për këtë arsye Dionisi m‘u lut t‘i jepja kopjet e disa letrave të Jani Vretos, që bëjnë fjalë për takimet e këtij me Ismail Qemalin, mikun e tij të hershëm të shkollës së përbashkët të "Zosimesë" dhe të "Shoqërisë së Shkronjave Shqipe" të Stambollit. Midis të tjerash, Dionisi më tregoi se sa shumë interesante janë edhe letrat, që Jorgo Seferisi, poeti grek nobelist i mirënjohur, pat shkruar në Korçë në vitet 1936-1937.
Në këtë mënyrë na rrëmbeu biseda rreth Seferisit. Dhe zumë t‘i rrëfenim njëri-tjetrit ato që dinim për jetën e për veprën e poetit, të cilin, kur kryente funksionet e Konsullit të Greqisë, me siguri, kanë qenë të paktë ata që e njihnin, madje edhe më të paktë ishin ata që dinin ca të fshehta për këtë diplomat të ri, i cili qysh atëherë shkruante edhe poezi!
Si për shaka, unë ia ndërpreva rrëfimin mikut dhe e njoftova se Konsullin e Greqisë e kam njohur dhe e kam pasur mik. Dionisi, mbylli sytë dhe i habitur m‘u kthye: -O Zot! Porsa po bëhesha gati të të tregoja ndonjë gjë të panjohur për jetën e Seferisit, ti, po më çudit, duke më thënë se e paske pasur mik, ti, çunak, se sa ke qenë, zotëria jote, atë kohë!?
Atëherë unë, me një seriozitet të shtirë, të stisur, e çela kutinë e Pandorës: "Së pari, e kam njohur për burrë të mirë e të sjellshëm, se sa herë, kur loznim, ne fëmijët përreth shtëpisë-seli të Konsullatës dhe kur topi kapërcente kangjellat e binte në kopshtin e vogël, Konsulli begeniste tërë mirësjellje të zbriste nga ballkoni e na e kthente topin, pa na kërcënuar me ndonjë paralajmërim të rreptë, që të ishim më të kujdesshëm herë tjetër.
Së dyti, kur unë isha i sëmurë e prindërve u duhej një vizë për të më vizituar në ndonjë mjek në Athinë, na e lëshoi menjëherë lejen dhe, në këtë mënyrë, ma bëri të mundur që të ndodhem mu në mes të Akropolit, siç e provoi me këtë fotografi, shumë të shtrenjtë për veten time se u bë karemi më i parë që përcolli kureshtjen dhe habinë time mahnitëse për qytetërimin madhështor të Lashtësisë greke.
Im atë, vazhdova më tej, që lexonte shumë dhe dëgjonte gjithë stacionet e huaja me radio, atë ditë që u përhap lajmi se poetit grek, Seferisit i ishte akorduar çmimi ‘Nobel‘ për poezitë, sa s‘kërceu lart nga karrigia dhe bërtiti: -Është ish-konsulli, ai që na dha aq shpejt e miqësisht vizën për Athinë! Është një shembull i mirë për gjithë diplomatët e sotëm në Tiranë, apo jo, Dionis, që të mos i sorollatin fort hallexhinjtë emigrantë, siç ndodh shpesh, për një vizë, se, ndoshta në të ardhmen, atyre do t‘u qeshte fati, në mos ‘Nobeli‘, ndonjë çmim më modest për humanizëm".
-Ti ditkërke shumë, m‘u kthye Dionisi, si me shaka, por, pa më thuaj përse erdhi në Korçë Seferisi, mos nga malli për Londrën e Parisin, ku kish mësuar e qëndruar për 13 vjet si diplomat? Apo ngaqë ju e quanit Korçën "Paris i vogël"?
-Po pse jo? Paris ishte, më shtyu t‘i përgjigjem nostalgjia e një lokalizmi të harruar.
Atëherë, edhe Dionisi e hapi kutinë e Pandorës:
-Do të të dërgoj disa letra, që Seferisi ka shkruar në Korçë, ato vite, e do ta mësosh të vërtetën. Ka qenë një grua, Maro, së cilës ia drejtonte letrat, sepse midis tyre pat lindur një dashuri e madhe.
-E kam ditur se pat shkruar disa poezi në Korçë, shtova unë, e kam njohur si poet të mrekullueshëm, por për këto letra që po më rrëfen ti, nuk kam ditur gjë; gjithsesi, m‘i dërgo sa më shpejt. - Ato janë shumë, janë 132.
-Po të paktën tre-katër syresh, qoftë si dhuratë për lexuesin shqiptar.
Tani këto letra, të përkthyera nga Dionisi, i kam përpara mbi tryezën e punës. Ato më zbulojnë jo vetëm të fshehtën e dashurisë për Maron, por edhe ca fakte të rëndësishme, që tregojnë se Korça për Seferisin ka qenë stacioni i dytë i rëndësishëm në rrugën e gjatë krijuese poetike, që u kurorëzua me kohë meritueshëm me çmimin "Nobel". Një tufë poezish, nga më të bukurat, këtu u frymëzuan si: "Matias Paskali mes trëndafilash", "Mëngjes i bukur vjeshte", "Piazza San Nicolo" (Korçë,1937), por edhe letrat që niste prej këtej për Maron bartin plot mbresa të gjalla, të freskëta e poetike për Korçën, për mjediset e njerëzit e këtij qyteti. Personalisht këto letra më zgjojnë edhe ca kujtime të shtrenjta nga jeta e qytetit të lindjes. Në to janë qëmtuar e qëndisur me penelata të sakta e me ngjyrime të forta shprehëse të një syri të mprehtë e zhbirues të poetit-piktor.
Ndrojtjen e parë të natyrshme për cilindo jabanxhi, e aq më fort për një diplomat, në një mjedis të panjohur, duket se Seferisi e kalon shpejt dhe vendos një lidhje të veçantë, të një poeti, një lidhje të shumanshme me njerëzit, me rrugët e kalldrëmta, kangjellat, pyjet, me kopshtet e peizazhet, me jetën e atjeshme. Lëviz e shëtit i ngarkuar me ndjenja e mbresa intime, të përziera me kujtimet e bukura, pa u ndarë asnjë çast nga kuvendimi i heshtur, intim, prekës me "sirenën nudo", që ndodhet larg, shumë larg tek ishulli i Eginës.
S‘përmbahet nga gëzimi që i sjell letra e Maros dhe niset drejt rrugicave, drejt pazarit, se ka zbuluar edhe mrekullinë e çuditshme të "Pazarit të Korçës", bërë proverbiale gjithandej në vendi tonë: "Letrën tënde të së martës e mora sot. Pas shumë kohësh! Por le të mos grindemi. Është gëzimi i parë që pata në këto male dhe me që sot është dita e pazarit, dola ta shoh dhe të shijoj gëzimin tim. Edhe ty do të të pëlqente, po të ishe me mua, të shihje ngjyrat e pazarit dhe fytyrat e çuditshme të njerëzve të këtushëm. Binte shi… Brodha përmes turmës së gjithë atyre fshatarëve, që ngjajnë aq shumë me njëri-tjetrin: faqe të rrufitura, hundë shkabë me hark, sy dinakë, truphollë dhe disi të kërrusur. Për një çast mendova: ç‘kam ardhur të bëj unë, ishullari, midis këtyre malësorëve?!
M‘u kujtua ai plaku kretas, që e takuam nga fundi i verës, kur po shkonim te shtëpia e N. Kazanxaqit. Sa lehtësisht kuvendonja me plakun! Po të mund të flisja me këta fshatarët e pazarit, çfarë do t‘u thosha, ç‘do t‘i shtynte ata të hynin në bisedë me mua?! Por, e ndjej se me pak zell, nuk do të ishte e pamundur, si me shumë të tjerë që shoh çdo ditë.
"Ndoshta ngaqë mendoj për ty"- thua?..
E mira ime, shihja sot në pazar shumë gjëra, që nuk ka se ç‘më duhen përderisa nuk mund t‘i ndaj me ty. Lakrat dhe preshtë e famshëm të Korçës, që aq herë të kam folur për to. Preshtë janë të gjetë e të trashë si trarë, të gjelbër dhe shumë të bardhë. Lakrat të mëdha dhe të ngjyrshme, ashtu si figurat e Miki Mausit! I blinin fshatarët për t‘i mbuluar dhe rimbuluar brenda në dhe. Nga ato do të hanë tërë dimrin.
"...Të dielën më ftoi Ambasadori në Tiranë. Aty kalova mjaft mirë. U thye disi monotonia. Pardje, vajtëm ekskursion deri në Krujë, që është në shpatin e një mali mbi Tiranë, një fole shqiponjash. Fshat i bukur dhe piktoresk, placdarmi i Gjergji Kastriotit, i Skënderbeut. Kushdo e kupton për mrekulli se si i copëtonte me mijëra armiq duke zbritur që nga lart. Ka edhe një çarshi (6) që do të të zbaviste, krejt si ato në Lindjen Arabe, që tani i shohim vetëm nëpër libra ose në përrallat e Halimasit. Bleva një palë çorape të leshta arvanitase dhe një palë opinga me lëkurë derri. Do t‘i mbath në verë në Egjina. Një tjetër e mirë e Tiranës ishte se solla me vete gjatë kthimit: konjak, uiski dhe cigare. E mirë pozitive! Këto janë të rejat e mia, Marika ime e dashur. Në qoftë se do të të duken llomotitje, më vjen shumë keq, por ende nuk kam më të mira. Duke u kthyer sot në mëngjes me makinë - janë tetë orë rrugë - e ndalova shoferin në një majë. Para nesh hapej një sipërfaqe e madhe plot ujë. Përballë - male shumë të lartë. Zbrita. I gjithë vendi ishte i mbuluar me dëborë. Vështrova, duke kërkuar një barkë, a një anije të vockël. Asgjë, m‘u duk një det i vdekur. Ishte liqeni i Ohrit".
Me mjeshtëri humoristike e thjeshtësi të rrallë përshkruan edhe tablonë e një karnavaleje qesharake për "jetën e natës" në "Tenis klubin" e Parisit të vogël, të aristokracisë dhe të të huajve që ishin gjendur në qytet: "Në darkë në ‘Tennis Club‘ kishte vallëzim. Këtu nuk kaluam dhe aq mirë. Në fillim parakaluan veshjet kombëtare. Disa janë shumë të hijshme. Pastaj, llotari. Edhe këtu kishte diçka origjinale. Por duhej që njeriu të rinte deri në orën tre. Më ftoi kolegu serb në tavolinën e tij, se ai e parandiente që gruaja e tij desh të gdhihej aty. Ishte me ta dhe një lëneshë (vajzë fatdalë) alsate, që vetëm buzëqeshte. Besoj se në jetën e saj të përditshme nuk bën asgjë tjetër veçse bridge. Orkestra për gjashtë orë me radhë përsëriste të njëjtën pjesë. Vera e servirur, gjoja për shampanjë, përngjante me stomlakik (2). Me të ndaluar veglat muzikore, altoparlanti fillonte tangon. Rreth orës dy ndieja se, po të zgjatej akoma edhe dy minuta kjo gjendje, do të filloja të ngërdheshesha si majmun. Megjithatë durova, pa përmbysur tavolinën, plot edhe një orë akoma. Nga më heroiket e jetës sime...".
Ndjenjat e hidhura dhe pezmi, mërzitja e tij vinin se kishte qenë aty, vërtet si një i internuar, si "fantazmë", siç e quante veten, sepse i ati me kokëfortësinë e tij dhe paragjykimet që kish pasur, e kishte degdisur të birin përdhunshëm, që ta harronte përfundimisht fytyrën e asaj, që e pat robëruar qysh në shikimin e parë. Seferisi nuk ishte një i ri pa përvojë jetësore, që nuk i njihte rregullat dhe motivet mbizotëruese të lidhjeve martesore dhe të kuptimit të dashurive të sinqerta dhe kalimtare, pasionante dhe irracionale; të gjitha këto djaloshi europian i dinte mirë, por, pyes, mos vallë dëshpërimi i vinte ngaqë qe një ëndërrimtar romantik? Apo mos besonte se Perëndia i kish bërë një dhuratë të shtrenjtë - fatin e një dashurie eterne, nga ato të rrallat, që nuk mungojnë e që s‘vdesin kurrë.
Siç rrëfehet në letrat e poezitë e tij, pat qenë një ditë me eklips dielli në fund të vitit 1935 kur u panë për herë të parë; ajo e ftoi të vinte verës në ishullin e Eginës. Nga Korça më 8 qershor 1937 Seferesi kujton: "E njoha një pasdite duke dalë nga deti dhe u thava përbri saj në diell. Deti ishte nëna e fatit tonë. Ishte e imja, si tani, si përherë. Dhe më tha: "Asgjë nuk do na ndajë".
I ati i Seferisit, profesor i së drejtës ndërkombëtare, njeri i nderuar, i pasur, intelektual i kulturuar, poet e përkthyes, i dhimbsur për krijesat e tij, moralisht i ndershëm, por edhe respektues i zakoneve morale racionale, që rregullojnë jetën e njerëzve dhe fatin e tyre, të lumtur ose tragjik; ai ishte burrë i zoti, i mençur, por ja që nuk besonte në dashuri eterne, të përjetshme, të pavdekshme, në dashuri, madje të pakuptueshme, të çuditshme, të cilat zakonet patriarkale të vendeve ballkanike nuk i pranonin. Prandaj, pas këshillimeve të stërzgjatura e të përsëritura, një ditë i dërgoi të birit ultimatumin e pandryshueshëm: "Ose do të ndahesh nga Maro, për arsyet që i kemi rrahur ose përndryshe, bashkë nuk shihemi kurrë me sy!". Dhe vërtet, tragjikisht nuk biseduan më, as në çastet e fundit të jetës, as në ceremoninë e varrimit të atit. Urdhri nuk ishte zbatuar! Në mëngjesin me diell të 17 dhjetorit 1936 nga Korça i niste Sirenës së tij mesazhin: "Të bëhet, ç‘të bëhet. Jam plot dëshira të ec drejt teje"!
Në bisedë e sipër, Dionisi më zgjoi nga meditimet, më ndërhyri, duke më pyetur: -Ka qenë një gabim fatal i Plakut, apo ai kishte të drejtë? Marika ishte e martuar me një burrë, ish-oficer madhor marine, i pasur e autoritar, me të cilin kishte jo vetëm gjithë ato të mira që sjell pasuria, por me Marikën kishte edhe dy vajza të mrekullueshme. Gjatë s‘mund të vazhdohej dashuria; opinioni, siç na rrëfen edhe Migjeni ynë, pret raste të tillat që fariseisht kinse të mbrojë moralin e cenuar nga skandali. Seferis Plaku a mos kish frikë nga skandali ose edhe nga zhgënjimet e rënda që vinë shpesh nga mendjelehtësia dhe nga dashuria e verbër, pasionante? Mos ndoshta pat menduar se i biri, por edhe mikesha e tij, do të humbnin të ardhmen, lumturinë, rehatinë, qetësinë? Mos ka dashur t‘i shpëtonte që të dy nga falimentimi i pashmangshëm?
- Të gjitha këto hamendësi s‘ka se si të mos ishin bërë; veçse prapa tyre duhet të ketë qëndruar diçka më e rëndësishme: mosbesimi në lumturinë e pafundme të një dashurie eterne, e cila edhe kur përcillet me humbje të qetësisë, me vuajtje, me dhimbje, madje edhe me pendim tragjik, ajo dhuron një lumturi të pafundme, që nuk mund të llogaritet e të krahasohet me shqetësimet e sëkëllditë që sjell, përndryshe Romeo e Zhulieta nuk do të shkonin drejt fundit tragjik. Këtë më rrëfejnë letrat që i dërgonte Seferisi nga Korça Maros së tij. Duke qenë larg saj, s‘kish se si të mos përjetonte dhimbje të zgjatura; por edhe pema e dashurisë së çuditshme, enigmatike e Jorgos me Marën, nuk mund të mos selitej me lot gëzimi, me atë dëshpërim që ndërfutet herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi gati në gjithë poezitë e tij.
Unë personalisht nuk mendoj se e ka pasur të lehtë Serferis Plaku ta syrgjynoste të birin e dashur dhe ndoshta mund të mos kish besuar se po e humbte përfundimisht djalin. Por e humbi, kur urdhëroi ta degdisnin konsull në një vend të varfër, në një humbëtirë, me qëllim që ta kthente në çerdhen e tij familjare. Situata të tilla, kur dashuria plekset me rrethana tragjike, kanë pas frymëzuar plot nga tragjeditë antike dhe shekspiriane, që vazhdojnë të përsëriten edhe në ditët tona. Edhe në hapësirat e gjelbërtha të Korçës, qysh kur përkundte në shpirt Seferisi dashurinë e tij për Maron, kish pasur edhe shumë raste lulëzimi dashurish eterne, që bashkonin të pabashkueshmit, të krishterë me myslimane, të pasur me të varfër, fisnikë me vegjëli, martesa të lumtura e tragjike, sepse në Korçën tonë prej kohësh ishin mbjellë e selitur idetë emancipuese të lirisë, drejtësisë e barazisë, nga ato ide që bashkojnë Zhulietën e Romeon.
Letrat tregojnë se një dashuri e këtij lloji vlonte në shpirtin e diplomatit të ri, kur i mërzitur nga vonesa e letrave të Maros, që i priste me padurim, gjente lehtësim shpirtëror duke bredhur nëpër kodrat e bleruara, malet e jargavantë dhe rrugicat e pastra, të dëlira të Korçës. Letrat që i dërgonte Maros nga Korça janë një regjistrim psiko-sizmologjik i thellësive të punës së mendjes e zemrës, që bartnin dyshime, hezitime, besim, pasione e urtësi, që rriteshin nga dita në ditë në dy zemrat e tyre, larg njëri-tjetrit. Seferisi e pranon se kohën e lirë e kalonte duke u thelluar në ndjenjat e mendimet e tij të sinqerta, në unin e vet, për ta kuptuar veten e tyre, enigmën e dashurisë dhe rritjen e kësaj si një burim e fuqi të pafund jete e lumturie.
Por jashtë botës intime, personale, ekziston edhe bota e huaj, tjetërsuese, shpesh e vrazhdë, që lëviz duke nëpërkëmbur ndjenja e ëndrra nga më të bukurat njerëzore. Më 30 gusht 1940, në prag të luftës italo-greke, Seferisi i shkruante Maros: "Nga çasti në çast presim luftën". Si u kthye në Athinë, kur ajo plasi, mikut të tij Elitisit në front Seferisi i shkruante: "Të kam zili!".
Lufta si luftë ngatërron e përmbys fatet njerëzore, shton mjerimet e hallet e tyre. Me to erdhi edhe ultimatumi i burrit, i Andrea Londut: "Ose me Seferisin ose me fëmijët!". Dhe në çastet e shpërthimit të tmerreve të luftës, çuditërisht, erdhi çasti i shumëpritur dhe i papritur, befasues i martesës, që mund të duket paradoksal, por ishte thirrje për të përballur bashkë pasojat. Oficeri i marinës braktisi fëmijët dhe gjeti një franceze të droguar dhe me të shkoi të mbyllte ditët në Paris. Dhe në kulmin e agresionit nazi-fashist, të enjte, më 10 prill 1941, në kishën e Shën Sotirit, pranë shtëpisë në lagjen Plaka, vunë kurorë Poeti me Sirenën.
Poeti e diplomati vendoset për një kohë në bastionin heroik të Kretës, pastaj ndjek në Egjipt formacionet e ushtrisë greke, që vepronte së bashku me forcat e Aleancës Demokratike Anglo-Amerikane në Afrikën Veriore. Dhe kur pritej të kthehej qetësia e paqes dhe e lirisë, vinte kalvari i stërzgjatur i luftës civile, pastaj peripecitë e jetës nën diktaturën, jetë e përzierë me halle e gëzime, vuajtje e frikë, por sidomos me ngadhënjimin e dashurisë eterne së bashku me lavdinë e asaj dite të vitit 1963, kur iu akordua çmimi "Nobël". Tek zbriste shkallët e avionit në aeroportin e Athinës nuk e priste askush (sundonte frika e diktaturës), vetëm Marika Seferisi me një buqetë me lule. Fotografia e këtij përqafimi u shfaq në faqen e parë të gjithë gazetave të botës. Lexuesit shihnin fuqinë e një dashurie eterne.
Letra të Seferisit Maros
Korçë, e shtunë, 21 nëntor 1936
Letrën tënde të së martës e mora sot. Pas shumë kohësh! Por le të mos grindemi. Është gëzimi i parë që pata në këto male dhe me që sot është dita e pazarit, dola ta shoh dhe të shijoj gëzimin tim. Edhe ty do të të pëlqente, po të ishe me mua, të shihje ngjyrat e pazarit dhe fytyrat e çuditshme të njerëzve të këtushëm. Binte shi…
Brodha përmes turmës së gjithë atyre fshatarëve, që ngjajnë aq shumë me njëri-tjetrin: faqe të rrufitura, hundë shkabë me hark, sy dinakë; truphollë dhe disi të kërrusur. Për një çast mendova: ç‘kam ardhur të bëj unë, ishullari, midis këtyre malësorëve?!
M‘u kujtua ai plaku kretas, që e takuam nga fundi i verës, kur po shkonim te shtëpia e N. Kazanxaqit. Sa lehtësisht kuvendonja me plakun! Po të mund të flisja me këta fshatarët e pazarit, çfarë do t‘u thosha, ç‘do t‘i shtynte ata të hynin në bisedë me mua?! Por, e ndjej se me pak zell, nuk do të ishte e pamundur, si me shumë të tjerë që shoh çdo ditë.
"Ndoshta ngaqë mendoj për ty" - thua?
E mira ime, shihja sot në pazar shumë gjëra, që nuk ka se ç‘më duhen përderisa nuk mund t‘i ndaj me ty. Lakrat dhe preshtë e famshëm të Korçës, që aq herë të kam folur për to. Preshtë janë të gjetë e të trashë si trarë, të gjelbër dhe shumë të bardhë. Lakrat të mëdha dhe të ngjyrshme, ashtu si figurat e Miki Mausit! I blinin fshatarët për t‘i mbuluar dhe rimbuluar brenda në dhe. Nga ato do të hanë tërë dimrin.
Ecja dhe pas meje vinte nëpunësi im trimosh. Kishte diçka humoristike në gjithë këtë. Shfaqja ime e papritur, siç e kuptoja nga vështrimet e habitura të njerëzve, drita e rrugës, që tregonte aq mirë ngjyrën rozë të qepëve, tufat e kafshëve, që prisnin me durim të ndërronin të zotin dhe dëshira ime që të jap një shkelm të fortë, të ngjitem lart si ballon dhe të gjendem diku, bregdetit të dashur, nën Orosin1, i cili më ka ngelur përherë aq misterioz, aq i largët dhe po kaq i afërt, ashtu si një engjëll mbrojtës.
Sa shumë mendime më pushtojnë dhe në aq pak kohë... (Një jetë e tërë, e cila u përmblodh aq sa mundi që të nxinte midis syve të ngulura dhe dy këmbëve të para të Haxhi Muratit??? Gjene mirë.)
Pushova së shkruari letrën time.
Gjella ishte gati. Tani përsëri jam vetëm në dhomën e ngrënies dhe dëgjoj gërmushjen e sobës. Në të majtë, një dritë gri hyn nga të dyja dritaret. Një mollë ka mbetur në frutierë, te bufeja që është karshi meje. Në dhomën time të gjumit dhe në zyrën time të vogël, këtu do ta kaloj kohën. Kjo është, pak a shumë, shtëpia ime.
(Letra vazhdon me një skicë të planimetrisë së shtëpisë, të bërë shpejt e shpejt-D.Q.)
Ajo është e madhe dhe mezi ngrohet. Ka dhe një lloj pavillon2, që tani për tani, nuk përdoret. Pamja e shtëpisë nuk është dhe aq e keqe, me kopshtin e vogël, që shtrihet para saj, veçse atë e ka dëmtuar shija e keqe e atyre që e kanë mobiluar. Këto, natyrisht, nuk kanë ndonjë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se e vetmja e mirë që pres këtu, d.m.th puna, ende s‘ka filluar. Të gjitha ditët deri tani kanë qenë për mua të mërzitshme. Një stërzgjatje e nervoze e fillimit. Dhe, siç e di, e urrej veten time, kur jam i nervozuar. Por, gjithsesi më duhet t‘i kapërcej. Do të kalojnë...
Të përshëndes shpirti im. "Me shumë tmerr".*
Jorgo
*Në këtë mënyrë iu përgjegja një ditë, mes bisedave të zakonëshme që bëjnë çiftet midis tyre. Talleshim. Mandej e thoshte edhe ai këtë shprehje"- ka shkruar Maroja.
Marre nga : Gazeta Shqip











