Taj Mahal nje perralle dashurie e rrefyer ne gure te bardhe

Taj Mahal, një përrallë dashurie e rrëfyer në gurë të bardhë

Jashtë mase i dekoruar me shkrime të marra nga Kurani dhe me relieve të realizuara në mënyrë perfekte, Taj Mahali ngrihet në lartësinë e 73 metrave, mbi një sipërfaqe katrore, i kufizuar në të katërta skajet nga 4 minare. Kopshtet përballë varrit shtrihen në një sipërfaqe prej 304 x 580 metrash, ku në qendër gjendet një pishinë nga të dyja krahët e së cilës ndodhen edhe dy ndërtesat binjake të xhamisë, por të ndërtuara me material të kuq dhe pikërisht përballë xhamisë së bardhë është ngritur i ashtuquajturi jauab (aktualisht mendohet se u ndërtua vetëm për estetikë).

Monumentet e Mumtaz Mahal dhe Shah Jahan, gdhendur me kujdes të madh dhe të zbukuruara me një kornizë mermeri, së cilës i janë vendosur shumë gurë të çmuar, ndodhen në sallën qendrore të minares kryesore. Projektuesi i Taj Mahalit nuk njihet me saktësi, por studiuesit hedhin hipoteza se mund të ketë qenë një arkitekt persian ose turk.

Për poetin indian, Rabindranath Tagore, forma e Taj Mahalit është si "loti në faqen e kohës". Rudyard Kipling e përkufizoi si "porta e fildishtë, në të cilën kalojnë ëndrrat". Gjithashtu, është parë edhe si një simbol erotik, për sa i përket formës së kupolës, e cila ngjason me një gjoks femëror. Ndoshta edhe mund të irritohemi nga fama e tij e stërmadhe, pasi e hasim në shumicën e kartolinave, guidat dhe reklamat turistike, pamjet televizive etj. Shkrimtari i famshëm, Salman Rushdie, refuzoi ta shihte për vite me radhë, por pas vizitës së tij të parë, iu desh të dorëzohej: "Skepticizmi im u zhduk menjëherë. Me autoritet ndali në moment ekzistencën e miliona imitimeve. Mbushi një herë e përgjithmonë me shkëlqimin e tij vendin, që në mendjen time ishte zënë nga e riprodhueshmja. Në fund të fundit, kjo është arsyeja se pse duhet parë Taj Mahali: për të kujtuar që bota është reale, që tingulli është më i vërtetë se jehona, se origjinali është më i fuqishëm se imazhi që shfaqet në pasqyrë. E bukura, në këtë epokë të tejmbushur me imazhe, është akoma në gjendje ta mposhtë imitimin. Dhe Taj Mahali, veç fuqisë së fjalëve për ta përshkruar, është një gjë e adhurueshme, ndoshta më e adhurueshmja nga të gjitha gjërat e tjera".

Taj Mahali është një nga kryeveprat e artit botëror, ikona e Indisë. Statusi i mrekullisë universale nuk është dimensioni i vetëm në të cilin ai bën pjesë. Në magjepsjen e tij bëjnë pjesë përbërës të tjerë, që madje i mungojnë Shën Pjetrit, Partenonit, Piramidës së Keopsit etj. Ai është një vend që flet për vdekjen dhe jetën e përtejme, por, gjithashtu, edhe për një histori të dhimbshme dashurie. Një varr gjigant dhe i madhërishëm, i cili u ndërtua nga një i ve i pangushëllueshëm, për të kujtuar përjetësisht gruan e tij. Është një fluks influencash artistike, të cilat janë të shpërndara nga Persia deri në Lindje, kaq perfekte për të ushqyer një mister shekullor, që tashmë as arkitekti nuk i njihet me saktësi. Është fryt i epokës më të lumtur në historinë indiane, një monument në harmoni mes besimeve të ndryshme dhe atij islam. Eleganca madhështore e formave të tij, bardhësia vezulluese e mermerit që merr nuanca të ndryshme në çdo orë të ditës, shumëllojshmëria e kopshteve, fundi tragjik i Perandorit që e ndërtoi, e pastaj xhelozitë helmuese ndërmjet perëndimorëve, myslimanëve dhe induve për përkatësinë kulturore të këtij thesari, e bëjnë Taj Mahalin të na japë prej shekujsh kënaqësi dhe kontradikta njëkohësisht.

Taj u mendua për herë të parë gjatë vuajtjeve të një lindjeje vdekjeprurëse. Ishte një natë e nxehtë qershori e vitit 1631, në zonën malore të Dekanit, ajo, Mumtaz Mahal, e preferuara e haremit, në moshën 38-vjeçare ishte në agoni duke përjetuar vuajtjet e lindjes së katërmbëdhjetë. Pranë shtratit ndodhej Shah Jahan, Perandori i pestë i dinastisë islamike të Gran Mogul, themeluar nga Babur. Gruas i premtoi se nuk do të martohej më kurrë dhe se do t‘i ndërtonte një varr gjigant, i cili do të ishte dëshmia e përjetshme e dashurisë së tyre. Për dy vjet, i shkatërruar nga dhimbja, e cila shumë shpejt ia zbardhi të gjithë flokët, Shah Jahan mendonte vetëm për gruan e tij, tashmë të vdekur. I dedikoi të gjitha energjitë e tij për të mbajtur premtimin e bërë, mobilizoi të gjithë pasurinë e tij për të ndërtuar Taj Mahalin, të gjitha shkencat teknologjike të asaj ere dhe shumë talente arti nga tre kontinente.

Rezultati është një bum i mahnitshëm: dymbëdhjetëmijë tonelata gurësh e mermeri të transportuara prej distancash marramendëse (të paktën në atë epokë ishte shumë i vështirë një transport i tillë); një ndërtesë, hapësira e së cilës është më e madhe se Bazilika e Shën Pjetrit dhe sheshi "Bernin" të marra të dyja bashkë; një arritje perfekte e formave, falë llogaritjeve të ndërlikuara matematikore; doktrina e mermerit të bardhë, që në atë kohë në traditën islamike përdorej vetëm për varret e shenjtorëve; bollshmëria e gurëve të çmuar që zbukuronin të gjitha muret; dekorimet magjepsëse që iu besuan kaligrafistit më të mirë të asaj epoke, Amanat Khan. "I ndërtuar nga gjigantë dhe i përfunduar nga artistët e gurëve të çmuar", Taj Mahali është kaq i bukur saqë evropianët kërkonin të merrnin meritat, përkufizim ky i një peshkopi të kishës angleze. Udhëtari francez, François Bernier, në kronikat e tij nga India e viteve 1600, thoshte i bindur se dekoruesit kanë kopjuar nga Firence teknikën e ndërthurjes së gurëve të çmuar në mermer. Realisht, indianët atë teknikë e zotëronin disa shekuj më përpara rilindjes italiane.

Edhe misteri i arkitektit anonim nxit fantazinë evropiane. "Sipas Sebastien Manrique, i cili vizitoi qytetin Agra në vitin 1640 - shkruajnë Diana dhe Majkëll Preston - arkitekti ishte një venecian me emrin Xheromino Veroneo, që mbërriti në Indi me një anije portugeze. Ndër shekuj, fantazia evropiane i dha shumë besueshmëri kësaj legjende. Ekzistonte një bindje raciste, që një joevropian nuk mund të projektonte një ndërtesë me një bukuri kaq të rrallë. Por, afirmimi i Marnique nuk ka baza të forta. Influenca evropiane në arkitekturën Mogule ishte shumë e limituar. Nëse arkitekti do të kishte qenë një evropian, atëherë do të kishte implementuar të paktën disa shenja të traditës së tij. Në fakt nuk ka asnjë të tillë. Përgjigjja e enigmës është e thjeshtë. Ka shumë mundësi që në projekt të kenë marrë pjesë shumë arkitektë dhe sidoqoftë fjalën e fundit e ka dhënë Perandori Shah Jahan, një njeri i kulturës dhe njohës i pasionuar i arkitekturës.

Zilia evropiane për këtë kryevepër dhe komplekset tona për superioritet janë rrjedhojë e injorancës sonë për Indinë e asaj kohe. Me njëqindmijë banorë në shekullin XVII, Mogulët kryesonin fuqinë më të madhe myslimane që ekzistonte deri atëherë, pesë herë më të madhe se Perandoria Otomane. Historia e tyre shpjegon se pse islami, lindur në Arabi, ka një tendencë më të madhe për nga Lindja. Nëse edhe sot ka më shumë myslimanë në lindje të Afganistanit se sa në perëndim të tij, është për shkak të suksesit të Moguleve. India e tyre është një fuqi e pasur dhe e zhvilluar. Kryeqyteti perandorak, Agra, ishte Venecia indiane për luksin dhe artin, por dimensionet e tij shpërfillin çdo qytet tjetër evropian të asaj kohe. Me 750 mijë banorë ka qenë dy herë më e madhe se Londra, madje ia kalonte Parisit e Kostandinopojës, metropolet më të mëdha evropiane të viteve 1600. Një prej spektakleve të traditës indiane të asaj kohe ka qenë ceremonia vjetore e ditëlindjes perandorake: sovrani peshohet në një peshore argjendi, pastaj në një prej ari dhe në fund në një peshore të dekoruar me gurë të çmuar. Metalet e rralla dhe gurët e çmuar në ekuivalencë me peshën e sovranit ndaheshin për bamirësi. Ndërsa Evropa terrorizohej nga luftërat e besimeve dhe nga përndjekjet e kishës, Mogulët, me besimin e tyre islam, bashkëjetonin në harmoni me besimin indu dhe të krishterë. Historia e asaj që është varrosur në Taj Mahal sfidon rolin e gruas në shoqërinë islamike.

Perandorët Mogul martoheshin me shumë gra, por kjo nuk do të thoshte se nuk u jepnin liri atyre, të paktën brenda haremit. Kurioziteti i tepërt i vizitorëve perëndimorë nxitej nga përshkrimet e stolive të florinjta dhe të argjendta, të cilat gjendeshin me shumicë në hareme, nga përshkrimet e marrëdhënieve seksuale perandorake, nga përdorimi i stimuluesve seksuale etj. Por, haremi gjithashtu është një qendër me fuqi ekonomike, ku gratë administrojnë aktivitetet sipërmarrëse. "Ato femra, shkruajnë Prestonat, ishin të pasura, të ditura dhe të kalitura për të menaxhuar marrëdhëniet e tyre. Duke krijuar rrjete të tëra ato drejtonin tregti në të gjithë botën, zotëronin anije tregtare, eksportonin produkte indiane në Arabi e akoma më larg. Sipas dy historianëve anglezë, tundimi i Mumtaz mbi Perandorin, pjesërisht vinte edhe nga përdorimi i mirë i artit seksual. Madje, edhe pas 16 vjetësh martese dhe shumë lindjesh, Mumtaz ushtronte një tërheqje unike mbi Shah Jahan. Pasi i kishte kaluar të tridhjetat, ajo kishte një moshë në të cilën shumë gra të tjera konsideroheshin shumë të vjetra për të kryer marrëdhënie seksuale, ndërsa bukuria e saj rezistonte. Por edhe gruas në atë kohë i lejohej nevoja për të ndjerë sa më shumë kënaqësi seksuale. Ato përdornin disa përzierje si pluhur xhenxhefili, i përgatitur me piper të zi dhe me mjaltë, përzierje kjo që kthehej në një stimulues për të arritur orgazmën.

Dëshpërimi në të cilin bie Shah Jahan pas vdekjes së Mahal nuk ishte vetëm për kënaqësitë fizike që vetëm ajo femër dinte t‘ia falte aq mirë. Të gjitha gojëdhënat dhe librat historikë të asaj epoke e përshkruajnë raportin e Perandorit me Mumtaz, si një lidhje besimi, të një shoqërie të vërtetë, dy njerëz intelektualë që duheshin njësoj; ishte një dashuri aq e rrallë sa vinte në hije të gjitha gratë e tjera të haremit. Veç fëmijëve të shumtë që i kishte dhuruar Perandorit, ajo nuk mungonte as në fushatat e tij ushtarake.

Pasi mbaroi Taj Mahalin, Shaj Jahan donte të ndërtonte pikërisht për vdekjen e tij edhe një tjetër tempull identik si i gruas, por do të ishte i tëri në ngjyrë të zezë. Një kantier ky që nuk u ndërtua kurrë, pasi djali i tij, Aurangzeb, bëri që Shah Jahan të vdiste në burg dhe më pas e varrosi në të njëjtin tempull me gruan e tij, pra në Taj Mahalin aktual. Në katër shekuj ekzistence, Taj ka kaluar të gjitha tensionet dhe kontradiktat e historisë indiane. Nacionalistët indu donin të merrnin meritat e saj, duke trilluar një legjendë: Shaj Jahani nuk e ndërtoi tempullin, por ai thjesht zbuloi dhe modifikoi një tempull të Shivas, i ndërtuar nga Rajah Jaipur. Myslimanët shumë fanatikë, pas pavarësisë së 1947-ës, tentuan të sekuestronin Taj Mahalin për ta mbajtur vetëm në kujtim të të vdekurve me besimin islamik. Duhej të ndërhynte Gjykata e Lartë për të bërë të mundur që kryevepra të mund të vizitohej nga të gjithë vizitorët, pa asnjë dallim feje dhe besimi. Në vitin 1965, gjatë luftës me Pakistanin, Taj u mbulua me një rrjetë të zezë gjigante, në mënyrë që të mos shihej nga radarët e avionëve bombardues. Kërcënimet e fundit janë ato të ndotjes dhe turizmit.

Për të ndaluar prishjen e mermerit të saj nga anhidridi sulfurik, qeverisë vendase i duhej të mbyllte 250 fabrika të vogla lokale, duke detyruar 100 mijë punëtorë të ngelen pa punë. "E gjithë Agra do të kthehet në një varr për të mbrojtur Taj Mahalin", ky ishte komenti i një sindikalisti. Thatësira është duke tharë lumin Jumna, i cili kalon aty pranë, erozioni bën që kullat e minareve të anohen. Madje, edhe frymëmarrja e turistëve është një kërcënim. Janë tre milionë vizitorë çdo vit, të cilët me frymëmarrjen e tyre prodhojnë një lagështi të rrezikshme për mirëmbajtjen e pikturave në brendësi të tempullit. Megjithatë, ai reziston në një gjendje të përkryer, për të kujtuar që edhe në Indi mund të ndodhin mrekulli. Më e rëndësishmja është e katër shekujve më parë, një stoli e artit të të gjitha kohërave, e lindur nga dashuria midis një burri e një gruaje dhe nga bashkëjetesa përrallore e popullit indian me atë islamik.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama