Bie arkeologjia e diktatures gafat ne monumente

Bie arkeologjia e diktatures, 'gafat' ne monumente

Rezultatet në arkeologji kanë dhënë një kronologji të re. Harta e menduar nga zbulimet e viteve ’70-‘80 do të përmbyset nga përfundimet e gërmimeve të 20 vjetëve të fundit, reflektime të finalizuara në 2015. Kreu i Arkeologjisë, Luan Perzhita tregon ndryshimet që kanë ndodhur nga zbulimet në Amantia, Sofatikë, Orikum, Dimal etj. Thembra e Akilit: Si do të reflektohen ndryshimet në tekstet shkollore dhe të historisë?

 
Është vetëm një rast, por historik mjaft i rëndësishëm: në tekstet shkollore neoliti i hershëm fillon në vitin 5 000, ndërsa zbulimet e fundit në arkeologji e kanë lëvizur këtë kufi. Janë 1200 vjet avancë. Tani veprimtaria njerëzore në vendin tonë ka nisur në vitin 6 200 para Krishtit. Arkeologu Luan Perzhita, thotë nga ky përfundim se, ne jemi ndër vendet më të hershme të Evropës, sa i takon pjesës së Mesdheut. Por edhe ky ndryshim, bashkë me rezultatet e zbulimeve arkeologjike të 2015, ende nuk janë reflektuar në tekstet shkollore!

Sapo keni përfunduar një konferencë mbi gërmimet e vitit 2015, çfarë rezultatesh ka dhënë ky vit, cilat janë të rejat nga arkeologjia?

Po, ishte një konferencë për rezultatet e gërmimeve për vitin 2015. Në fakt ne, kishim dëshirë që këtë ta bënim së bashku me kolegët tanë me rezultatet e tyre që kanë në Kosovë, por kjo nuk qe e mundur për arsye administrative, për shkak se ata kishin caktuar një datë tjetër në Prishtinë. Aty pati rreth 22 kumtesa që flasin se të gjitha projektet arkeologjike që bëhen në territorin e Shqipërisë, duke nisur nga periudha më të hershme të cilat janë ato të prehistorisë, duke vazhduar në qytetërimin ilir e deri në mesjetën shqiptare. Një gjë e rëndësishme është paraqitja nga shkollat doktorale arkeologjike, të cilët paraqitën kërkimet e tyre, të aplikuara në terren në mënyrë që të debatohet me cilësinë por dhe me strukturimin e vetë shkollës.

A janë rrudhur ekspeditat, si keni mbijetuar në 2015?

Ne kemi krijuar një traditë të bashkëpunimeve me universitetet e huaja, të cilat ka dekada që vazhdojnë në mënyrë normale kërkimet tona. Natyrisht pengesat që lidhen me investimet e drejtpërdrejta të anës tonë kanë të bëjnë më tepër për strategji, ku ne kemi nevojë të bëjmë kërkime në mënyrë të pavarur ose të drejtpërdrejtë duke pasur parasysh për shembull me etnicitetin dhe kulturën e kombit shqiptar.

Pyetja ishte se çfarë po ndodh me ekspeditat, pra si po funksionojnë sot, pasi  universitetet janë në planet e tyre, dhe Instituti i Arkeologjisë ka projektet e tij?

Ne funksionojmë si universitet, ne jemi në sistemin e Ministrisë së Arsimit dhe jo të Kulturës, dhe qëllimi ynë është kërkimi shkencor dhe gërmimet në sitet arkeologjike.

Dhe rezultatet?

Po, kemi zhvillim të ri për banimet shqiptare në kohë më të hershme, flitet për periudhën e paleolitit, një zbulim shumë interesant në zonën e Matit. Aty është zbuluar kulturë që tregon për një jetë që ka nisur para 20 mijë vjetësh para Krishtit.

Është hera e parë që del ky rezultat?

Kemi parë indikacione dhe herë të tjera, por në mënyrë kaq të mirëfilltë shkencore dhe laboratorike nuk ka qenë. Është hera e parë që kemi një tabelë të kronologjisë së jetës më të hershme të njeriut të parë. Konkluzione të disa kërkimeve vite më parë, për herë të parë vijnë tashmë të plota në vitin 2015.

Tjetër zbulim i rëndësishëm është se kemi të bëjmë me teatrin e Orikumit. Të gjithë e dimë se aty kemi një teatër, por në fakt kërkimet arkeologjike kanë treguar se aty nuk është një teatër . Ajo është një fontanë për grumbullimin e ujërave, që është përdorur për ujëra të pijshëm.

A janë gafa në arkeologji këto?

Jo, ashtu është konceptuar në atë kohë, pasi gërmimet nuk kanë arritur të përfundojnë në gjithë strukturën e ambienteve, meqë jemi shtrirë në gjithë elementet që arkeologjia i mendonte ndryshe, tani është përmbysur.

Për shembull çfarë është shkruar për teatrin e Orikumit, do hidhen poshtë tani?

Patjetër, pasi zbulimet sjellin ndryshimin e mendimit mbi funksionin. Ka shumë gjëra që lëvizin.

A janë zbuluar shembuj të tjerë që kanë ndryshuar rezultatet e kërkimeve pas diktaturës? Për cilat zona dhe monumente bëhet fjalë?

Nuk do ta lidhja me diktaturën se sa me mundësinë e arkeologjisë së asaj kohe, me mundësinë për të konceptuar disa ambiente të caktuara, të zhvillimit urbanistik të qyteteve antike. Ka shumë ndryshime në datime në funksion, këto kanë ndodhur edhe në Amantia, në Shkodër…Për shembull zbulimi i fundit në Shkodër që dua ta përmend, se në depozitat e ujit në kalanë mesjetare është gjetur një mbishkrim latin, që tregon se Shkodra ishte një koloni e themeluar nga romakët. Deri dje, debati shkencor ka qenë: është apo s’është, nëse burimet ishin të vërteta apo jo?! Ky mbishkrim tregon saktë se Shkodra ka qenë një koloni e ndërtuar në periudhën romake, në kuptimin e popullimit të saj, janë zbuluar të ardhurit që kanë bërë organizimin e vendit. Kemi ndryshime në kapacitet arkeologjike, të cilat nga organet e Ministrisë së Kulturës janë trajtuar në zonifikime më të ngushta. Për shembull kemi të dhëna interesante për Durrësin, kështu një grup që po punon për topografinë e qytetit në antikitet, duke marrë gjetjet e vjetra dhe të reja, kanë përcaktuar qartë se deri ku shtrihet kufiri arkeologjik, dhe ku duhet të jenë zonat se ku mund të lejohet ndërtimi dhe jo. E njëjta gjë ka ndodhur në Orikum dikur është përcaktuar një zonë e ngushtë, tani ne jemi hapur shumë më tepër duke përfshirë dhe zonën e Nekropolit. Në Dimal, një vend kërkimor nga qendra jonë ka dhënë rezultate të reja. Aty kemi një kulturë shumë të zhvilluar, i takon shekullit 3-2 para Krishtit, por që tregon se ka pasur jetë dinamike edhe pas kësaj kohe, dhe së fundi është zbuluar një bapister paleokristiane e shekullit të gjashtë që tregon se kjo qendër ka pasur edhe një jetë kishtare në shek. VI në kohën e kthimit nga paganë në krishterë. E njëjta gjë, siç dihet tashmë ka ndodhur edhe me Komanin.

Në cilat vite janë dhënë rezultatet e gërmimeve gjatë diktaturës, kur ishte intensiteti?

Intensiteti më i madh i gërmimeve është në vitet ’70, ku qendrat kanë pasur bum të madh të gërmimeve. Në vitet e para të demokracisë ka qenë një periudhë e brishtë për arkeologjinë, vetëm pas viteve 2000 ne kemi rifilluar.

Pse ka ardhur kjo?

Gjithë kjo vjen pasi mendoj se metodologjia ka ndryshuar, mentaliteti ka ndryshuar si dhe mënyra e interpretimit të materialit. Sot jemi në hapësira krejt të tjera pasi dihet njohja e arkeologut me kulturat, e sidomos fqinjë. Kini parasysh që arkeologu më parë ka punuar brenda një vendi të vogël pa pasur mundësi të shikojë Kosovën, as Malin e Zi dhe as Maqedoninë, dhe jo më të hyjë në kulturat e tjera.

Mbi ndryshimet që janë bërë në hartën arkeologjike, si ka qenë perceptuar në diktaturë dhe si po e ndryshoni sot, a do të jetë i vështirë ky proces për të ndryshuar edhe librat, informacionin, të dhënat, pasi ato janë tashmë në bibliotekë?

Më vjen mirë që hytë në këtë çështje pasi është thembra e Akilit, për gjithë situatën e krijuar. Mjedisi është i tillë: kemi botime që kanë të bëjnë me rezultatet arkeologjike të kohëve të fundit. Është botuar një ndër veprat që quhet ekselente në gjithë bibliotekat evropiane, Kongresi Ndërkombëtar i Arkeologjisë që u zhvillua në Tiranë para dy viteve. Vjet u organizuar një kolokuium ndërkombëtar, i gjashti, për ilirët dhe Epirin, që u bë në bashkëpunim me Francën…Mirëpo këto duhen të reflektohen po ashtu edhe në tekstet e historisë. Por ky është një problem i atyre që organizojnë tekstet. Nëse ata i bëjnë këto tekste nëpërmjet institucioneve të specializuara siç është arkeologjia me Institutin e Arkeologjisë etj., atëherë ky ndryshim do të jetë i menjëhershëm.

Si mendoni të përfshihen në tekste këto ndryshime, si mund të reflektohen?

Teksti i Shqipërisë për shembull ende nuk është bërë i ri. Nuk e di çfarë grupi do të organizohet kur të bëhet botimi i ri. Ne, si Institut kemi marrë përsipër botimin e një kolazhi që do të nisë nga prehistoria deri në mesjetë me gjithë strukturat, gjetjet e reja që po ndodhin në 20 vitet e fundit. Ato janë problem i diskutueshëm, mund të diskutohet në universitete, në shkollat e masterit dhe doktoraturës apo në mjedise të tjera siç po bëjmë ne, për gjetjet, datimet, origjinën.


Amantia, thjesht një stadium? Dalin varret monumentale elitare

“Kemi njohje shumë të mirë ku përveç qytetit dhe stadiumit, tani ne kemi një territor shumë të madh me varre monumentale. Janë varre të një kategorie ekselente, në një pjesë të tyre janë bërë gërmimet, shënuar në hartën topografike. Kemi bërë dokumentacionet përkatëse, dhe besoj shumë shpejt që gjithë kjo zonë do të hyjë në zonë mbrojtje të këtij qyteti. Është një qytet që ka pasur stadium dhe nuk ishte gjë e vogël, tani e kuptojmë se ky qytet ishte ndër vendet më të preferuara ku elita varrosej aty.

Sofratika vetëm teatër? Zbulohet edhe qendra kishtare

“Sofratika na ka dhënë dy gjëra të reja përveç se njihej teatri i Sofratikës. Kemi kalimin e teatrit në një pjesë të vonë që lidhet në shekullin e gjashtë, me një qendër kishtare, paleokristiane, që është diçka e re për atë zonë. Kjo nuk është hasur më parë. Ne e kemi ditur se shumë nga këto pika si Antigoneja ose qendra tjera dhe kjo e paleokastrës ka pasur bazilika të shek. VI, kështu kemi një alternim midis burimeve historike që flasin për shek e 6-të që kthehet në qendër peshkopale dhe zbulimeve arkeologjike”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama