Ministrat e Eurogrupit fshikullojne Varoufakis Nje kumarxhi nje amator

Ministrat e Eurogrupit 'fshikullojne' Varoufakis: Nje kumarxhi, nje amator

“Koha po mbaron, shpejtësia është jetike”. Është ky ultimatumi që i ka dhënë Greqisë presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, në përfundim të takimit të Eurogrupit.

Nga ana tjetër, ministrat e Financave të vendeve përdoruese të monedhës së përbashkët evropiane kanë fshikulluar kolegun e tyre grek, Yanis Varoufakis.

“Një humbës kohe, një kumarxhi, një amator”, janë fjalët me të cilat Varoufakis është cilësuar nga homologët e tij të mbledhur në Riga të Letonisë.

Kjo, për mënyrën se si ai po çon përpara negociatat me kreditorët ndërkombëtarë, kanë deklaruar për agjencinë e lajmeve Bloomberg burime nga takimi.

“Ka qenë një diskutim shumë kritik. Bëmë një marrëveshje dy muaj më parë dhe tani besonim se do të mund të merrnim një vendim. Por jemi shumë larg vendimit, ndaj dhe debati ka qenë shumë kritik”, ka deklaruar nga ana tjetër presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

“Greqia duhet të bëjë më shumë. Ekziston sensi i urgjencës, grekët e dinë që koha po mbaron, por prilli nuk ka mbaruar. Duhet një marrëveshje globale për listën e reformave para lëshimit të çdo kësti. Përgjegjësia është në duart e grekëve, në interesin e tyre. Në negociatat me ta ka ende shumë probleme të mëdha që duhen zgjidhur”, ka vijuar Dijsselbloem.

Ndaj, ka shtuar presidenti, hipoteza për të lidhur diskutimin aktual me implementimin e programit të dytë të ndihmave është i papranieshëm./ TCH


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama