Ne oher dy komedi dhe nje violine

Në ohër, dy komedi dhe një violinë

I mbërritur në edicionin e 47-të "Vera e Ohrit" edhe këtë vit ngjit në skenën e vet artistë nga e gjithë bota. Balerinë, aktorë, muzikantë shtrohen në sofrën e Ohrit përgjatë dy muajve. Ashtu si edhe në edicionet e shkuara në këtë stinë bujare artistike që nis në datën 12 korrik, për tu mbyllur në 20 gusht nuk do të mungojnë edhe artistët nga Shqipëria. Dhe pikërisht është arti skenik me më të mirat e kohëve të fundit, që shfaqet për publikun maqedonas dhe turistët e shumtë që frekuentojnë qytetin liqenor. Në datën 23 korrik në orën 22.30 në skenën e Dolni Saraj ngjitet komedia "Berberi i Seviljes". Një nga produksionet më të mira tëkëtij viti të Teatrit Kombëtar me regji të regjisorit francez Eric Vigner. Kjo komedi e Bomarchais ngjit në skenë aktorët më të mirë të TK-së si Roland Trebicka, Luiza Xhuvani, Neritan Liçaj, Helidon Fino, etj. "Berberi i Seviljes" tërhoqi vëmendjen e publikut shqiptar me lojën e aktorëve, por edhe konceptin e ri regjisorial dhe skenografik të francezit Vigner. Kjo është edhe arsyeja pse TK vendosi të përfaqësohet me një vepër të denjë për një skenë ndërkombëtare.

Aq më tepër që skenografia e "Berberit" është shumë komode dhe e adaptueshme në çdo sknë, qoftë kjo edhe natyrore. Pas një komedie që vjen me një look interesant sipas fotografive bardh e zi të mjeshtërve fotografë Marubi, në skenën e Festivalit ngjitet një tjetër prodhim shqiptar. Bëhet fjalë për komedinë "Allegreto Albania" shkruar nga dramaturgu Stefan Çapaliku, me regji të Alfred Trebickës. Një vepër që serviret si premierë në skenën e Ohrit përmes interpretimit të aktorëve të Teatrit Shqiptar të Shkupit. Për të luajtur një copës tragji-komike nga jeta shqiptare interpretojnë aktorët Bajrush Mjaku, Teuta Jadini, Luran Ameti, Sefedin Shabani, Mirlinda Saiti, etj. komedia do të shfaqet në datën 25 korrik në orën 21.00 në Qendrën Kulturore "Grigor Prlicev". Një tjetër shqiptar, por që prej vitesh jeton jashtë vendit, ngjitet në "Verën e Ohrit". Është violinisti me famë ndërkombëtare Tedi Papavrami. Në datën 19 gusht në orën 21.00 në skenën e Shën Sofisë, Papavrami vjen i shoqëruar nga pianisti francez Philippe Bianconi.

Në programin e koncertit parashikohen pjesëtë zgjedhura nga repertori i kompozitorëve të mëdhenj botërorë, si Bach, Barber, Brahms, Mendelsson, Mozart. Disa muaj më parë Papavrami ishte në Tiranë, jo për të dhënë ndonjë koncert, por për të prezantuar një markë të re ore. Krahas aktivitetit koncertal, Papavrami ka provuar të bëjëme shumë sukses përkthyesin e veprave të Ismail Kadaresë dhe së fundmi dhe të modelit.

Krahas pjesëmarrësve shqiptarë në "Verën e Ohrit" marrin pjesë artistë nga e gjithë Bota. Artistë nga Rusia, Izraeli, Rusia, Austria, Bosnje-Hercegovina, Spanja, Serbia dhe pa dyshim vendi mikpritës Maqedonia do të mbushin ditët e festivalit veror, në skena të ndryshme të Ohrit.


Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama