Shoqata atdhetare - kulturore "Argjiro" me qendër në Paris dhe deputeti i Gjirokastrës, Genc Ruli, kanë marrë përsipër që të risjellin "Doruntinën" e interpretimit të muzikës klasike, sopranon Inva Mula nga katedralet dhe katakombet e Parisit në lartësitë e kështjellës së Ali Pashë Tepelenës në Gjirokastër. Të shtunën e ardhshme, diva shqiptare me famë evropiane dhe botërore, interpretuesja e njohur e muzikës klasike, sopranoja Inva Mula, së bashku me kuartetin orkestral "Gaudi" drejtuar nga muzikanti i talentuar, Arben Skënderi, do të sjellin nga sallat dhe hollet e Parisit në qytetin e gurtë të Gjirokastrës një repertor nga muzika tradicionale shqiptare dhe akordet e muzikës klasike evropiane. "Koncerti gala i sopranos tonë të madhe, Inva Mula, shoqëruar nga kuarteti orkestral "Gaudi" i përbërë nga 3 muzikantë francezë dhe drejtuar nga muzikanti i talentuar shqiptar, Arben Skënderi, është një ndër tri veprimtaritë kulturore që shoqata "Argjiro" e Parisit do të organizojë deri në shtator të këtij viti në mjediset e kështjellës së Gjirokastrës", tha për "Shqip", presidentja e kësaj shoqate, Ilda Mara.
Sipas saj, në muajin gusht 2007 në kështjellën e Gjirokastrës nga një trupë teatrale franceze do të organizohet shfaqja e tragjedisë "Kush e solli Doruntinën" dhe nga 14 deri në 16 shtator 2007 në mjediset e kështjellës mesjetare të Gjirokastrës do të zhvillohet festivalin ndërkombëtar "Takimet Muzikore të Dy Botëve" që do të jetë një gërshetim i përkryer i muzikës tradicionale klasike me muzikën bashkëkohore evropiane. Nga organizatorët e tri veprimtarive, koncerti i sopranos Inva Mula shoqëruar nga kuarteti orkestral "Gaudi" do të shërbejë për dy qëllime, së pari për të lançuar festivalin ndërkombëtar "Takimet Muzikore të Dy Botëve" dhe nga ana tjetër të ardhurat e grumbulluara nga kjo veprimtari do t‘i kalojnë Shtëpisë së të Moshuarve në Gjirokastër. "Synohet gjithashtu, që koncerti i këngëtares shqiptare me famë botërore, Inva Mula, organizuar në mjediset e kështjellës mesjetare të Gjirokastrës t‘i shërbejë promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës në funksion të turizmit kulturor dhe në këtë mision të kësaj veprimtarie, organizatorët kanë gjetur mbështetje të fuqishme tek UNESCO dhe zyra për konservimin e Gjirokastrës historike që është një iniciativë e mbështetur edhe nga UNESCO", u shpreh organizatorja e koncertit, presidentja Shoqatës së Diasporës Shqiptare në Francë "Argjiro" znj. Ilda Mara.
Shoqata kulturore franko-shqiptare "Argjiro" synon jo vetëm që me fondet e mbledhura nga kjo gala të ndihmojë azilantët e Shtëpisë së të Moshuarve të Gjirokastrës, por edhe të ndihmojë sadopak në rritjen e shkëmbimeve kulturore të Shqipërisë në Evropë e më gjerë, në shërbim të vlerave kulturore, intelektuale, artistike, historike e njerëzore. "Nëpërmjet këtij koncerti, ne synojmë t‘i japim një ritëm të ri jetës kulturore-artistike në Gjirokastër, të forcojmë kontaktet e drejtpërdrejta ndërmjet artistëve shqiptarë dhe të huaj, të edukojmë publikun me një art cilësor dhe bashkëkohor, të promovojmë dhe nxitim turizmin, të promovojmë vlerat e qytetit muze dhe kalasë së tij nëpërmjet aktiviteteve periodike ndërkombëtare dhe t‘i ofrohet publikut dhe turizmit tonë një alternativë argëtuese, edukuese, cilësore dhe induktive", theksoi organizatorja Mara. Është menduar që përfitues i këtij aktiviteti të jetë publiku artdashës gjirokastrit, i cili do të ketë një mundësi më tepër argëtimi dhe edukimi nëpërmjet artit të sjellë në Gjirokastër nga artistë të njohur në skenat e botës. Përfitues do të jetë edhe turizmi dhe komuniteti i biznesit të shërbimeve, të cilët do të mund të gjallërojnë Gjirokastrën muze, galeritë, restorantet.
Marre nga : Gazeta Shqip











