Është zbuluar ekzistenca e një planeti, njëra anë e të cilit gjendet përjetësisht nën dritën e ditës, ndërsa tjetra, nën një natë të pambarimtë. Në të, një vit i tërë kalon brenda vetëm 48 orëve, ndërkohë që temperaturat e sipërfaqes janë aq të larta sa për të shkrirë kallajin.
Por, në të njëjtën kohë, është edhe planeti ku shkencëtarët, për herë të parë kanë arritur të provojnë praninë e ujit në një trup qiellor përtej sistemit tonë diellor - zbulim që shënon një hap shumë të rëndësishëm në kërkimet për shenja jete jashtëtokësore.
Planeti njihet vetëm në emrin e koduar, me të cilin e kanë pagëzuar shkencëtarët HD 189733b. Vërtitet rreth një ylli me përmasa të përafërta me ato të Diellit në konstelacionin Vulpecula, rreth 63 vite dritë larg nga Toka - rreth 380 milionë milje larg.
Para dy ditësh, një skuadër astronomësh, nën drejtimin e Giovanna Tinetti, "European Space Agency" (Agjencisë Evropiane Hapësinore) njoftoi se kishte gjetur prova bindëse për praninë e ujit në një "exoplanet" (planet i një sistemi diellor që nuk është yni).
"Trupat na u përshkuan nga mornica, teksa identifikonim shenja të pranisë së ujit në një planet që gjendet trilionë milje larg", tha doktoresha Tinetti, e cila gjithashtu bashkëpunon nga afër edhe me "University College" të Londrës.
Është pranuar gjerësisht se uji është elementi themelor për praninë e jetës në një planet - ose së paku të asaj jete që njohim ne - por ka pak shanse që ndonjë gjallesë të arrijë t‘i mbijetojë nxehtësisë së HD 189733b, një "gjigand i gaztë" i ngjashëm me Jupiterin.
E megjithatë, zbulimi i pranisë së ujit në një sistem kaq të largët në raport me ne, shënon një hap të konsiderueshëm në kërkimet për gjetjen e shenjave të jetës në planetë të tjerë, shpjegoi Profesori Yuk Yung, i Institutit të Teknologjisë në Kaliforni.
"Uji është një ndër elementet bazë të jetës që ne njohim. Është mjaft emocionuese të zbulojmë se gjendet me bollëk në një tjetër sistem diellor, ashtu si edhe në tonin", tha lidhur me zbulimin profesori Yuk Yung, gjithashtu një prej pjesëtarëve të skuadrës që kreu zbulimin në fjalë. Që nga viti 1995, astronomët kanë zbuluar rreth 200 ekzoplanetë, duke kapur influencën e tyre te yjet rreth të cilëve orbitojnë. Prania e HD 189733b u zbulua falë studimeve të rrezeve që lëshon Dielli i tij. Duhet shënuar se planeti kalon përpara këtij Dielli çdo 2.2 ditë tokësore.
Analizat e detajuara të gjatësive të valëve të absorbuara nga planeti treguan se atmosfera e tij është e pasur me avuj uji, i cili, për shkak të nxehtësisë së madhe, nuk arrin të kondensohet në re apo në ujë, tha dr. Tinetti, studimi i së cilës është publikuar në revistën shkencore "Nature".
"Uji është e vetmja molekulë që mund të shpjegojë ndryshimet në rrezet e kapura nga dielli i këtij planeti. Megjithëse as që mund të mendohet se në HD 189733b ka apo mund të ketë shenja jete, duke qenë një ambient mjaft i ashpër, zbulimi ynë demonstron se uji mund të ndeshet me shumë më lehtësi në hapësirë nga ç‘mendonim më parë, ndërkohë që metoda që përdorëm gjatë studimit të këtij planeti mund të përdoret në të ardhmen për të zbuluar planetë më miqësorë, karshi jetës e gjallesave", tha dr. Tinetti.
Mendohet se planetët më të përshtatshëm për të mirëpritur jetën janë ata me përmasa relativisht të vogla, e shkëmborë, të ngjashëm me Tokën. Shkencëtarët mendojnë se këta janë shumë më përshtatshëm se gjigandët e gaztë si Jupiteri. Për të bërë të mundur praninë e jetës, gjithashtu pranohet si faktor i detyrueshëm uji në gjendje të lëngshme, kështu që planeti duhet të gjendet në "zonën Goldilok" - jo shumë larg apo shumë pranë Diellit të tij, në mënyrë që uji i pranishëm në të as të mos ngrijë, e as të mos gjendet në formë avujsh.
"Grahali i shenjtë për gjuetarët e sotëm të planetëve është të gjejnë një planet të ngjashëm me Tokën që të ketë njëherësh edhe ujë në atmosferën e tij... Ky zbulim na jep provat se edhe planetë jashtë sistemit tonë diellor mund jenë të përshtatshëm për gjallesat", tha dr. Tinetti.
Planeti HD 189733b vlerësohet të jetë sa 1.15 e masës së Jupiterit, ndërkohë që orbitën rreth Diellit të tij me distancë prej retë 2.8 milion miljesh, afër aq sa duhet për t‘u mbajtur në këtë largësi nga graviteti i yllit, ndërkohë që vetëm përballë yllit qëndron vetëm njëra nga hemisferat. Kjo do të thotë se njëra nga hemisferat është gjatë gjithë kohës nën rrezet e yllit me temperatura që duhet të jenë 1 mijë gradë celsius ose më shumë.
Një gjë e tillë, me shumë gjasa, krijon erëra të stuhishme të cilat lëvizin nga ana e ndriçuar drejt anës së errët të planetit, shpjegoi dr. Tinetti. "Duhen mësuar ende edhe një mijë veçori të tjera mbi këtë planet", vazhdoi astronomia. Zbulimi i pranisë së ujit në planetin HD 189733b u realizua me ndihmën teleskopit hapësinor Spitzer të "Nasa"-s, i cili tashmë konsiderohet prototipi i instrumenteve të ardhshme të hapësirës.
"Zbulimi i ujit në këtë planet na bën të mendojmë se edhe planetë të tjerë në Univers mund të kenë ujë", tha Sean Carey, shkencëtari i qendrës shkencore Spitzer. I të njëjtit mendim ishte edhe Mao-Chang Liang, i po së njëjtës qendër: "Vërtetimi i pranisë së ujit është edhe çelësi i zbulimit të jetës aliene".
Marre nga : Gazeta Shqip











