuk do të mund t’i japim përgjigje për një kohë të gjatë, nëse do të mund t’i japim ndonjëherë. Nuk kemi ditur për detajet e sulmit të 11 shtatorit, ta zëmë deri pas disa vitesh. Paqartësitë e brendshme që mund të pasojnë nuk janë të kuptueshme për ne. Ne shohim vetëm sipërfaqësisht pas këtyre ndryshimeve të veprimeve. Dhe për pasojë nuk e dimë se çfarë po mundohet ISIS-i të provokojë që të ndërmarrin armiqtë e tij. Në kushte ideale do të doje të kishe mundësinë të prisje derisa të merrje këtë informacion, por kjo mbase kërkon vite të tëra. Dhe këto shtete nuk do të bëjnë sehir derisa ta marrin vesh njëherë e përgjithmonë se çka do ISIS-i.

A nuk ka dhënë shenja  ndonjë prej deklaratave ose propagandës se cili mund të jetë motivi i vërtetë i ISIS-it?

Jo, sepse ata kanë deklaruar të dyja. Ata kanë thënë gjëra, si jepni, jemi në luftë me botën. Në anën tjetër, flasin për këto sulme ajrore si agresion i mëtejshëm. Andaj nuk është fort e qartë propaganda e tyre publike se çka në të vërtetë kërkojnë. Një organizatë si kjo kryen sulme të ngjashme për të përçuar një mesazh. Dhe nëse mesazhi është i pafuqishëm, armiqtë tuaj mund të reagojnë në aso mënyrash që ju nuk i doni. «Shteti Islamik» do të mund ta qartësonte këtë punë, do të mund të jepte deklarata të qarta dhe eksplicite, por nuk po e bën një gjë të tillë. Ma merr mendja se i shohin këto sulme si neutralizim, por i kanë bërë hesapet gabim, dhe në vend të qëllimit të tyre kanë arritur të mobilizojnë bashkësinë ndërkombëtare të rrisë përpjekjet për shkatërrimin e qeverisë së ISIS-it në Siri dhe Irak.

Na thoni çfarë efekte prisni se do të ketë sulmi në Paris në politikën e jashtme amerikane apo atë evropiane?

Po, mirë, unë mendoj se sulmi ngrit përkrahjen për një lloj invazioni të përmasave të gjera në territorin e kontrolluar të ISIS-it, veçanërisht në Siri. Por nuk është e thënë se kjo është mënyra e drejtë, sepse ky lloj invazioni do të sillte me vete edhe shumë probleme. Por mendoj se politikanëve do t’u japë më shumë përgjegjësi për të kryer punë se sa më parë kur ishin frenuar për shkak të hesapeve të tyre të brendshme politike. Në SHBA dhe Evropë nuk ka shumë gatishmëri për të dërguar forca në Lindje të Mesme. Të gjithë janë të shqetësuar prej luftës në Afganistan. SHBA-ja gjithashtu është e trembur prej luftës njëdekadëshe në Irak, dhe në përgjithësi, së paku në këtë vend, nuk ka pasur përkrahje të madhe publike për ndërhyrje të mëdha ushtarake. Sulme si këto do të mund të rrisnin përkrahje e gjerë.

Cilat mund të jenë problemet specifike që mund të rezultojnë nga invazioni i territorit të «Shtetit Islamik»?

Afërmendsh se kjo çon drejt vdekjes së qytetarëve tanë, me ushtarët që luftojnë atje. Kjo rrit presionin politik për të kthyer trupat në atdhe, kështu që ata nuk mund të qëndrojnë gjatë për ta çuar punën deri në fund. Por duke pushtuar një territor me një numër të lartë trupash, ju mund të asgjësoni qeveri si ajo e ISIS-it, por i keni qeveritë e tjera në fqinjësi që mbesin jashtë grepit të adresimit të problemeve që para së gjithash çuan drejt krijimit të ISIS-it. Problemi më i madh është fragmentarizimi dhe zemërimi i fiseve arabe sunite që jetojnë në Sirinë Lindore dhe Irakun Perëndimor. Dhe derisa qeveritë e tyre qendrore në Siri dhe Bagdad të mos gjejnë një strategji për rehatimin e tyre, rajoni do të vazhdojë të jetë tokë e pëlleshme që të shtrihen organizata si ISIS-i.

Keni thënë në të kaluarën se keni besim të plotë se qeveria e ISIS-it në Siri dhe Irak në fund do të shembet. Pse keni kaq shumë besim?

Mirë, kam besim të plotë sepse secili shembull tjetër që kishim me një garniturë xhihadiste pa shtet, gjithnjë ka përfunduar si mos më keq, sepse pashmangshëm është në kundërshtim me një fuqi të madhe të huaj. Grupet globale xhihadiste, qofshin serioze në retorikën e tyre apo jo, kërcënojnë shtete e fuqishme të huaja. Dhe shtete e fuqishme të huaja vendosin përfundimisht se është më mirë që ato të mos kenë shtete në kontroll, dhe i heqin qafe. Ta zëmë talebanët, «Al-Qaeda» në Gadishullin Arabik, «Al-Qaeda» në Magrebin islamik në veri të Malit, «Shababi» në Somali. Të gjitha kanë qeverisur keq dhe brutalisht, por kjo nuk ishte arsyeja pse dështuan. Ato dështuan për shkak se në armiqësi me disa shtete të fuqishme që vendosën të hynin dhe të pastronin terrenin. «Shteti Islamik» po provokon dy superfuqi duke sulmuar civilët rusë dhe civilët francezë, dhe ky mund të jetë fillimi i fundit të tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama