Mijera protestues ne Shkup kerkojne doreheqjen e qeverise

Mijera protestues ne Shkup kerkojne doreheqjen e qeverise

Mijëra protestues kërkuan dje në Shkup dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Gruevski, e cila akuzohet për veprimtari kriminale që sipas tyre janë dëshmuar me atë që njihet si afera e përgjimeve nga ana e opozitës.

“Gruevski Ik”,”Lamtumirë Nikolla” “Poshtë qeveria kriminale”, “Protestoj”, janë vetëm disa nga parullat që po mbanin protestuesit në duar. Masës së tubuar iu drejtuan përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, studentë, profesorë të universitetit e eurodeputetë. Ata thonë se protesta e sotme është shans për një fillim të ri në Maqedoni, për kthimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Studentët -pjesë e demonstratës

Studentët nuk janë sot këtu për të mbështetur një parti politike, por duam një shtet demokratik dhe ardhmëri, u shprehën studentët maqedonas dhe shqiptarë nga Plenumi Studentor. “Ne nuk jemi përkrahës të asnjë partie, ne nuk jemi përkrahës as të qeverisë as të opozitës, ne duam demokraci, liri. Të nderuar politikanë ju na ndalët të drejtën për liri, për t'u shprehur, prandaj jemi këtu që t'ju tregojmë se kaq e jo më tej”, deklaruan përfaqësues nga Plenumi Studentor.

“Gjenerata ime tashmë i ka vendosur themelet e një shoqërie multi-etnike dhe jam e bindur se gjenerata ime asnjëherë nuk do të jetojë një luftë të re, sepse gjenerata ime beson në fuqinë e bashkësisë, beson në lirinë dhe demokracinë, prandaj jemi më rezistent dhe konsistent në betejën për realizimin e ideve tona”, iu drejtua masës së tubuar një studente shqiptare. “Erdhi koha e lirisë, drejtësisë dhe bashkësisë. 9 vite na gënjejnë, na shkelin çdo dit.

Morën në qafë shumë policë me skenarët e tyre, shumë fëmijë sot janë të traumatizuar, shumë shtëpi të djegura, edhe sa do të durojmë. ”,tha para protestuesve Xhabir Deralla, kryetar i CIVIL. “Ne premtuam dhe erdhëm këtu. Erdhëm edhe përkundër të gjitha pengesave, kërcënimeve, dhe të gjitha marifeteve të tjera, nga bllokimi i ashensorëve, bllokimi i rrugëve me autobusë. Erdhëm të lodhur nga frika dhe nga dëshira e madhe për liri. Erdhëm që ta fitojmë lirin ose ta lirojmë lirinë”, deklaroi kryetari i Fondacionit Shoqëria e Hapur Maqedoni, Vlladimir Millçin.

"Harrove Maqedoninë"

Nikolla Dimitrov, ish funksionar i lartë i VMRO-DPMNE-s kritikoi Gruevskin për dështim. “Ne tani do t'i vendosim themelet e Republikës së Maqedonisë, të gjithë së bashku do të sjellim demokracinë, Gruevski nëse më dëgjon a e di se ke dëshirë të dëgjosh, të gjitha ndërtesat i rregullove me fasada baroke, por e harrove Maqedoninë. Ka vetëm një opcion ose kjo Qeveri ose Republika e Maqedonisë. Faleminderit Nikolla, faleminderit që na bashkove dhe ne kërkojmë përgjegjësi.” Profesoresha Najçevska u është drejtuar protestuesve duke deklaruar se qytetarët protestojnë për lirinë, të lirë nga frika dhe nga skamja, mjaft më me frikë.

“Shumë vështirë të flitet për të drejtat që i takojnë çdo krijese. Ne po revoltohemi, sepse po shkelen të drejtat tona. Kemi të drejtë të jemi të lirë”, ka deklaruar ajo. Në protestë mbarëpopullore ishin të pranishëm edhe ish-raportuesi për Maqedoninë Riçard Howit, ish-kryeministri i Bullgarisë, Sergej Stanishev dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein. “Ne me shokët, nuk jemi këtu për t'iu mësuar, por jemi këtu për ta dëgjuar zërin tuaj, mesazhi juaj është e qartë, ju dëshironi paqe, këtu shoh njerëz nga etni të ndryshme që janë së bashku këtu, e shoh shumë qartë se ju doni demokracinë”, deklaroi Kryetari i Socialdemokratëve dhe ish-kryeministër i Bullgarisë Sergej Stanishev.

Ndërsa eu rodeputeti gjerman socialdemokrate, Kntu Fleckenstein u shpreh: “ Unë jam këtu me shokë të mi nga Bullgaria, Suedia, Hamburgu dhe Britania e Madhe. Kam ardhur nga Brukseli në Shkup për t'i treguar Maqedonisë se si të përballojë krizën ku gjendet, por vetëm ju mund të zgjidhni të ardhmen tuaj. Ju përgëzoj për sinjalin që jepni, se ju qytetarët e Maqedonisë dëshironi të jetoni në një shtet demokratik me sundim të drejtë të ligjit .”

Protesta u përmbyll me fjalimin e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev për të cilin 17 maji i këtij viti do të hyjë në historinë e vendit si ditë kur filloi të çlirohet Maqedonia. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha se në situatën e krijuar mundësia e vetme për dalje nga kriza është dorëheqja e Gruevskit. “Dëshiron, apo nuk dëshiron Gruevski duhet patjetër ta japë dorëheqjen. Bashkë me të edhe prokurori Marko Zvrlevski dhe udhëheqësia e TVM-së.

Duhet të formohet qeveri kalimtare, e cila do të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka thënë Zaev. Ai kërkoi mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare që drejtpërdrejt të ndihmojë në zgjidhjen e krizës, e jo vetëm të monitorojë. “Inati i Gruevskit me vullnetin e popullit që sot po shihet qartë, mund të sjellë pasoja të padëshirueshme”, tha Zaev. Ai tha se, Maqedonia është e gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë. “24 vjet Maqedonia është një shtet -dy shoqëri. Prej tash do të jetë një shoqëri krenare për shtetin e saj. Dallimet janë thesari ynë. Ka mbaruar koha e patriotëve", tha Zaev para protestuesve.

Opozita, tenda përpara qeverisë

Mitingu i madh që u mbajt dje në Shkup për dorëheqjen e Nikolla Gruevskit dhe Qeverisë së tij përfundoi rreth orës 19 dhe po vazhdon në fazën e vet të re. Ngadalë po pastrohet bulevardi dhe parku te Qeveria, ndërsa me kamionë dhe furgonë u sollën disa mijëra shtretër, thasë për fjetje dhe tenda për fazën e dytë të protestës së vazhdueshme. Me këtë nisi stacionimi i kampit në vetë bulevardin para Qeverisë dhe sipërfaqet e gjelbra përreth, ku aktivistët do të qëndrojnë deri në largimin e Gruevskit.

Ndërkohë, kryeministri Gruevski, njëherësh kryetar i partisë VMRO- DPMNE ka paralajmëruar një kundërprotestë për nesër. Nuk është saktësuar ora, por vendi është i njëjti me atë të protestës së sotme. Në protestën e djeshme u panë flamuj shtetëror të Maqedonisë, e ato kombëtarë shqiptarë. Në protestën e sotme ka pasur edhe përfaqësues të lartë të vendeve evropiane të akredituar në kryeqytetin maqedonas, si dhe përfaqësues të mediave të njohura botërore.

BBC: Përgjimet mund ta rrënojnë Gruevskin, siç rrënuan Nixonin Milo: “Kumanova” skenar maqedonas

Analisti i çështjeve politike në Ballkan, Guy De Launey, korrespodent i BBC-së, ka bërë një analizë rreth problemeve aktuale politike në Maqedoni. Sipas tij, derisa publikimi i përgjimeve në zyrën ovale patën përfunduar karrierën e ish-Presidentit amerikan, Richard Nixon, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, shkruan BBC, transmeton zeri.info. “Përgjimet e publikuara tregojnë se si ministrat kanë manipuluar me çdo gjë”, është shprehur Launey.

Kreu i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, thotë se kryeministri duhet të shkojë, dhe protestat mund të tregojnë se sa shumë qytetarë mund të pajtohen me një gjë të tillë, shkruan më tej Launey, transmeton zeri.info. “Por protestat po mbahen, ndaras nga partitë politike, dhe disa thonë se nuk janë të kënaqur me përfshirjen e z Zaev”. Ndryshe, BBC, në një artikull shkruar për protestat në Shkup, parasheh që do të mund të dalin me mijëra qytetarë të pakënaqur me udhëheqjen politike.

Protestat vijnë pas disa muaj hetimesh, lidhur me përgjimet sekrete të publikuara nga lideri i opozitës maqedonase Zaev, përgjime këto që konfirmojnë komplote të minsitrave për të manipuluar me zgjedhjet si dhe fshehjen e një vrasje. Më tej BBC, raporton edhe për dorëheqjet e fundit të dy ministrave dhe të kreut të inteligjencës. BBC, shkruan se paqëndrueshmëria politike maqedonase, vjen edhe pasi që vendi është përballur me përleshjet e javës së kaluar, mes shqiptarëve etnikë dhe policisë. 14 shqiptarë dhe tetë policë janë vrarë në luftimet që pasuan pas një bastiseje të policisë në një lagje shqiptare në Kumanovë Ish-ministri i jashtëm, Paskal Milo, nga Korça, ku ka pasur një takim me strukturat e partisë së tij, duke u ndalur mbi ngjarjet në Kumanovë, mes të tjerash është shprehur se:

“Shqiptarët nuk kanë qenë ata që kanë nisur sulmin, por kanë qenë subjekt i sulmit të ardhur nga policia dhe shërbimet sekrete maqedonase”. Sipas tij shërbimet sekrete maqedonase, për të zhvendosur vëmendjen, luajtën kartën etnike. Më tej ish-kryediplomati shqiptar, duke komentuar ministrin e jashtëm rus Lavrov tha: “Ai është aleat i Serbise ndaj dhe ai do të mbështesë akuzat ndaj Kosovës”.

Për Milon “është detyrë e shtetit shqiptar që të mbështesë me fuqi të drejtat e shqiptarëve në bazë të marrëveshjes së Ohrit. Ish-ministri është ndalur edhe tek deklarata e Jankullovskës, e cila u shpreh se brenda një ore do të shfaroste të gjithë shqiptarët. Për këtë Milo u përgjigj: “Deklarata e Jankullovskës është tipike nazifashiste”. Kriza në Maqedoni, Gruevski refuzon Dorëheqjen Opozita maqedonase kërkoi përmes një demonstrate masive dje, që të detyrojë kryeministrin maqedonas të VMRO-DPMNE të japë dorëheqjen.

Qytetarët ishin mbledhur në sheshin kryesor të Shkupit. Por kryeministri Nikola Gruevski, që ndodhet në pushtet nga viti 2006- dhe akuzohet sot nga opozita për autorizarizëm ka refuzuar edhe njëherë të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugënn për zgjedhje të parakohshme. "Nuk ka asnjë synim për dhënie dorëheqjeje apo të pranoj një qeveri të përkohshme", tha Gruevski të shtunën në një televizion të afërt me qeverinë, Sitel. Dorëheqja do të ishte sipas kryeministrit maqedonas një "akt i frikës". Ndërkohë Gruevski e akuzoi kreun e opozitës, Zoran Zaev se po mbështetet nga shërbimet e huaja.

Zgjidhja e krizës politike duhet të jetë në harmoni me vullnetin e popullit maqedonas, ashtu si ai e shprehu atë në prill, para një viti tha Gruevski. Në zgjedhjet e parakohshme të prillit, Gruevski u rikonfirmua edhe njëherë në pushtet. Por opozita rregullisht e ka akuzuar kryeministrin maqedonas për fallsifikim të zgjedhjeve. Që nga zgjedhjet e prillit, opozita maqedonase refuzon të bashkëpunojë në parlament. Pas publikimeve të rregullta të përgjimeve prej disa javësh nga kreu i opozitës, Zoran Zaev, opozita e akuzon qeverinë Gruevski për keqpërdorim masiv të pushtetit e korrupsion të niveleve të larta, si edhe përgjimin ilegal të 20.000 qytetarëve maqedonas.

Protesta e madhe e opozitës vjen një javë pas ngjarjeve të përgjakshme në Kumanovë, ku pas dy ditësh shkëmbime zjarri mes policisë dhe një grupi të armatosur shqiptarësh, të cilësuar si "terroristë" nga qeveria, humbën jetën 8 policë dhe 14 vetë të grupit të armatosur. Megjithëse kriza aktuale në Maqedoni shihet si kryesisht politike, marrëdhëniet etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë të tensionuara. Kumanova ka ngritur shumë shqetësime, nëse kriza politike mund të shkallëzojë në një konflikt të përgjakshëm në Maqedoninë e tronditur nga kriza prej muajsh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama