Amfiteatri Historia mbaroi!

'Amfiteatri' Historia mbaroi!

LIQENI/ Është ideuar për Kinoteatër Veror, por çuditërisht emri i mbeti amfiteatër dhe madje në dokumente paraqitet si i tillë! Prishja, që ka nisur që nga vitet ’90, nuk njeh kufi dhe tashmë “amfiteatri” i Liqenit Artificial të Tiranës është dëmtuar deri në rrënim. Paradoksalisht, mu aty, në pjesën e projeksionit të tij, janë zyrat ku mblidhen punonjësit e mirëmbajtjes së liqenit, por edhe për ta historia e amfiteatrit ka mbaruar, sepse nuk kujdesen më prej vitesh…


Pllaka të hequra nga suprina e skenës, stolat e betontë të thyer dhe të zhvendosur, të tjerë të kthyer përmbys dhe të hedhur ngado. Vende të tëra bosh, platforma të thyera, hekurat e shkallëve të hequr. Bar i mbirë përreth deri në 30 cm ka pushtuar të gjitha anët. Një butafori e tërë rrëmuje, pas një batërdie urbane. Përreth qese, kanaçe, shishe plastike dhe mbeturina pa fund, që zënë vendin e atyre që dikur ishin ndenjëse. Të pëgëra shpërndarë si sinjalistikë, ngado që hedh sytë. Kangjelli i hekurt, dikur lyer me bojë anti-ndryshk, është vjedhur në segmente të tëra. Ky është një lloj përshkrimi ende i varfër për gjendjen e sotme së të ashtuquajturit amfiteatër në Tiranë, që, me sa duket, ka marrë rrugën pa kthim të prishjes. Si për ironi, në momentin e fotografimit, disa punonjëse të bashkisë që duhet ta mirëmbajnë dhe përgjegjësit e tyre, me zyrat mu mbi amfiteatër, flasin në telefon dhe tolloviten. Të gjithë me kurrizin e kthyer amfiteatrit!!!
 
Si u bë?


...Të gjitha ia themi gati me një frymë. Burri i moshuar, projektuesi i amfiteatrit me një kapele republikë të vjetër që se heq prej koke dhe shumë i pastër, thjesht më dëgjon. Mosha e ka thyer disi dhe dëgjimin s’duhet ta ketë aq të mirë, por akoma nuk bindet për njeriun që ka përballë. Po pse mua vallë?-duket sikur thotë inxhinieri Temo Vito kur t’këqyr. E qetësojmë shpejt, duke i kërkuar t’na thotë diçka për amfiteatrin. Rrëfimi i tij linear duket si i përgatitur për t’iu përshtatur kësaj gjendje të amfiteatrit, por edhe sikur do të na thotë: unë e bëra timen! 


...Ishte viti 1973, kur inxhinieri Temo Vito mori detyrën e projektimit për një kino-teatër. Kish punuar në Institutin e Projektimit dhe në atë kohë sapo kish kaluar në Komitetin Ekzekutiv. Gjithçka filloi brenda rregullave të kohës. U përcaktua vendi i ndërtimit të teatrit, detyrat që duhet të zgjidhnin, forma e objektit, rëndësia e tij dhe me radhë të gjithë elementët, bashkë më preventimin. Pak javë më vonë, filloi puna. Puna ecte normalisht. Në fakt, idetë për të gjithë kompleksin e liqenit dhe veprat e artit në të, ishin dhënë nga një grup inxhinierësh bullgarë, që i kryesonte Zheko Zhikov. Gjithçka e tyre kishte mbetur në letër, kur në vitet ’60 prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, solli si reaksion zinxhir ftohjen me të gjitha vendet satelite të Lindjes. Në këtë boshllëk gati 13 vjeçar, pas largimit të bullgarëve, Byrosë së projektimit në Komitetin Ekzekutiv iu kërkua me ngulm ky objekt, në parkun e këndshëm që kish rrethuar kryeqytetin. Inxhinieri Vito kujton se kishin pak shqetësim sepse u mungonte modeli, ndaj ai vetë iu vu me ngut leximit të literaturës së huaj. Kjo ishte ndihmëse.“Për fat edhe pa ditur gjuhën mirë, ne inxhinierët orientohemi lehtë me projektet”, thotë ai.

 

Projekti që u realizua në vitin 1973 kërkonte që objekti të ndërtohej menjëherë. Ashtu si ndodhte në atë kohë, nuk ishte fare problem fuqia punëtore, kurse shqetësim në këtë rast mbetej realizimi. Temo Vitos iu kërkua që objekti të merrte parasysh gjelbërimin e zonës, pjerrësinë natyrale të kodrinës dhe ruajtjen e të gjithë strukturës së tokës. Shqetësimi më i parë ishin disa ullinj shekullorë dhe sipas një logjike, që është gati në besëtytni te shqiptarët, ato nuk mund të priteshin. Falë agronomit shkencëtar Abedin Çiço u arrit që ato të zhvendoseshin diku më tej. Kjo i hapi udhë realizimit që e mori përsipër Kantieri i ndërtimit “21 dhjetori”. Elementët specifikë, këto që sot janë shkatërruar dhe hedhur andej-këndej dhe në rastin më të keq janë vjedhur dhe batërdisur, i realizoi Ndërmarrja e Materialeve të Ndërtimit (NMN). Na kërkonin informacion dhe “Fadil Paçrami na tha se duhej ta shikonte objektin deri ku kishim shkuar me punimet. Unë, në atë kohë, punoja në Komitetin Ekzekutiv të qytetit, në byronë e projektimit. Ai erdhi e pa dhe mbeti i kënaqur.

 

Por, kuptohet si ishte zakoni, bëri dhe vërejtjet e veta”. 77 vjeçari ndalon një moment dhe shëndeti i lodhur nuk e lë të flasë shpejt. Projektimi parashikonte gjithçka që nga pendenca e vendit ku mbështetej objektit, forma që duhet të kishte teatri natyror, dhe përshtatshmëritë e tjera për shfaqje, por edhe ngjyra. U zgjodh kjo lloj bardhësie, që të shkonte me t’gjelbërën. Duke marrë parasysh formacionin e tokës u bënë drenazhimet përkatëse dhe u realizuan me kujdes nyjet sanitare. Poshtë platformës së skenës kishte dhomat e artistëve, banjat, vendet e zhveshjes etj. të gjitha u bënë sipas projektit. Por, vështirësitë ishin ende aty. “Ajo , që më dukej, më shqetësuese lidhej me akustikën e vendit. Shfrytëzova një rast t’artë që në atë kohë në Tiranë ndodheshin dy specialistë rumunë të akustikës për problemin e Operas që po ndërtohej, kujton ai. U kërkuam ndihmë. Atëherë iu mundësua një ardhje në liqen për të kontrolluar akustikën në terren. Ata dhanë një ide të këndshme për pozicionin dhe pëlqyen zgjidhjen tonë, ndërsa për akustikën na rrëfyen se suprina e liqenit ndihmonte shumë për shpërhapjen e akustikës, ndaj ta linim në këto parametra, që ishte bërë”.


Ditën e inaugurimit, aty në pranverën e vitit 1974, ai ishte mes atyre njerëzve që prisnin me ankth se çfarë do thuhej për veprën, ndërtuar në Parkun e madh të Liqenit. Modestia ishte e detyruar në socializëm, por në rastin tonë, burri i qetë vërtetë nuk di të mburret. Kaloi qetë. Ai vetë i shtoi Cv-së së tij profesionale dhe një punë, për të cilën kish pse të krenohej më vonë, në një ditë si kjo, kur na shikon përballë.


...“Kur kaloj ndonjëherë atje më vjen sinqerisht keq për gjendjen e amfiteatrit, por nuk kam më se ç’të bëj. Me sa duket askush nuk do të kujdeset për të”, thotë duke përfunduar.

...


Nuk ishte se “amfiteatri”, që i mori emrin me forcë kinoteatrit do kishte gjallëri as në kohën e Socializmit. Çuditërisht, asnjëherë ky vend nuk tërhoqi njerëz, përveç aktiviteteve sporadike, ndërsa në vitet e fundit u shfrytëzua pak herë nga politikanët si objekt-risi për galatë e tyre frenetike. Edhe kjo se shpëtoi. Gati 40 vjet më vonë prej ndërtimit, amfiteatri është degraduar në atë masë sa është krejt i papërdorshëm edhe pse regjisorë të ndryshëm janë munduar ta aktivizojnë hera-herës. Më keq akoma, as edhe një nga kryetarët, që ka qenë në poltronin e kryebashkiakut, s’ka bërë gjë për të, veçse e kanë shfrytëzuar nga pak. Duke na e hequr përditë edhe një tullë nga kujtesa jonë qytetare.
         


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama