Shkodrani zbulon ullinjte qe fotografojne

Shkodrani zbulon ullinjte qe fotografojne

Por, të shikosh foton e një zogu, një gruaje, një kali apo një qeni, jo të hedhura në letër nga dora e njeriut, por në rrathët e vijëzuara të drurit të ullirit është një befasi, një mrekulli që shkenca mundohet ta shpjegojë me ligjet e saj. Kësaj here, gjetja ka si autor shkodranin Muhamet Trepçi. 57-vjeçari, që diktatura për disa vite e privoi nga ëndrra për t’u arsimuar dhe e la të punojë si një zdrukthëtar të thjeshtë, pritet të çudisë publikun me fotot e tij. Dhe nuk kemi të bëjmë vetëm me një foto, e cila mund të konsiderohet si rastësi. Jo. Kemi të bëjmë me disa të tilla, që nuk përbëjnë rastësi. Është pema ajo që ka aftësinë e fotografimit. Pikërisht me këtë mister të natyrës, me veprat e artit brenda drurit të ullirit, me aftësinë e drurit për të fotografuar, është marrë Trepçi.

Ai do të çojë ullirin si vepër arti në Muzeun Nacional të Romës. Në ekspozitën që pritet të hapet nga data 1 deri më 15 tetor të këtij viti, Muhamet Trepçi do të ekspozojë disa nga 30 fotot më të spikatura. I ka bërë ato kur ka parë figura të ravijëzuara në dru. Për herë të parë, druri i ullirit do të shihet ndryshe. Jo vetëm si një simbol jetëgjatësie apo fetar, por edhe si një vepër arti. Pas një jete punë me drurin, Trepçi, pinjoll i një qyteti nga ku kanë dalë personalitete të artit, guxon të bëjë prezantimin e tij të parë në kryeqytetin e vendit fqinj. Pranimi i këtyre punimeve në Romë ka ardhur pas një vlerësimi që komisioni përkatës i përbërë nga emra të njohur të artit, i ka dhënë miratimin.

Arti i rrallë
Duket e çuditshme, por në të vërtetë ekziston. Është një nga ato raste kur pse-ja e të ndodhurit është vështirë të gjendet. Brenda drurit të ullirit, Muhamet Trepçi ka gjetur figura reale. Për të kuptuar më tej dukurinë, ka lexuar mjaft, mes të cilëve edhe librat e Josef Tedeschini, Pablo Pikasos, Umberto Ekos etj. Pas vite punë me drurin, gjetjet e tij kanë pasuar njëra-tjetrën. Por për të këto figura nuk janë të rastësishme. “Figurat reale që kanë dalë nuk mund të jenë thjesht koincidencë e rrathëve vjetorë. Këto konfiguracione të rrathëve shprehin emocionet (streset) që ka pema në jetën e vet. Në veçanti figurat reale mendoj se janë fotografi në praninë e një drite të fortë si vetëtima të objekteve që janë ndodhur përreth”, shprehet ai. Për këtë fenomen ai ka dëgjuar edhe më parë.

Tregon se kur nisi punë si nxënës marangoz në vitin 1967, ka dëgjuar nga marangozët e vjetër se pema e arrës fotografon. Shprehet se “në biseda me marangozët e vjetër, kam dëgjuar që ka ndodhur që të dukej shumë qartë në dru edhe një pamje njeriu apo ndonjë figurë tjetër”. Edhe vet shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij “Emblema e Dikurshme” flet për legjendën e fotografimit të drurit të arrës nën efektin e një drite të fortë. Pema ka aftësi të fotografojë pasi në trupin e saj ndodhet një lëndë e quajtur celulozë mbi të cilën, ekziston mundësia e veprimit të dritës së fortë, siç është ajo një vetëtime. Ndërsa është e njohur se për të prodhuar celuloidin e filmit të aparatit fotografik, si lëndë e parë përdoret druri pikërisht për këto cilësi të veçanta.


Gjetjet e para
Lidhjen me drurin, Muhamet Trepçi e ka nisur si ironi të fatit. Ishte një nxënës i shkëlqyer, por nuk e lanë të vazhdojë studimet. U detyrua të punojë si marangoz. Nga rrëfimet e marangozëve të vjetër për pemë që fotografon, provon gjetjet e para. Gjetjet fillestare në drurin e ullirit kanë ndodhur me të ashtuquajturin “Zogu”. “Është i pari në gjetjet e mia. Si i tillë do të mbetet simbol i kësaj pune. Gjetja e tij ishte rastësore, por a është rastësi krijimi në pemë i këtij zogu me pamje reale? Më ka impresionuar shumë kjo figurë dhe me një kujdes të veçantë arrita të evidentoj edhe shokët e tij në atë copë dru ku dallohej qartë e njëjta gjurmë me ndryshime dinamike”, kujton Muhameti. Ai shpjegon me saktësi edhe variacionin e ngjyrave, të cilat ofrojnë kontraste të veçanta “që ndryshojnë nga një fushë e verdhë e lehtë në ngjyrë kafe në të zezë ku shpesh të bën përshtypje shumë harmonia e linjave dhe kombinimi i vazhdimësisë së tyre”.


Ekspozita
Për herë të parë punët e tij do të ekspozohen në Quadriennale D’Arte Conteporanea Leonardo da Viçi në Romë. Mbërrin këtu pas disa vite punë. Tashmë zotëron gjetje origjinale, fotografime në pemë apo dhe bashkimet me të cilat krijon figura duke u konsideruar kështu vepra arti. Spektatorët e vetëm të deritanishëm janë miqtë e tij. Prej tyre ka marrë edhe vlerësimet e para. Secili i ka shijuar sipas mënyrës së tij gjetjet e Trepçit. “Përveç pamjeve të veçanta ku figura lexohet lehtësisht apo ngjason me ndonjë objekt jetësor, ka edhe prej atyre që lexohen individualisht sipas shijeve personale, formimit individual të shikuesit, momentit emocional që kalon ky vëzhgues. Këtë e kam provuar nga shumë miq te artit figurativ të cilët kanë bërë komente të ndryshme për të njëjtin objekt”, - tregon ai. Vlerësimin më të madh e ka marrë nga komisioni vlerësues i Muzeut Nacional të Romës që e kanë ftuar për ekspozitë. Miku i tij Gjergj Morena ka qenë ndërmjetësuesi për paraqitjen e këtyre gjetjeve në Itali.


Ndërkohë edhe MInsitria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka mbështetur këtë projekt. “Këto punime janë unike, të vetme e nuk mund të përsëriten. Kjo është e veçanta e tyre”, - shprehet profesor Muhameti.

Brikena Shllaku : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama