Aty ku vet Shekspiri i hodhi ngjarjet e "Natës së dymbëdhjetë". Trupa bullgare e Teatrit të të Rinjve, "Nikolai Binev" e kanë sjellë në antikitetin e Butrintit. Shfaqja është ngjitur në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, "Butrinti 2000". "Ky është Shekspiri ynë", - ka cilësuar që në fillim drejtori i këtij teatri, Vladimir Lukanov, për t'i paraprirë mendimeve dhe përjetimit që gjithsecili përftoi në shkallët e gurta.
Ky ishte i pari Shekspir për teatrin e tyre. Ndërsa "Nata e dymbëdhjetë", oguri që çelte pas 20 vjetësh riparim teatrin "Nikolai Binev". Komedia e burrave do ta quaje ndryshe. Regjisori Krikor Azaryan ka zgjedhur në stafin e tij vetëm aktorë. Burra, të cilëve u mjafton vetëm një garderobë e shekujve të shkuar e disa paruke për të qenë femra, për të përcjellë dashuri e njëkohësisht, thurur intriga. Regjisori nuk ka qenë vet i pranishëm për të shpjeguar konceptin e tij mbi këtë vepër. E megjithatë, arsyeja më e thjeshtë e kësaj zgjedhjeje është ndjekja e traditës së teatrit shekspirian. Aty ku personazhet parapëlqejnë të këmbejnë identitetet e të tentojnë të zbulojnë botët e kundërta. Kjo është e dyta shfaqje që i përcillet publikut shqiptar nga trupa bullgare, pas "Shtrëngatës" së Aleksandër Morfov.
Prania e këtyre trupave është kthyer në një traditë për festivalin. Kurse loja që ato kanë sjellë gjatëe këtyre viteve ka krijuar një pritshmëri për një teatër të suksesshëm. Por duket se këtë herë Shekspiri është tradhtuar paksa nga skena antike. Edhe pse Iliria është vendi real i ngjarjeve. Regjisori i ka qëndruar besnik tekstit të Shekspirit. E kështu që të marrin shtrirjen, të tërë ngjarjet janë vendosur në një hapësirë kohore për rreth 2 orë e gjysmë. Një zgjatje që nuk i ka shkuar shumë për shtat skenës së Butrintit e është reflektuar edhe te publiku.
Magjia e ngjarjeve humbi në lodhjen e vëmendjes. Drejtori Lukanov e ka pranuar këtë vërejtje, duke shtuar se ky ishte një kushtëzim nga vendi ku po vihej shfaqja. "Në Bullgari këtë shfaqje e kemi vënë me ndërprerje. Këtu ishim të detyruar që ta vinim në mënyrë të tillë", - është shprehur ai. E vetmja ndërprerje e shkurtër për publikun e Butrintit, ishin vetëm disa thënie humoristike të lexuara nga një prej aktorëve bullgar. Ndërsa ka theksuar se skena i ka vënë edhe në vështirësi teknike. "Na ka munguar rotativa dhe kjo është ndjerë gjatë shfaqjes", - ka shtuar ai më tej. Gjatë prezantimit kanë shtuar se kjo shfaqje ka qenë e sukseshme në Sofje.
Ajo është vlerësuar me 6 çmime, ndër të cilat 2 për muzikën, për skenografinë, kostumografinë, rolin e dytë më të mirë dhe një çmim festivali si shfaqje. Vladimir Lukanov e quan një vënie të rëndësishme atë të Butrintit. "Shekspiri është shumë i vështirë ta vësh në teatrin bashkëkohor. Edhe vet përçmimi i tekstit te publiku është intrigues. Por e kemi një publik bullgar që i ndjek veprat e Shekspirit. Ne nuk jemi të marrë që të mendojmë se kemi bërë diçka të madhe. Në fund ishim të kënaqur që pamë se në shkallët e teatrit ndodhej ai publik që meritonte ta shihte këtë shfaqje. Ndërsa të rinjtë që dolën, apo edhe ata që merreshin me diçka tjetër, do të thotë që nuk u ka interesuar Shekspiri. Megjithatë, ne e dimë që procesi i edukimit të publikut është shumë i gjatë dhe i vështirë", - ka theksuar Lukanov.
Aktorët
Gjithçka nis me një shkrepëtimë artificiale që zbardh gurët e Butrintit. Stuhia e hedh një trupë teatrore në brigjet e Ilirisë. Nën zhurmën e dallgëve të qetësuar nis maratona e fshehjes dhe zbulimit të identiteteve. Viola, Orsino, Oliva, Sebastian, Maria, Maviolo, Sebastian, Fabian etj, përfshihen në rrotullimën që në fund përfundon me shpallje martesash. E gjitha kjo vjen përmes lojës së aktorëve, Svetoslav Dobrev, Deyan Angelov, Nikolay Lukanov, Marin Yanev, Vezhen Velchovski, Georgi Kadurin etj. Ndonëse me çalimet e saj si shfaqje në tërësi, trupa bullgare u prezantua me një lojë aktoriale për t'u vlerësuar.
Secili prej aktorëve ishte në brendësi të karakterit të tij. Personazhet ishin të vërtetë dhe tepër të realizuar për anën komike që duhet të përcillnin. Kjo e realizuar falë një punë 2 muaj e gjysmë, gjatë së cilës aktorët kishin punuar shfaqjen. "Përballja më e rëndësishme e aktorëve është ajo me publikun dhe besoj se gjatë kësaj shfaqjeje ata janë ndjerë më shumë mirë se keq, edhe me konceptin regjisorial", - është shprehur drejtori Lukanov. Muzika ka qenë një element i rëndësishëm mbështetës për shfaqjen. E futur në pjesë të caktuara, ajo është interpretuar live, e shoqëruar në këngë edhe nga aktori. Kjo ka përcjellë një emocion të veçantë dhe herë-herë ka shërbyer si lidhëse mes akteve. Edhe ky tentim drejt Shekspirit nga ana e trupës bullgare, ka qenë një mënyrë qasjeje më shumë nga ato që shpërfaqen në skenën antike të Butrintit.
Oliverta Lila ; Gazeta Shqiptare











